Vazhdon të trazohet hapësira shqiptare. Trazuese të saj janë Serbia dhe Maqedonia ose Maqedonia dhe Serbia, krejt një, sepse veprimet e tyre ndaj shqiptarëve janë të sinkronizuara dhe kanë shumë pika afrimi midis tyre. Përderisa ende nuk është dëshmuar pothuajse asgjë lidhur me vrasjen e pesë maqedonasve në afërsi të fshatit Smilkovcë në periferi  të Skupit, për ç’gjë akuzohen “islamikët radikalë” që mbahen në burg pas aksionit policor “Monstrum”, nga Kosova Lindorer vijnë lajmet për arrestime të tjera të shqiptarëve, kësaj rradhe me një pretekst krejt tjetër. Ndërkohë, Serbia bëhet gati për zgjedhjet në Kosovë që, e pranuam ose jo, e privojnë shtetësinë e Kosovës veçanërisht me përpjekjet pët të mbajtur edhe zgjedhje lokale, përkundër gjithë arsyetimeve që janë dhënë nga ndërkombëtarët dhe zyrtarë vendor për ilegjitimitetin e tyre.

 

 

Edhe pse sipas fjalës së vetë ministreshës maqedonase të punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, “ende nuk është vërtetuar se armët e gjetura gjatë bastisjes përputhen me armët që janë përdorur për kryerjen e veprës penale…”, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë pohon se ka zbuluar identitetin  e pesë personave të akuzuar për veprën, hiq më pak se terrorizëm, dy prej të cilëve ndodhen në arrati. Ende nuk janë zhvilluar të gjitha procedurat për të zbardhur në tërësi rastin. Sistemi i drejtësisë në Maqedoni duhet të procedojë sipas rregullave dhe ligjeve dhe, si shprehet ambasadori amerikan në Maqedoni, Poll Uollers, “është me rëndësi të ndiqen procedurat korrekte dhe kushdo që e ka kryer këtë gjë të tmerrshme të përgjigjet para drejtësisë”.
Ndërkohë,  merret vesh për aksionin policor në Kosoëvn Lindore, me ç’rast policia serbe arreston tetë shqiptarë, pesë prej të cilëve i akuzon se “kanë kryer  krime lufte”. Natyrisht se ky aksion në Kosoëvn Lindore përjetohet si vazhdimësi e terrorit që shteti serb ushtron mbi shqiptarët, të njëjtën gjë që e bën edhe pushteti në Maqedoni. Pra, Maqedonia dhe Serbia ose  Serbia dhe Maqedonia, janë krejt një kur janë në pyetje shqiptarët. Nuk është ky grupi i parë i shqiptarëve që ndiqet për terrorizëm, edhe pse ndërkohë ministri serb i punëve të brendshme, Ivica Daciq, thotë se disa nga të arrestuarit akuzohen për “krijimin e një formacioni ushtarak për shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Serbia”. Pushteti serb, nën të njëjtën akuzë, pati dënuar, vjet më parë,   dhjetë shqiptarë me më shumë se 100 vjet burgim, ndërsa më heret pati rrëmbyer dy policë të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës ,me justifikimin se “janë gjetur të armatosur në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit  të Kumanovës të vitit 1999.
Nuk ka dyshim se këto aksione policore në Kosoëvn Lindore kanë një funksion- pastrimin etnik të popullatës shqiptare nga trojet e tyre. Nga kjo “anë tjetër e Kosovës” vazhdojnë emigrimet e shqiptarëve dhe për këtë sikur askush nuk vranë ndërgjegjën. Madje as bashkësia ndërkombëtare që gjoja kujdeset “për ruajtjen e qetësisë në rajon”. Mungojnë reagimet, si nga NATO-ja, ashtu dhe nga BE-ja. Në NATO thonë se “merren vetëm me zhvillimet në Kosovë, prandasj nuk mund të komentojnë arrestimet në Serbi”, ndërsa në BE nuk shohin ndonjë arsye që të komentojnë arrestimet e shqiptarëve në zonë.
Krahas me këto ngjarje,  gjendja në veri të Kosovës vazhdon të përkeqësohet. Ministri i brendshëm, Bajram Rexhepi, premton arrestimin e kriminelëve, e njëri prej tyre, Zvonko Veselinoviq me shokë,  nuk heqin  dorë nga mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë.I pari ka fletarrestim  ndërkombëtar për vepra penale, por ja se si i “përgjigjet atij urdhëri”.
Përgjithësisht, si në Maqedoni, ashtu dhe në Serbi ose si në Serbi, ashtu dhe në Maqedoni , ndjekjet dhe burgosjet e shqiptarëve bëhen me qëllim të krijimit të pasigurisë së përgjithshme në ato territore ku ata jetojnë. Nuk mund të thuhet ndryshe përveç se bëhet fjalë për një vazhdimësi të proceseve politike me skenarë antishqiptarë të Serbisë dhe Maqedonisë ose  Maqedonisë dhe Serbisë, për t’i përulur dhe poshtëruar shqiptarët dhe për t’i mbajtur nën presion të vazhdueshëm.  Kjo heshtje sikur i trimëron  autoritetet në Serbi dhe në Maqedoni ose në  Maqedoni dhe Serbi që  të vazhdojnë me ndjekjen dhe burgosjen e shqiptarëve. Shqiptarët nuk bëjnë më shumë se  “shprehin shqetësime për gjendjen e krijuar”, e cila  përkeqësohet ditë e më shumë.    
Kur bëhet fjalë për zgjedhjet serbe në Kosovë, zyrtarët shqiptarë trumbetojnë me plot gojën se vetëm qytetarëve serbë me dyshtetësi do t’u lejohet pjesëmarrja në zgjedhjet e 6 majit, ndërkohë që sekretari i Ministrisë për Kosovën në Ministrinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, deklaron se serbët që jetojnë në Kosovë “nuk njohin tjetër shtetësi pos asaj të Serbisë”. Në të vërtertë, zyrtarë serbë përherë deklarojnë se “Serbia jo vetëm që nuk e njeh Kosovën si shtet, por këtë vend ajo e llogarit  si pjesë të vetën edhe me Kushtetutë”.
Vlen të theksohet me këtë rast se Qeveria e Kosovës deri tani nuk ia ka dalë që të organizojë zgjedhje , as lokale dhe as qendrore, në komunat veriore të vendit. Bëhet fjalë për komunat Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq. Për pasojë, këto komuna vazhdojnë të drejtohen nga struktura të dala nga zgjedhjet e organizuara nga Serbia, e jo nga Kosova.
Nëse i referohemi vendimeve të institucioneve të Kosovës lidhur me zgjedhjet serbe, Qeveria e Kosovës fillimisht pati përjashtuar çfarëdo mundësie që brenda territorit të Kosovës  të ketë “zgjedhje të një shteti tjetër”, por së fundmi është tërhequr nga qëndrimi i parë, madje edhe e ka “përshendetur marrëveshjen që Qeveria e Serbisë e ka arritur me OSBE-në”, që kjo e fundit të ndihmojë procesin zgjedhor të Serbisë në territorin e Kosovës. Nuk ka fije dyshimi se me këtë Qeveria ka shkelur Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të cilën ai e kishte miratuar unanimisht në seancën e 15 marsit.
Në Rezolutë, po përkujtojmë, thuhej se :”Eshtë shkelje e sovranitetit dhe cenim i marrëdhënieve të mira fqinjësore, që të organizohen  në mënyrë të njëanshme zgjedhje të përgjithshme dhe lokale  në një shtet tjetër  evropian”.
Edhe pse vetë nuk ka arritur që të organizojë asnjë palë zgjedhjesh të Republikës së Kosovës në veriun e saj, tash Qeveria e Kosovës tërthorazi “po lehtëson organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë”.
Fjalët e ambasadorit Ëerner Almhofer, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, flasin për të vërtetën. Ai së pari ka sqaruar se OSBE-ja është angazhuar në procesin zgjedhor të Serbisë me kërkesë të aktorëve vendës dhe ndërkombëtarë, për të vazhduar se : “Në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aktorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë kanë kërkuar nga OSBE për të mundësuar votimin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë këtë të diel”. Almhofer është shprehur se OSBE-ja “është e nderuar që ka pranuar këtë sfidë dhe është mirënjohëse që ka mbështetje nga Qeveria e Kosovës”.
Aty ku janë të pranishme faktet, fjalët bëhen të panevojshme.