Sot,me 13 korrik,Këshilli i Sigurimit i OKB-së “do të gjendet”midis mitit dhe realitetit për Kosovën.Dy zyrtarë të lartë,njëri nga Serbia,e tjetri nga Kosova,sado “të porositur”që të mos merren me të kaluarën,do “t’i kthehen historisë së Kosovës”.Këndvështrimi do të jetë i ndryshëm.I pari do të mbështetet në mite,i dyti në realitete. Zyrtari i Serbisë do të përpiqet të shtrembërojë të vërtetën për Kosovën,me qëllim që ta paraqes “krejt ndryshe nga ç’është”,duke “i veshur një petk legjendar”,kurse zyrtari i Kosovës do të dëshmojë atë që ekziston me të vërtetë.

Edhe pse është më e parapëlqyeshme që më shumë të flasim për të ardhmen,se sa për të kaluarën,ia vlen që t’i kthehemi historisë politike të çështjes së Kosovës për ta vënë atë në shërbim të ndriçimit të së tashmes dhe parashikimit të së ardhmes së saj.Në histori janë përgjithësisht të njohura lakmitë e shteteve fqinje ballkanike për t’u zmadhuar në dëm të trojeve shqiptare,po sikurse që janë përgjithësisht të njohura programet për mohimin e ekzistencës së kombit shqiptar. Vështruar nga ky kënd,çdo analizë serioze e çështjes së Kosovës do të jetë e mangët pa shqyrtimin paraprak historik të vetë problemit të Kosovës dhe faktit se çështja e Kosovës është sajuar pikërisht me copëtimin e trungut etnik shqiptar dhe të trojeve të shumicës së tij në Ballkan dhe që,prej atëherë,çështja e Kosovës lidhet me boshtin themelor “të aspirimit të popullit shqiptar të Kosovës që të jetë vetë zot i fatit të tij politik”.Në këtë rrugëtim,zhbërja e ish-Jugosllavisë i dha “një impuls të ri të fuqishëm në kontekst të ri gjeopolitik” çështjes së Kosovës në Evropën Juglindore dhe me gjerë.Prandaj,dosja e ish-Jugosllavisë nuk mund të përmbyllet suksesshëm pa valorizimin e drejtë dhe të plotë ndërkombëtar të trungut etnik të Kosovës dhe vullnetit politik të popullit të saj.Qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës për të cilat ka të ngjarë që zyrtari i Serbisë t’i paraqes para Këshillit të Sigurimit të OKB-së,e të cilat i referohen historisë,janë të pathemelta dhe atë qoftë “në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit”,qoftë “në aspektin e të vërtetës materiale historike,meqë Kosova “me gjithë pohimet  me karakter të tillë”,nuk është as “djep i popullit serb”dhe as “djep i shtetit serb”.

Besojmë dhe shpresojmë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dëshmi të mjaftueshme për karakterin etnik,historik,politik dhe ndërkombëtar të Kosovës,në mënyrë që të mbështes pozitën politiko-shtetërore të Kosovës.Më në fund,besojmë dhe shpresojmë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së angazhohet për të siguruar paqen stabile dhe bashkëpunimin midis popujve në Evropën Juglindore. Pavarësia  e Kosovës është “një urë” e ndërtimit të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.Këshilli i Sigurimit i OKB-së është i ndërgjegjshëm se Kosova dhe çështja e saj “prekin një fushë etnike shumë më të gjerë se sa vetë territori i Kosovës dhe popullsia e saj”.Madhësia e territorit,po sikurse dhe madhësia e popullatës së Kosovës janë vlera shumë të përfillshme në krahasim me shumë shtete.
Pasqyrimi i refleksioneve politologjike,të ngritura mbi faktet e njohura historike,mund të pasurohet edhe me gjurmimin e ri të fakteve.Ndërlidhja ngushtësisht e tyre e ndihmon faktimin e çështjes së Kosovës dhe profilizimin e statusit të ri politik të saj.