(Fjalë e mbajtur në Konferencën Shkencore”Shekulli i shtetit shqiptar”, organizuar nga Instituti Albanologjik, në Prishtinë, me 11 e 12 qershor 2012)
Në vend të hyrjes
Si rregull, në përvjetore flitet më shumë për dritat se për hijet. Të arriturat e shtetit shqiptar për 100 vjet nuk janë të pakonsiderueshme. Ato variojnë, por me rritje të rendimentit. Unë për ato nuk do të flas sot. Nuk do të bëj analiza që në tërësinë e vet dalin me rezultat pozitiv, duke u nisur n ga konsolidimi i shtetit deri te anëtarësimi i tij në NATO. Preokupimi im është çështja shqiptare dhe evoluimi i saj për këto 100 vjet.

 

 


Gjykuar sipas aspiratave të shqiptarëve të shprehura para 100 vjetësh- çështja shqiptare mbetet e pazgjidhur.
Gjykuar sipas pozitës së shqiptarëve në segmentet e veçuara të çështjes shqiptare- mbetet e parealizuar.
Gjykuar sipas aspiratave evropiane të shqiptarëve- mbetet e paqartë.
Gjykuar sipas të tria aspiratave njëkohësisht – shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në pritje të kohëve edhe më të mira për ta, pa ditur se çfarë do t’ju sjellë e ardhmja.    

Gati dhjetë vjet më parë, në 22 nëntor 2002, në Prishtinë, në Sesionin Shkencor “90 – vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”, të organizuar nga  Instituti i Historisë i Prishtinës dhe Instituti i Historisë i Tiranës, fjalën time e pata filluar me konstatimin se: edhe pse ky sesion shkencor, i rëndësishëm dhe festiv, i rëndësishëm nga përmbajtja dhe festiv nga koha e mbajtjes së tij, sipas titullit sugjeron që në te të bëhet fjalë për 90-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, konsideroj se gjendja në të cilën ndodhet sot çështja shqiptare, 90 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë, e arsyeton një qasje nga një kënd tjetër, më shumë politik se  historik; më shumë sintetizues se  analitik; më shumë meditues se  verbalizues dhe më shumë kritik se  oportunizues.
(Me çështje shqiptare kuptohet “çështja kombëtare e popullit shqiptar”, çështje kjo që është “shtruar prej  Kongresit të Berlinit, 1878, veçanërisht prej Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 1912-1913”. Më gjerësisht shih: Rexhep Qosja, Çështja shqiptare, Historia dhe politika, Instituti Albanologjik, Prishtinë,1994).
Për dhjetë vjetët e fundit gjendja në çështjen shqiptare, me përjashtim të statusit të ri të Kosovës, gjykuar nga pretendimet e shqiptarëve para 100 vjetësh, nuk ka ndryshuar rrënjësisht  sa që të mos deklarohem, sërish, për një qasje të tillë. Pasqyra e shqiptarëve sot është kjo:
Shqipëria, kombëtarisht e cunguar;
Kosova shtet, me sovranitet të kufizuar;
Shqiptarët në Maqedoni, nga një numër  lirish  dhe të drejtash  kolektive të privuar;
Shqiptarët në Kosovën Lindore, kombëtarisht të diskriminuar;
Shqiptarët në Mal të Zi, të pakonsoliduar;
Çamëria, pothuajse e harruar;
Shqiptarët në Turqi, gati të asimiluar;
Mërgata shqiptare, partiakisht e shpartalluar;
Diplomacia shqiptare, e paunifikuar.
Politika kombëtare, e paformësuar.
Edhe nëse do të dëshironin, shqiptarët një numri faktesh nuk do të mund t’i shmangeshin.
E para, edhe 100 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët jetojnë të ndarë në disa shtete.
E dyta, edhe 100 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarëve u mungon strategjia kombëtare që çështjen e vet  ta vështrojnë dhe ta shtrojnë si një çështje.
E treta, edhe 100 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e festojnë Shqipërinë e Vlorës, edhe pse ndeshen me realitetin e Shqipërisë së Londrës.
E katërta, edhe 100 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë, çështja shqiptare jo vetëm që nuk është zgjidhur si tërësi, por, me përjashtim të statusit ende të parrumbullakuar të Kosovës, as  në segmente të veçuara të saj. Kosova është “shkëputur” nga tërësia, por fatet e saj lidhen me fatet e tërësisë : tërësia varet prej saj.
E pesta, edhe 100 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë, hapësira ku jetojnë sot shqiptarët, ende nuk konsiderohet dhe nuk njihet  si një tërësi kombëtare, historike, gjeografike,gjuhësore, kulturore, ekonomike e politike.
Në 28 Nëntor 2012 dhe gjithë vitin shqiptarët do të kremtojnë shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Po të cilës Shqipëri? Në 28 Nëntor 1912 nuk u shpall pavarësia e Shqipërisë që jetojnë sot shqiptarët. U shpall pavarësia e Shqipërisë së sotme, me Kosoëvn dhe Kosovën Lindore, Pollogun dhe Malësinë e Sharrit, Ulqinin dhe Malësinë në veri dhe Çamërinë në jug. Konferenca e Londrës në 1913-tën vendosi ndryshe. Ajo për shtet shqiptar njohu Shqipërinë aktuale, “ndërsa shqiptarët  e tjerë dhe tokat e tjera shqiptare I përdori: ose për të formuar shtete artificiale, si Maqedonia dhe Mali i Zi, ose për të zgjeruar shtete të tjera, si Serbia dhe Greqia”.
Kosova është pushtuar gjatë luftërave ballkanike(1912-13), “në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve që kishin shprehur në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1878- 1912”. Shqiptarët ishin kundër “përfshirjes në shtetin serb”, përkatësisht atë jugosllav.
(Në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, çështja e Kosovës si “çështje e veçantë” nuk  ekzistonte, sepse në atë kohë, në fakt, ekzistonte vetëm “çështja shqiptare” dhe atë si “çështje e përbashkët e të gjitha trojeve shqiptare”.Çështja e Kosovës u krijua me “copëtimin  e trungut etnik shqiptar dhe të trojeve të tjera të shumicës etnike të tij në Ballkan.(Më gjerësisht: Gazmend Zajmi, Vepra 1, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 1997).
Për një shekull  shqiptarët festojnë 28 Nëntorin e Vlorës dhe jo datën e shtetit shqiptar të Konferencës së Londrës. Pra, festojnë një ëndërr, e jo një realitet. Kur nuk kanë atë që pëlqejnë, shqiptarët pëlqejnë atë që kanë dhe ky realitet sikur “zëvëndëson” ëndrrën e tyre.  
Me gjithë këshillat për shqiptarët që të mos “i kthehen historisë”, por të shikojnë “me sy përpara”, kthimi historisë është i themeltë, për shkak se shqiptarët patën një të kaluar të bujshme dhe historia e tyre nuk qe tjetër veçse histori e ndrydhjes së qenies së tyre kombëtare. Evropa e cënoi rëndë tërësinë territoriale të shqiptarëve. Tokat e tyre u pushtuan nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, pa mbështetje historike për të “përligjur lakmitë e veta ndaj trojeve shqiptare”. Ishte kjo një padrejtësi e madhe që u ndodhi shqiptarëve. Copëtimi i trojeve shqiptare dhe aneksimi i më tepër se gjysmës së tyre   u bë nga monarkitë fqinje. Pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1913), qeveritë e Beogradit, Cetinës e Athinës, “filluan dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe i dërguan të mërgonin në Turqi, sa më larg prej kufijve të tyre”. Edhe pas vitit 1918, Jugosllavia vazhdoi për dekada të tëra fushatën e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ndërsa, edhe pse shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, iu premtua prej aleatëve të mëdhenj respektimi i parimit të vetëvendosjes, ngjarjet ndodhën ndryshe.
Shqiptarët asnjëherë nuk vendosen për fatin e tyre si popull dhe si komb. Kombi është një bashkësi njerëzish që bëjnë shumë gjëra të mëdha së bashku. Shqiptarët, përveç se arritën ta shpëtojnë palcën kurrizore të kombit, nuk arritën të bëjnë gjëra të mëdha në të kaluarën.
Problemi qendror me shqiptarët sot është se çështja e tyre nuk vështrohet  dhe nuk njihet si çështje e një populli të ndarë padrejtësisht. Prandaj, bota vazhdon të merret me shqiptarët sikur të ishin gjashtë popuj dhe sikur të kishin gjashtë çështje. Për më shumë, në zhvillimet e dekadës së fundit të shekullit të kaluar në Evropën Juglindore, shqiptarët u konsideruan, jo vetëm  si “pjesë e krizës së përgjithshme”, por edhe si “shkaktarë të jostabilitetit dhe kërcënim potencial të paqes dhe zhvillimit në Ballkan”. Në qarqet politike dhe në qendrat e vendimmarrjes  nuk  vritej sa duhet mendja për shkaqet, sa për pasojat e asaj gjendjeje, fakt ky që atëbotë  mund të stimulonte zgjidhjen e përhershme të çështjes shqiptare në vend se marrjen me pjesët fragmentare të saj, duke e lënë, në këtë mënyrë, zvarrë problemin etnik të shqiptarëve.  
Në të vërtetë, shpërbërja e ish- Jugosllavisë nxori në pah çështjet e pazgjidhura kombëtare në këtë pjesë të Evropës, e veçanërisht nxori në pah çështjen e pazgjidhur shqiptare.
Me çështjen e Kosovës, Evropa bëri përpjekje për të “korrigjuar padrejtësitë” e saj ndaj shqiptarëve, pa vra mendjen se, e para, vendosi  një “drejtësi të vonuar”, sepse Kosovës e drejta për vetëvendosje duhej t’i njihej, së paku, në kohën kur kjo ndodhi  me ish-republikat e ish- Jugosllavisë, dhe, e dyta, se vendosi  një “drejëtsi të cunguar”, sepse me Kosovën nuk u rrumbullakua  tërësia e çështjes shqiptare. Me pavarësinë e Kosovës, çështja shqiptare, gjykuar sipas aspiratave të shqiptarëve të shprehura 100 vjet më parë,  nuk mori  fizionominë e plotë  zgjidhja e saj.   Pozita e shqiptarëve në Maqedoni, në Kosoëvn Lindore, në Mal të Zi dhe problemi çam, mbeten çështje të hapura. Ky shkrim sintetizues pretendon të bëjë një pasqyrë të përgjithshme të çështjes shqiptare, qoftë në segmentet e veçuara të saj, qoftë në tërësinë e saj.
Nuk ka dyshim se bërja e shtetit të Kosovës paraqet projektin më  serioz  të shqiptarëve prej kohës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Mirëpo, ai projekt  ende nuk ka  përfunduar plotësisht, sepse Kosova po përballet me kufizimin e sovranitetit në një pjesë të territorit të saj. Kosova ende nuk ka marrë fizionominë e një “çështjeje të zgjidhur”.
Shqiptarët në Maqedoni ende përballen me një gjendje që nuk përmbush kërkesat e tyre në një shtet që u pavarësua pa u sqarua pozicioni i  shqiptarëve  në të dhe pjesëmarrja e tij në rregullimin kushtetues të këtij vendi, pra pa u përkufizuar premisat dhe raportet brendapërbrenda formacionit të ri shoqëror.  Për pasojë, regjimi sllavo-maqedonas nuk vendosi  një qëndrim të drejtë ndaj shqiptarëve etnikë, nëpërmjet  një mekanizëm konsensual që do të mund të ndalonte  majorizimin e shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre. Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1991 u bë “gjeneratori themelor i krizës në raportet shqiptaro- sllavo-maqedonase”, për shkak të pozitës denigruese kushtetuese – juridike të shqiptarëve, ndërkohë që u angazhua për një “marrëveshje historike” me shqiptarët(Marrëveshja e Ohrit) që nuk doli të jetë e tillë,  veçanërisht  jo me zbatimin e saj. Ajo  nuk arsyetoi kualifikimin që iu dha.
Shqiptarët që jetojnë në Serbinë Jugore që, në fakt, përbën Kosovën Lindore, sistematikisht janë të rrethuar me represionin e dhunën e pushtetit serb. Ajo qe më brutale veçanërisht pas artikulimit të kërkesave të shqiptarëve në  komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për autonomi politiko-territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën(referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992).
Me gjithë ca nismave që janë ndërmarrë për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi,ata vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë dhe të jenë të privuar nga një numër lirish dhe të drejtash kolektive kombëtare të tyre. E kaluara e tyre ishte e hidhur, po sikurse mbetet e paqartësuar pozita e tashme kushtetuese-juridike e tyre.
Kapitull më vete paraqet çështja çame, e cila përmendet ndonjëherë “sa ndërgjegje për të larë”. Ka mbetur i pazgjidhur problemi i pronave të shqiptarëve në Çamëri, po sikurse që ka mbetur i pazgjidhur problemi  i njohjes, në shkallë të kënaqshme, i lirive dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve që jetojnë aty. Qeveria e Shqipërisë vazhdon ta neglizhojë çështjen çame.
Vetë Shqipëria po kalon nëpër një periudhë në të cilën konsolidimi i rendit demokratik dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës paraqesin detyrë mbi detyrat. Shqipëria duhet të kalojë përfundimisht nga “demokracia e qeverisur” në “demokracinë qeverisëse”. Shqipëria ka edhe një detyrë shtesë. Prej sa kërkohen “pozicionime më të zhdërvjellta, duke e qëruar strumbullarin e politikës shqiptare  nga nyjat e lëkurat e panevojshme që janë ruajtur për shumë kohë”.    
E  drejta e  shqiptarëve për vetëvendosje  është e ligjshme, juridikisht dhe politikisht. Prandaj, ishin të papranueshme standardet e dyfishta të bashkësisë ndërkombëtare që, në njërën anë, pranonin ndryshimin e kufijve me dhunë e gjenocid në mjediset heterogjene etnike, e mohonin vetëvendosjen e shqiptarëve në hapësirën e tyre homogjene etnike, në anën tjetër.
Shqiptarët kanë dëshmuar se nuk kanë pretendime përtej hapësirës së tyre etnike,. Ata asnjëherë nuk ishin pushtues. 
Popujt fqinjë kanë zhvilluar propagandë shumëvjeçare kundërshqiptare e cila, kryesisht është mbështetur në mite, legjenda dhe gënjeshtra, ndërsa shqiptarët nuk kanë arritur që t’u përgjigjen, së paku jo në udhë institucionale, dhe kanë mbetur borxh, pa i dalur zot vetes së tyre dhe çështjes së tyre.
Po të thuhej fjalia e fundit – e para, në të ardhmen, më të afërt ose më të largët, shqiptarët “do ta dominojnë Ballkanin”, së paku në shifra. Mirëpo, atë që ende nuk e kanë bërë shqiptarët është se nuk kanë arritur që t’i heqin përfundimisht  dilemat rreth udhës dhe mënyrës së atij dominimi numerik të tyre në Ballkan. 
Duke u interesuar me të drejtë dhe duke u marrë me arsye, me çështjen e Kosovës, pa dyshim përbërësin më të rëndësishëm të çështjes shqiptare, shqiptarët nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, sikur e “lanë në harresë” tërësinë e çështjes. Ajo pothuajse nuk u përmend fare ose edhe atëherë kur u përmend, qasja qe fragmentare dhe e sipërfaqshme.
Rrënimi i dhunshëm i subjektivitetit politik kushtetues të Kosovës që kishte ndodhur në mbarim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, “ndërgjegjësoi faktorin shqiptar dhe rriti vetëdijen ndërkombëtare mbi mëvetësinë e Kosovës” dhe përmasat esenciale të çështjes së Kosovës në Ballkan, sikurse dhe, si shprehet Gazmend Zajmi ”moderueshmërinë e opsionit të pavarësisë së Kosovës kundrejt opsionit të bashkimit territorial të Shqipërisë, Kosovës, dhe trojeve të tjera të shumicës etnike shqiptare në kontinuitet hapësinor të përgjithshëm të shumicës etniko- territoriale shqiptare në Ballkan”. Pavarësia e Kosovës u ofrua si një “opsion realisht I balancuar përbrenda horizontit të kohës në Ballkan”, opsion ky që gjeti mbështetjen te një pjesë e konsiderueshme e bashkësisë ndërkombëtare dhe qendrave vendimmarrëse të saj, kështu që në koordinim me ato qendra, u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës, në 17 shkurt 2008.
Mirëpo, dihet se statusi politik- kushtetues i Kosovës nuk përbën as tërësinë e statusit politik – kushtetues të shqiptarëve që kanë jetuar në hapësirën e ish- Jugosllavisë dhe as statusin politik-kushtetues të popullit shqiptar në tërësi, sado që statusi i Kosdovës përbën thelbin e tij.     
Sot, 100 vjet prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kanë ndryshuar rrethanat dhe me to po ndryshojnë edhe aspiratat e shqiptarëve. Shteti kombëtar që u shpall para 100 vjetësh, nuk arriti që “të përfshijë në të shumicën e shqiptarëve që jetojnë në Ballkan”. Gati gjysma e popullit shqiptar “mbeti jashtë procesit të shtetndërtimit të Shqipërisë” dhe asaj iu imponua që “të përfshihet në procese të tjera të shtetndërtimit në disa vende”. Shqiptarët u detyruan, në 100 vjetët e fundit, qoftë si subjekt, qoftë si objekt, të marrin pjesë në pesë procese të shtetndërtimit. Disa prej atyre proceseve ende nuk kanë përfunduar, përfshirë aty edhe Kosovën që ende nuk e ka rrumbullakuar statusin  në veriun e saj. Shqiptarët prej objektivit që të kenë një shtet shqiptar, tash përballen me objektivin e të bërit pjesë e “Evropës së bashkuar”. Mirëpo, ajo rrugë nuk është “krejtësisht e qartë”, veçanërisht për Kosovën që “mbetet peng i Serbisë sa i përket aspiratave të veta evropiane…”(Shih:Veton Surroi, Rruga përpara, “Koha Ditore”, Prishtinë, 9 qershor 2012).
“Njëqind vjet pas, edhe përkundër të gjitha paqartësive, përcaktimi historik i Vlorës mbetet pothuajse i njëjtë, qoftë edhe i riformuluar në nevojën e projektimit të hapësirës evropiane ku jetojnë shqiptarët autoktonë”.(V.Surroi, po aty).
Perspektiva evropiane e shqiptarëve nuk duket ende në horizont. Shqipëria, me “ngërçin e brendshëm politik” ende është larg dyerve të Evropës. Natyrisht se Kosova është edhe  më larg, për shkak të qëndrimit ende neutral të Bashkimit Evropian karshi statusit të saj. Bashkimi Evropian ende nuk ka “një qëndrim të unifikuar rreth pavarësisë së Kosovës”.
Prandaj, gjykuar edhe nga ky kënd, pjesa më e madhe e hapësirës shqiptare, përfshirë aty edhe atë në Maqedoni, janë, të thuash, “në agjendën e Evropës”, por mund të qëndrojnë gjatë në “sallat e pritjes”, fakt ky që e bën të pashmangshme pyetjen se si  mund të ecin “të bashkuar” shqiptarët e ndarë, duke “rikthyer” diskutimin, në çfarëdo përmasash që është ai sot,  edhe për  aspiratën historike  të tyre.   
Ekziston një rrugë  në të cilën duhet të ecin shqiptarët, pavarësisht se çka mund të sjellë e ardhmja e tyre.
E para, të kuptuarit e çështjes shqiptare si një çështje duhet të shndërrohet dhe afirmohet si kryefjalë e mendimit politik shqiptar. 
E dyta, veprimi  që do të duhej të bënin sot shqiptarët është që të ndryshojnë raportet nëpër  të cilat kanë kaluar deri më tash si popull dhe si komb, në mënyrë që të mos pësojnë që, duke u rritur si popull, të tkurren si komb. Kjo do të mund të ishte tragjedia më e madhe e tyre.
E treta, veprimi i rëndësishëm që do të duhej të bënin shqiptarët sot është që të vepronin të bashkuar, si një popull, si një komb politik. Për këtë u duhet një strategji kombëtare dhe një strumbullar rreth të cilit do të silleshin dhe këtë nuk mund t’ua ndalojë askush.
E katërta, veprimi tjetër që do të duhej të bënin shqiptarët sot është që të kuptojnë ndërvarësinë dhe ndërkushtëzimin e segmenteve të ndara të çështjes shqiptare që, thënë ndryshe, të vetëndërgjegjësohen se pa qenë mirë në Shqipëri, nuk mund të jetë mirë në Kosovë, se pa qenë mirë në Kosovë, nuk mund të jetë mirë as me shqiptarët në Maqedoni, Kosoëvn Lindore dhe Mal të Zi.
E pesta, veprimi i mëtejshëm i rëndësishëm që do të duhej të bënin shqiptarët sot është që të pushojnë ta fajësojnë historinë dhe të kaluarën për padrejtësitë që u janë bërë, por t’i kthehen vetvetes, angazhimit dhe mobilizimit të tyre kombëtarë si farkues të fatit të vet në të ardhmen.
E gjashta, një veprim tjetër me interes që do të duhej të bënin shqiptarët sot është që, edhe pse të ndarë, të mësojnë  të ecin bashkë, duke ndërtuar qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta, duke marrë vendime të mëdha për çështje të mëdha për popullin dhe për kombin dhe duke mos e gjymtuar, por duke u përkujdesur për ruajtjen dhe mbrojtjen e  tërësisë së çështjes. Shqiptarët sikur ende nuk e ndiejnë nevojën e funksionmit si tërësi kombëtare, me gjithë kufizimet që burojnë nga ndarjet faktike të tyre në disa shtete.
E shtata, veprim me  rëndësi i  shqiptarëve do të mund të ishte mbledhja e mendjes dhe e trurit në projekte gjithëkombëtare, duke mbajtur gjallë ndjenjen e të qenit të bashkuar, e jo prangosjen në ndarje krahinash, konfesionesh apo politikash që kanë prodhuar plasaritje e ngërçe midis tyre që i kanë kushtuar shumë popullit dhe kombit në të kaluarën. 
E teta, me qenë se çështja shqiptare u takon të gjithë shqiptarëve, për të do të duhej të interesoheshin, të angazhoheshin dhe të mobilizoheshin  të gjithë shqiptarët, pa dallim krahine, konfesioni  apo politike. Vërtet, shqiptarët ndiejnë nevojën më shumë për shumëzim se  për pjesëtim.
E nënta, veprim i rëndësishëm pritet prej diplomacisë shqiptare. Ajo do të duhej të qëndronte si kujdestare për fatet e shqiptarëve kudo që jetojnë. Ajo nuk do të mund të amnistohej nga përgjegjësia nëse do të heshte në kohën kur do të duhej të fliste.
E dhjeta, forcat politike shqiptare në hapësirat ku jetojnë shqiptarët do të duhej që interesat  e ngushta politike dhe partiake t’I zëvëndësojnë me interesa kombëtare dhe ato t’i vënë përpara të gjitha interesave të tjera.
Me çka do të mund të shoqëroheshin këto veprime?
Shqiptarët duhet ta rishkruajnë historinë e tyre, sepse ajo, në ta kaluarën, qe shkrirë në historinë e shteteve që sundonin në trojet e tij.     
Shqiptarët nuk mund të mendojnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen pa punuar në të tashmen. Ata duhet të aftësohen që t’i flasin edhe të nesërmes, edhe të pasnesërmes. Ndryshimi në mes të asaj që bëjnë dhe asaj që janë në gjendje të bëjnë është ende shumë i madh. 
E ardhmja e shqiptarëve nuk do të varet nga fjalime të mëdha, të zjarrta e patriotike, por nga zotime dhe angazhime e këmbëngulësi për përmbushjen e tyre.
Shqiptarët nuk duhet  të shtiren sikurse asgjë nuk po ndodh me ta dhe për rreth tyre. Ata kanë marrë shumë përgjigje me heshtjen e tyre. Atyre u duhen komunikimet brendakombëtare. Ato, më në fund, ua kërkon gjaku, gjuha dhe gjeografia që përbëjnë boshtin e identitetit të tyre kombëtar.
Vështirësitë në raportet e deridjeshme të ndërtvetshme të shqiptarëve do të mund të përballoheshin nëpërmjet të ndërtimit të modeleve të reja të bashkëpunimit dhe të veprimeve të përbashkëta në rrafshin kombëtar.
Veprimet e shqiptarëve duhet të jenë në përputhje me botën dhe kohën në të cilën jetojnë.
Këto janë disa nga arsyet që i shtyejnë shqiptarët që të kërkojnë një Shqipëri më të ndërtuar demokratikisht, më të ngritur politkisht dhe më të pranueshme kombëtarisht. Se sa janë të rëndësishme ndryshimet në Shqipëri nuk flet vetëm fokusimi  mbi Shqipërinë i vetë shqiptarëve, por edhe i ndërkombëtarëve. Fokusimi mbi Shqipërinë i të dytëve është për shkak të shumë dukurive negative që kanë shtrirje gjithnjë e më të gjërë në Shqipëri. Evropa vazhdon “t’I bëjë një trajtim të keq Shqipërisë”. Kur Evropa njëherë “të trajton keq”, kërcënon me rrezikun që në atë mënyrë, “të trajtojë përherë”.   
Një Shqipëri e fuqishme do të ishte një garanci e fuqishme edhe për shqiptarët jashtë kufijve të tashëm administrativë të saj. Ajo do të mund dhe do të duhej të siguronte një përkujdesje më të madhe për fatet e tyre.
Në vend të përfundimit 
100 vjet pre j pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët kanë shtetin që përfshin më pak se gjysmën e popullit shqiptar në Ballkan. Prandaj, politika shqiptare dhe diplomacia kombëtare do të duhej që,  së paku, të kërkonin dhe të gjenin rrugët që shpiejnë në kuptimin e drejtë të problemit shqiptar, duke dokumentuar pa mëdyshje se hapësira etnike shqiptare është një tërësi kombëtare, historike, gjeografike, gjuhësore, kulturore, ekonomike e politike, një trung kombëtar që është prerë padrejtësisht.    
Edhe pse të ndjekur e të përndjekur, të dënuar dhe të vrarë, shqiptarët i rezistuan kohës dhe ruajtën qenien e tyre si komb.
Të ndarë dhe “të bërë pikë e pesë”, shqiptarët një gjë duhet ta kenë parasysh: ata do të mund të mposhten, nëse do t’u mungojë “qëndresa e përbashkët” si komb.
Konica shkruante me dhimbje se “tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos vlerësuar domosdonë në kohët moderne të heroizmit të bashkuar si një popull i vetëm”. Nuk më duket se mund të ketë një  porosi më të mirë për shqiptarët në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. 
Megjithate, për fund, po  përmend një aforizëm që, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, i referohet temës bosht.
Të veprosh i pabashkuar, nuk është produktive; të bashkohesh pa vepruar, është e padobishme.