-Rruga në të cilën do të duhej të ecnin shqiptarët-
(Nga fjala e mbajtur në Konferencën Shkencore  “Shqiptarët në shekullin XX”,të organizuar nga, Universiteti i Lirë Ndërkombëtar i Brukselit, më 14 qershor 2012).

Edhe pse kjo konferencë mbahet në kuadër të manifestimeve në kuadër të 100 – vjetorit të  pavarësisë së Shqipërisë, ne sot nuk festojmë, sepse organizatori ka përzgjedhur një temë të dhimbshme për diskutim: tendencën e krimit gjenocidal ndaj shqiptarëve për një shekull.Prandaj, ne sot kujtojmë. Të kujtosh do të thotë “të risjellësh në jetë” ata që janë flijuar për liri e vatan. Natyrisht se nuk do të ndalem vetëm në shekullin XX. Në pjesën e fundit të fjalës sime do t’i bëj një vështrim edhe rrjedhave aktuale. Kush nuk jeton me kohën, nuk është dhe nuk bëhet pjesë e saj.

 

 

Shekulli XX nuk ishte tjetër veçse shekull i ndrydhjes së qenies kombëtare shqiptare. Edhe pse fjala ime përqendrohet në ciklin e fundit të dramës shqiptare, gjenocidin e pushtetit serb në Kosovë në vitet 1998-1999, dy-tri fjalë për lashtësinë e  tendencës së krimit gjenocidal të pushtetit serb ndaj shqiptarëve.
“Fillesa e kësaj tendence dhe burimi frymëzues për krim gjenocidal të pushtetit serb ndaj shqiptarëve” ndeshen që nga gjysma e parë e vitit 1880. Në vitet 1998 dhe 1999 vetëm sa “do të dalë haptazi në shesh krimi gjenocidal i pushtetit serb ndaj shqiptarëve”, për të vërtetuar, qoftë lashtësinë, qoftë dhe vrazhdësinë e tij.
“Dëbimi i rreth gjysmës së shqiptarëve etnikë të Kosovës nga trevat e tyre, kallja dhe asgjësimi i shtëpive, i banesave, i lokaleve afariste, i vendbanimeve e fshatrave të tëra të shqiptarëve të Kosovës, rrënimi e djegia e qyteteve të tyre, vrasja e organizuar dhe sistematike e shqiptarëve të të gjitha moshave e gjinive, duke zbatuar të njëjtat forma dhe të njëjtat mjete të vrasjes dhe të masakrimit më 1998/99, si shprehet akademik Pajazit Nushi, njësoj sikurse edhe më 1878-79, 1913, 1918, 1937, 1945 etj., “tregojnë praninë e qëndrueshme të tendencës së zhdukjes dhe të asgjësimit të shqiptarëve në Kosovë e më gjerë. Aktiviteti i krimit asgjësues mbështetet në dokumente zyrtare e shtetërore dhe në studime të mendimtarëve e të shkencëtarëve serbë, sikurse edhe në disa vepra të institucioneve arsimore, kulturore e shkencore të Serbisë”.
Naçertania e vitit 1844, në të cilën u projektua koncepti hegjemonist serbomadh dhe më të cilin u dëbua popullata shqiptare shumicë nga viset e Toplicës, Jashanicës, Kurshumlisë, Prokuplës, Leskovcit e Vranjës dhe u bë spastrimi etnik i popullatës shqiptare në rreth 700 fshatra shqiptare; Elaborati i Vasa Cubrilloviqit i vitit 1939 “Shpërndarja e shqiptarëve”me të cilin u kërkua “lirimi nga të gjithë arnautët; Elaborati i Ivo Andriqit i vitit 1939, një program serb për shfarosjen e shqiptarëve; Elaborati i dytë i Vasa Cubriloviqit i vitit 1944, me synim sfarosjen definitive të korpusit shqiptar dhe Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë i vitit 1986, flasin në mënyrën më të qartë për synimet e pushtetit serb për spastrimin etnik të popullatës shqiptare  dhe katrakterin gjenocidal të atyre synimeve.
Politika e shfarosjes së shqiptarëve u zhvillua në mënyrë sistematike, të planifikuar dhe të vazhdueshme. Ajo, madje, në vitin 1990, u institucionalizua në kuadër të të ashtuquajturit “Program jugosllav …”(“Fletorja Zyrtare e RSFJ-së”, 8- 1990) i cili, në fakt, qe një nga shumë programet politike serbe që dëshmojnë për vazhdimësinë e akteve gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve etnikë.
Nga programi buronin këto orientime themelore të tij:
Një, “favorizimi i serbëve dhe malazezve në Kosovë në të gjitha sferat e jetës, natyrisht në dëm të shqiptarëve etnikë”.
Dy, “ndryshimi i strukturës etnike të Kosovës”, ku 90 e më shumë përqind e përbëjnë shqiptarët.
Tre, “rikolonizimi i Kosovës”.
Katër, “kufizimi i natalitetit të shqiptarëve” etj. 
Burimi i krimit gjenocidal ndaj një populli duhet, në parim, të kërkohet kur nacionalizmi dhe shovinizmi “bëhen ideologji mbisunduese e politikës së pushtetit të një vendi dhe, nën ndikimin që ushtron politika e mbështetur në ideologjinë e këtillë, kërkohet zgjerimi territorial i një shteti, ku popullata autoktone e vendit dëbohet, deportohet, asimilohet, vritet ose asgjësohet duke aplikuar forma dhe mjete të organizuara dhe sistematike”.
Gjenocidi i pushtetit serb ndaj shqiptarëve duhet vështruar në tri faza kryesore.
E para, synimet e pushtetit serb dhe nxitja e gjenocidit  ndaj shqiptarëve që nga 1878- ta.
E dyta, periudha e zhbërjes së autonomisë së Kosovës  që përkon me kohën e nxjerrjes dhe zbatimit të ligjeve diskriminuese serbe ndaj shqiptarëve nga 1989-ta.
E treta, faza e  zhvendosjes me dhunë e terror të 840.000 shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999, me ç’rast u vranë, u masakruan dhe u zhdukën 11. 344 shqiptarë, të të gjitha moshave dhe gjinive; u moren peng rreth 7.000 qytetarë moshash dhe gjinish të ndryshme dhe  nuk dihej fati i rreth 5.000 prej tyre; u dogjën rreth 200.000 shtëpi, banesa e lokale të punës të shqiptarëve.   
Kosova nuk  e deshi luftën. Kosovës  iu imponua lufta. Kjo është kompoentja e parë dhe më kryesore kur bëhet fjalë për luftën në Kosovë.
Pas ndryshimit të pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë në vitin 1989 dhe pas miratimti të Kushtetutës së re të saj në vitin 1990, jetën politike në Kosovë e karakterizoi radikalizimi i dhunës serbe në të gjitha sferat e jetës. Në saj të veprimit kundërkushtetues,dhe duke përdorur metodat e okupimit policor, pushteti serb shkatërroi ekonominë e Kosovës, shëndetësinë, arsimin në të gjitha nivelet, institucionet kulturore dhe informative, si dhë bëri largimin masiv nga puna  të punëtorëve shqiptarë të punësuar në këto institucione.
Ndërkohë, në truallin e ish-Jugosllavisë, si pasojë e dështimit të bisedave politike rreth ripërkufizimit të Federatës, filloi procesi i dezintegrimit të saj, që u realizua pa përfshirjen e Kosovës në të. Njësitë e tjera  federale të ish- Jugosllavisë,shpallen  pavarësinë.
Gjendja në Kosovë sa vjen e përkeqësohet. Populli i Kosovës, sado në gjendje shumë të rëndë nën pushtimin serb, vazhdonte të rezistonte në mënyrë paqësore, duke qene edhe vete i ndërgjegjshëm se po e vononte kohën e zgjidhjes së statusit të vet të nëpërkëmbur.
Bashkësia ndërkombëtare “e njohu dhe e vlerësoi lartë rezistencën paqësore të popullit të Kosovës”.
Megjithatë, rezistenca paqësore u stërgjat dhe nuk dha rezultate të kënaqshme, edhe pse ndihmoi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe e futi atë në agjendat e qendrave të vendimmarrjes. Por ato nuk bënin më shumë se shprehjen e shqetësimit për pozitën e vështirë dhe të rëndë të shqiptarëve. Ky neglizhim i bashkësisë ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës, në mënyrë indirekte, inkurajonte dhe trimëronte Serbinë për të shtuar represionin në Kosovë  Në këtë mënyrë, hapej terren për regjimin serb për spastrimin etnik dhe  gjendocidin ndaj shqiptarëve etnikë që nuk vonoi shumë.
Likuidimi i familjeve shqiptare u intensifikua prej fundit të shkurtit 1998 deri në qershor 1999. Familja Jashari nga Prekazi u masakrua më 5, 6 e 7 mars 1998, por varrimi i anëtarëve të saj mezi u lejua më 10 mars 1998.
Masakrat e familjeve shqiptare, të likuidura me pasardhës dhe pasuri të asgjësuar, ”paraqesin njërën nga format më të rënda të krimit, me përmasa të dallueshme të gjenocidit: zhbërjen e institucionit më të rëndësishëm të shqiptarëve”.
Ndër format e tjera të viktimizimit  të shqiptarëve po përmendim edhe  torturat e femrave të dhunuara seksualisht; sjelljet kriminale ndaj kufomave të të vrarëve e të të masakruerve; praktika e tokës së djegur; minimi i fushave etj.    
Agresioni i pushtetit serb në Drenicë në shkurt të vitit 1998 shënoi fillimin e luftës në Kosovë. Serbia “arsyetoi agresionin e vet” me pretekstin se shqiptarët po organizohen në “banda terroriste”. Ajo përherë kishte edhe një “arsyetim shtesë”: se shqiptarët “nuk e njohin shtetin serb”.
Dalja në skenë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës shënoi një hap shumë të rëndësishëm në sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe ndërkombëtarizimin e mëtëjshëm të saj.
Lufta e saj  qe një luftë e drejtë, sepse ajo doli në mbrojtje të vatanit të vet që ishte atakuar “nga agresioni i shfrenuar dhe më çnjerëzor serb”. Ndonëse në fillim me një numër më të kufizuar, ajo u rrit me rritjen e ofensivave ushtarake serbe, duke “e ngritur moralin ushtarak” prej ditës në ditë. Që nga fillimi ajo e kishte të qartë se bëhej fjalë për një “okupator të egër”.
Ushtria Clirimtare e Kosovës mblodhi në rradhët e veta luftëtarët e lirisë, ata që u përbetuan se do të luftojnë për ta mbrojtur “pragun e shtëpisë”, por njëkohësisht për ta mbrojtur Kosovën dhe qenien e saj shqiptare përgjithësisht.
Ushtria Clirimtare e Kosovës u paraqit “me strategjinë dhe taktikën e vet ushtarake”, si një “faktor mbrojtës politik dhe juridik” i parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës që kishte dalë pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe që ishte miratuar më 7 Shtator të po atij viti.
Pati qarqe që në fillim u treguan të rezervuara ndaj daljes në skenë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës , ndërsa në Serbi ajo u kualifikua si një “organizatë terroriste”, pa vra mendjen se ishte, në të vërtetë, ushtria serbe  ajo që ushtronte dhunë dhe terror ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
Luftëtarëve të lirisë së Kosovës Serbia ua veshi shumë ofiçe, nga banditë e kriminelë, mafiozë e kontrabandistë, deri te terroristë. Përpiqej që me këtë të fshehte tendencën dhe synimin për dëbimin masiv të shqiptarëve nga vatrat e veta, me qëllim pastrimin etnik të territoreve të saj.
Mirëpo, shumë shpejt “doli sheshazi” arsyeja përse Serbia po bën gjithë atë agresion në popullin e pafajshëm”. Ndodhi masakra në Reçak dhe ishte pikërisht ambasadori amerikan, Uiliam Uoker, ai që ia përhapi lajmin botës për synimet gjernocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve të pafajshëm.
Intervenimi  i  NATO-s, sado qoftë i vonuar, “do të tregojë hapur dhe qartë për masakrat dhe gjeenocidin e agresorit serb ndaj popullit të paarmatosur, të pambrojtur dhe të pafajshëm shqiptar”.
Shumë shpejt ”botës do t’i transmetohen lajme dhe foto me pamje që trishtojnë dhe që konfirmojnë tragjedinë e madhe të popullit  shqiptar” i cili “u kërcënua me zhdukje fizike kolektive”.
Populli i Kosovës u detyrua që të përfshihej në një luftë të pabarabartë me Serbinë e cila kishte zbarkuar në Kosovë pothuajse tërë armatimin me të cilin dispononte. Së këndejmi, lufta e shqiptarëve për liri dhe pavarësi nuk mund të quhej ndryshe përveç se një luftë e drejtë “në përputhje me kriteret ndërkombëtare”.
Lufta në Kosovë zgjati për dy vjet dhe u mbyll tek pasi ndodhi “intervenimi humanitar” i SHBA-ve, NATO-s dhe UE-së, të cilave populli i Kosovës u është shumë mirënjohës. Pa ndërhyrjen e tyre, Serbia do të vazhdonte operaciuonet e veta deri te zhdukja fizike e një popullli të tërë.
Natyrisht se superioriteti ushtarak i NATO-s ishte i jashtëzakonshëm. NATO-ja kishte aftësitë më të sofistikuara ushtarake në botë.
Qeveria e RFJ-së “gjatë konfliktit” e mbronte qëndrimin se po ndërmirrte veprime ushtarake kundër Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, dhe të gjitha fajet për shkelje të të drejtave të njeriut, dhe në veçanti ato për zhvendosjen e dhunshme të shqiptarëve të Kosovës, ia mvishte NATO-s dhe Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.
Por, në fakt, secila organizatë ndërkombëtare, qoftë qeveritare apo joqeveritare, e cila është marrë me studimin e situatës së krijuar atëbotë, konstatonte të kundërtën. Ishte një bindje e përgjithshme që forcat e RFJ-së e zbatonin një fushatë të parapërgatitur për t’i territorizuar dhe dëbuar  shqiptarët kosoovarë.
Kjo fushatë më së shpeshti është cilësuar si fushatë e “spastrimit etnik”, dhe e kishte për qëllim  që t’i dëbonte jashtë Kosovës, shumicën, nëse jo edhe të gjithë shqiptarët kosovarë, dhe që t’i shkatërronte themelet e shoqërisë së tyre si dhe ta pengonte kthimin e tyre.  
Me ne sot në këtë konferencë është një përfaqësues i familjes Jashari(Murat Jashari), ndoshta një arsye më shumë që të ndalem te masakra e Prekazit. Ushtria Clirimtare e Kosovës “doli në skenë” në kohën kur ende “shikoheshim para pasqyrës” se “çfarë të zgjidhnim ndërmjet robërimit të ri dhe mobilizimit kombëtar për liri”. Krijimi i UCK-së  shënoi perëndimin e kohës kur thuhej se: ”Serbia ka forcë, por nuk ka popull, për ta mbështetur që Kosova të mbetet në Serbi, ndërsa Kosova ka popull, por nuk ka forcë, për ta jetësuar pavarësinë e  saj”.
Dhe ishin pikërisht Jasharët, me Ademin në krye, të parët që kishin vendosur “t’ia kthejnë pushkën” policisë serbe. Si të mos ndodhte kështu, si thuhet te “Historia e një Qëndrese”, kur “ndjenja patriotike dhe ndjenja e sakrificës ishin kultivuar në mënyrë shembullore në Kullën e Jasharëve”. Aty këndohej: “Ma mirë n’dhe me u kja me mallë, se nën shkja me ndej për t’gjallë”.
“Liria ishte obsesion i Adem Jasharit, preokupim jetësor i tij” dhe jo vetëm i tij, por i gjithë familjes patriotike Jashari që vërtet“ i tha dhe i dha shumë Kosovës”. Ademi ishte “i pathyeshëm në bindjen e tij” se “vetëm lufta mund t’ia sjellë atë Kosovës”.
UCK-ja dhe Jasharët jetuan “në kohë shumë të liga për popullin shqiptar”, jo vetëm në Kosovë, prandaj dhe bën angazhim të jashtëzakonshëm, sepse rrethanat ishin të jashtëzakonshme, për t’i dalë zot kombit të vet, për t’ia mbrojtur identitetin dhe palcën kurrizore të tij, bën përpjekje të papara për t’a mbrojtur pragun e shtëpisë dhe vatanin.
Prandaj, nderi dhe respekti sot e përherë janë të rezervuar për ta dhe ne sot përkulemi para tyre.
Heroizmi dhe qëndresa e Adem Jasharit në Prekaz të Drenicës, që u vra “në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe të nderit të kombit”, u bë shembull i luftëtarit të lirisë, shembull që do të bartet brez pas brezi dhe do të mbetet jo vetëm “pjesë e historisë”, por do të bëhet vetë historia.Rifati dhe trashëgimtarët e tij dhe të dy vëllezërve të tjerë të tij po kujdesen që në Kullën e tyre të ruhet kujtesa dhe të mbahen në mend amanetet e të rënëve. Rifati perhere ka një këshillë dhe ajo sikur ma hap mundësinë që unë sot, me një fjali, të kthehem te fjalimi im i mbajtur, njembedhjetë vjet më parë, në vitin 2001, në akademinë përkujtimore të Adem Jasharit. 
Në fjalën time, në akademinë përkujtimore të Adem Jasharit, hedha shikimin në  portretin e tij, hijerëndë nën vetulla, i mbrolur në fytyrë,  më dukej sikur pyeste: ne fituam luftën, po ju kur do ta fitoni paqen? Në shikimin e tij sikur vëreja  shqetësimin  për gjendjen në të cilën ishim. Ndërkohë, ndodhen ndryshimet në statusin e Kosovës, por nuk ndryshoi shumë realiteti përreth nesh.
Nuk e çuam në shkallë më të lartë vetëdijën për të mosvepruar jo njeri kundër tjetrit, por për të vepruar njeri me tjetrin; për ta bërë dhe për ta rrumbullakuar Kosovën si shtet.
Nuk arritëm që, në veprimet tona, t’i bëjmë bashkë trimërinë dhe diturinë, guximin dhe mendjen, formësimin politik dhe shkathtësinë diplomatike.
Thonë se respekti i të vdekurve forcon miqësinë e të gjallëve. Të vdekurit jetojnë përderisa të ketë të gjallë që mendojnë për ta.
Thonë se secila familje ka “sekretet e veta”. Familja e Jasharëve  i bëri publike “sekretet e veta” para katermbëdhjetë vjetësh: u udhëhoq nga filozofia : kush dëshiron të bëjë diçka të madhe, duhet të heqë dorë nga diçka e madhe, ta sakrifikojë jetën, e ndërgjegjshme se kur të humbësh jetën për diçka të madhe, e fiton dhe e meriton përjetësinë. Prandaj, as sot dhe asnjëherë, në varrezat e Jasharëve nuk duhet vendosur “kurorat e vdekjes”; ata i meritojnë “kurorat e pavdekësisë”. Ato janë kurorat më të shtrenjta, sepse janë  më të rrallat, për shkak se në to thurren etja për lirinë dhe dashuria për pavarësinë; gatishmëria për flijimin dhe vetë flijimi. Lum ajo familje që trimërinë dhe sakrificën e saj  i ruan në përmendore, në muze, në libra shkollorë, në memoare, në histori.
Megjithë zhvillimet në katër-pesë vjetët e fundit, po jetojmë në kohën kur po  i bëhen kontestime atyre zhvillimeve. Ka përpjekje për dëmkosjen e luftës dhe të rolit të UCK-së.
Të shumtën e herëve, për ato kontestime dhe dëmkosje, kemi një përgjigje: “E drejta është në anën tonë”, pra vra mendjen se duhet ta shpërndash të vërtetën për të argumentuar se, vërtet, ai që kërkon drejtësi, nuk i shkakton askujt padrejtësi.
Kemi  lejuar që, edhe me ndonjë veprim tonin, ta zbehim imazhin tonë. Prandaj, tash në vend të ecjes normale, na mbetet “vrapimi me pengesa”.
Miku më i madh i së vërtetës është koha; armiku i saj më i madh është paragjykimi.
Mendoj se koha do t’i shuaj paragjykimet e shfaqura për UCK-në që në lindjen e saj. Nuk mund të ketë dy bindje për një të vërtetë.
Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet.
Duhet ta themi të vërtetën, në mënyrë që gënjeshtra të mos na rryej atë përbrenda.
Sipas Berholt Brehtit, gjatë kërkimit të së vërtetës, duhet të përballohen pesë vështirësi:
e para, duhet ta kesh guximin ta thuash të vërtetën;
e dyta, duhet ta kesh mençurinë për ta dalluar atë;
e treta, duhet ta kesh aftësinë për ta bërë të përdorshme;
e katërta, duhet ta kesh mendimin e qartë për ta zgjedhur, dhe
e pesta, duhet ta kesh dinakërinë për ta shpërndarë të vërtetën.
Dhe e vërteta duhet ta merr dhenë.
Nuk ka asnjë normë, asnjë parim dhe asnjë dokument të së drejtës ndërkombëtare që do të mund të kontestonte luftën e drejtë, luftën mbrojtëse, çlirimtare e kombëtare të UCK-së: përkujtoj fjalinë e njohur të Klintonit në vitin 1999: “Kriza e Kosovës ishte një gjenocid në zemër të Evropës”.
E vërteta thotë se nuk ishte Kosova, por ishte Serbia, ajo që e nxiti luftën e padrejtë dhe të pabarabartë; ishte Serbia që shkeli normat, parimet dhe dokumentet e të drejtës ndërkombëtare, madje qysh kur kishte aneksuar Kosovën për disa herë: 1912, 1918, 1945 dhe 1989.  
Nuk mund të ketë dy të vërteta për një realitet që, me vonesë,  u kuptua  nga bashkësia ndërkombëtare cila ndërhyri në anën e Kosovës dhe e ndihmoi Kosovën.
E vërteta thotë se nuk ishte Kosova, por ishte Serbia, ajo që shkeli një numër të madh parimesh të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të parandalimit të përdorimit të forcës; të barazisë dhe të vetëvendosjes së popujve dhe të përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare që kishte marrë në mirëbesim.
E vërteta thotë se ishin SHBA dhe NATO- ja që mbështeten UCK-në dhe luftën e drejtë të saj.
E vërteta thotë se në luftën e UCK-së u përmbushen katër elementet thelbësore të luftës antikoloniale: një, objektivi politik i luftës së armatosur; dy, zhvillimi i luftës së armatosur kundër pushtuesit kolonial; tre, ekzistimi i organizatës së caktuar që zhvillon veprime të armatosura dhe, katër, përmasat minimale të konfliktit.Kjo është gjuha e të drejtës ndërkombëtare.
Po e theksoj këtë fakt për shkak të keqinterpretimit juridik ndërkombëtar që iu bë ndonjëherë UCK-së, si për shembull në Rezolutën nr. 1160(1998) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
E vërteta thotë se agresioni serb në Kosovë nuk mund të justifikohet as me parimin e “sovranitetit kolonial” dhe as me parimin e “mosndërhyrjes ndërkombëtare”.
Luftën e NATO-s dhe të UCK-së e mohojnë dhe e vëjnë në pyetje pushtuesi serb dhe qarqet e caktuara në një numër vendesh që e mbështesin politikën serbe kundër pavarësisë së Kosovës.
Kosova sot përballet me shumë sfida për të ardhmen e saj. Rritja e numrit të njohjeve të shtetit përbën një objektiv. Vlen të theksohet se nuk u materializua një mendim këshilldhënës i GJND-së.Shtrirja e sovranitetit
përbën një objektiv tjetër të rëndësishëm.  Kujdesi për të pagjeturit etj.
Pamjen e Kosovës e “mjegulloi” Raporti i Dik Martit; e zbehen zgjedhjet; e luhaten kontestimet e institucioneve të dala nga ato zgjedhje. Shkalla e lartë e papunësisë, korrupsioni dhe dukuri të tjera, bashkë me bisedimet problematike me Serbinë, e bëjnë shumë sfiduese “perspektivën evropiane” të Kosovës.
Prandaj, për ta përmbyllur fjalën po i kthehem edhe një herë nevojës për ‘t’u bërë bashkë” në veprime të përbashkëta; për të kërkuar dhe për të gjetur
udhët për daljen nga një gjendje që mund të na sillet “në rreth”.
Vetëm tri ditë më parë në një konferencë shkencore në Prishtinë, të organizuar nga Instituti Albanologjik, iu referova 100- vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe çështjes së pazgjidhur shqiptare. Bëra përpjekje që t’i përgjigjem pyetjes: Si të ecim “bashkë” të ndarë?
Ekziston një rrugë në të cilën duhet të ecin shqiptarët, pavarësisht se çka mund të sjellë e ardhmja e tyre.(Për këtë shih fjalën e mbajtur në Institutin Albanologjik). 
Po përsëris një fjali timën nga konferenca e para tri ditëve në Prtishtinë. Po të thuhej fjalia e fundit- e para, në të ardhmen, më të afërt ose më të largët, shqiptarët “do ta dominojnë Ballkanin”, së paku në shifra. Mirëpo, atë që ende nuk e kanë bërë shqiptarët është se nuk kanë arritur që t’i heqin përfundimisht dilemat rreth udhës dhe mënyrës së atij dominimi numerik të tyre në Ballkan.
*Aranzhimi i atij dominimi do të kërkojë prej shqiptarëve vizion në  politikën kombëtare, për të kuptuar realitetin që i rrethon. Ajo që nuk duhet të lejojnë është që, duke u rritur si popull, të mos tkurren si komb. Disa vështrime dhe pikëreferime viteve të fundit dhe kohëve të fundit, në Tiranë dhe në Prishtinë, veçanërisht prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kërcënohen me “rrudhjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve”. Shqiptarët  janë një komb kudo që jetojnë, pavarësisht se të ndarë e të shpërndarë në disa shtete. Kosova është shkëputur nga tërësia e çështjes shqiptare, por fatet e saj lidhen me fatet e tërësisë: tërësia varet prej saj.
Pseudohistoria serbe ka manipuluar shumë me identitetin gjoja të ndryshëm kombëtar të  shqiptarëve “këndej dhe andej kufirit”.
Ruajtja e tërësisë së çështjes shqiptare, me gjithë përcaktimet  e tashme të pjesshme, mbetet “detyrë mbi detyrat”. E konsideroj se shqiptarët e kanë  për detyrim kombëtar jo vetëm vështrimin, por edhe shtruarjen e çështjes shqiptare, si një, të pandarë dhe të pashkoqur.
Këtë ua  kërkon gjaku, gjuha dhe gjeografia që janë, padyshim, përcaktuesit më  të rëndësishëm të identitetit të tyre kombëtar.        
Ardhmenia e  popullit dhe e kombit shqiptar do të mund të ndërtohej vetëm me një strategji mbarëkombëtare e cila, fatkeqësisht, u mungon. Një varg i tërë rrethanash, të brendshme dhe të jashtme, shtrojnë nevojën për një mobilizim të shtuar kombëtar brendashqiptar.
Po e mbyll fjalën time, sërish me një aforizëm: Të bashkuar, edhe të pamundshmen e bëjmë të mundshme; të ndarë, edhe të mundshmen e bëjmë të pamundshme!