(Shkëputur nga fjala e mbajtur në Konferencën “Pozita Kushtetuese dhe Ligjore Pakicave në Regjion dhe Roli i Saj në Perspektivën Evropiane- Aspekte Krahasuese”, Prishtinë, 11-12 Korrik 2012)
Problemin e kam vështruar, si në rrafshin teorik, ashtu dhe në atë praktik, si në aspektin aktual, ashtu dhe në atë historik, si në planin kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar. Natyrisht se vështrimi është më shumë kritik se oportunizues. Pozita dhe mbrojtja e pakicave përbën një prej çështjeve qendrore të zhvillimit politik të një vendi, po sikurse dhe të pozitës së tij në bashkësinë ndërkombëtare.

 

 

Përkundër përpjekjeve, ende është e pamundshme që të flitet për ndonjë tërësi rregullash, deri në fund të unifikueshme dhe të pranueshme për zgjidhjen e pozitës kushtetuese dhe ligjore të pakicave. Hapja e hapësirës për inicimin e zgjidhjeve të reja shoqërohet, njëkohësisht, më kërcënimin e rrezikut për destabilizime të reja në raportet shumicë – pakicë. Nuk ka dyshim se nga zgjidhja e marrëdhënieve midis shumicës dhe pakicës në masë të madhe varet siguria, si kombëtare, ashtu dhe ajo ndërkombëtare. Mbi pakicat etnike, mbi historinë e krijimit të tyre,mbi kushtet e jetës së tyre, veçanërisht mbi pozitën kushtetuese dhe juridike të tyre, ekziston një literaturë e hollësishme, një fakt që flet se ekzistojnë shumë shkaqe për një interesim të tillë. Problemi i pakicave shtrohet që me përpjekjet për definimin e tyre. Për definimin e pakicave duket se është thelbësore të arrihet te një përfundim se a ekziston një nocion i përgjthshëm i pakicës apo ekzistojnë lloje të ndryshme të pakicave. Në përdorim të përditshëm janë shprehjet, si pakicat “racore”; “etnike”; “kombëtare”; “gjuhësore” etj. Ka një përdorim të pakontrolluar të tyre, jo vetëm në të drejtën ndërkombëtare dhe nacionale, por dhe në shkencën që studion të drejtën, si dhe në fushat e tjera të shkencës që merren me pakicat. Si shprehje e përbashkët për pakicat që ekzistojnë për shkak të karakteristikave etnike, përdoret shprehja “pakica etnike”. Ekzistojnë disa probleme që duhet të vështrohen(shqyrtohen) dhe disa dilema që duhet të zgjidhen, në mënyrë që sa më saktësisht, të përkufizohen pakicat. Ekzistojnë masat subjektive dhe objektive në definimin e pakicave. Vështirësitë shfaqen veçanërisht me masat subjektive. Prandaj, thuhet se nuk ka një definicion të gjithëpranueshëm për pakicat. Megjithatë, në jetën praktike bëhet fjalë për modele të pranueshme të rregullimit të pozitës kushtetuese dhe juridike të pakicave. Nuk ka dyshim se në ato modele sot përfshihet edhe Kosova dhe Kushtetuta e saj. Ndoshta për faktin se në territorin e saj për një kohë të gjatë pakicat, qoftë dhe jo ligjërisht të quajtuara si të tilla, si është rasti me shqiptarët në Kosovë që nuk ishin dhe nuk mund të quheshin pakicë kombëtare, sot po në atë territor dhe me aktin themeltar kushtetues të saj shpërthehen edhe standardet e së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë për pakicat, veçanërisht për atë serbe, të drejta përtej standardeve, madje edhe duke krijuar asimetri me të drejtat e shumicës nëpërmjet të Planit të Ahtisarit që është bërë pjesë normative e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke ia marrë madje edhe primatin e të qenit akt suprem juridik. Edhe pse ndoshta, në dukje të parë, rrëshqet prej kompozicionit të temës bosht, megjithatë, nuk mundem pa përmend mospërfilljen dhe injorimin e standardeve më të larta, veçanërisht nga pakica serbe në Republikën e Kosovës e cila as nuk i njeh realitetet e reja të krijuara në Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së saj, as pas mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë se shpallja e pavarësisë së Kosovë nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe as pas njohjes së saj nga 90 vende të ndryshme të botës, ndër to dhe të fuqive më të mëdha ekonomike dhe politike të saj, ndërkohë që në vendet e rajonit, ku jetojnë shqiptarët, ka një denigrim të pozitës kushtetuese e juridike të tyre, kështu nuk mund të thuhet se gjendja është e kënaqshme as me shqiptarët në Maqedoni, as me shqiptarët në Kosoëvn Lindore dhe as me shqiptarët në Mal të Zi, për pozitën e të cilëve do të diskutohet në këtë konferencë dhe unë rezervoj të drejtën që në kumtesën e plotë për botim të shtrij vështrimin tim edhe në të. Jo rrallë herë pakicat në një hapësirë të caktuar gjinden “në shumicë” gjë që bëhet vështirësi shtesë për zgjidhjen e problemeve në raportet shumicë- pakicë. Politika e tolerancës shfaqet si alternativë e mirë e konflikteve nacionale. Alternativë janë edhe marrëveshjet bilaterale. Prej pakicave kërkohet që të jenë faktor i bashkëpunimit, e jo bartës i konfliktit. Shembulli me pjesën veriore të Kosovës, ku flitet një gjuhë tjetër, ku valon një flamur tjetër dhe ku jeta politike mbikëqyret nga një qeveri tjetër, është mjaft domethënës. Shumica në Kosovë ka përvetësuar një filozofi të re për pakicat dhe pozitën e tyre. Të gjitha standardet ndërkombëtare për pozitën e pakicave kombëtare në Kosovë janë kuptuar si “limit mbrojtës dhe afirmues njerëzor dhe kombëtar i pakicave kombëtare nën të cilin shtetet nuk do të duhej të binin në zgjidhjet e tyre të brendshme dhe jo si plafon maksimal i kufizimit të të drejtave të pakicave”. Standardet ndërkombëtare nuk janë kategori e ngurtë, por gjenden “në proceset e zhvillimit të tyre të mëtejmë në fushëne të drejtave njerëzore dhe kombëtare”. Në mes të shumicës dhe pakicës paraqiten përplasje interesash. Synimet janë, të shumtën, të kundërta. Përderisa shumica në shtetin e vet synon të krijojë “një popull”, pakica synon arritjen e autonomisë kulturore e territorial dhe kur për këtë krijohen kushtet, përpiqet të dalë nga ajo bashkësi. Duke i pasur parasysh pikërisht këto përplasje në mes të shumicës dhe pakicës, në pjesën e fundit të fjalës sime angazhohem për integrimin e pakicës në jetën politike të vendit dhe në institucionet e tij, duke u nisur nga gjykimi se mbrojtja e të drejtave të pakicave, veçanërisht të asaj serbe në Kosovë, duhet të bëhet në përputhje me respektimin e identitetit të tyre naciona dhe të drejtave të qytetarëve, e jo me ruajtjen e privilegjeve që kanë krijuar me dhunë dhe me shtypje. Cështja e Kosovës nuk mund të ëvshtrohet dher as të shtrohet si çështje e rajonalizimit të saj, me mbajtjen e lidhjeve me Beogradin për “të dëshmuar” se jeta institucionale në Kosovë nuk mund të ndërtohet “pa lejën e tij”. Më në fund, nuk mund të qëndrojë koncepti për territorializimin e çështjes serbe dhe në atë mënyrë, të vëhet në pyetje karakteri unik i Kosovës.