Pesëdhjetë e pesë  vjet më parë mësonim në të njëjtën klasë të Gjimnazit të Gjakovës. Ndanim të njëjtën bankë. Afinitetet tua për poezinë i shpalove heret. Atëherë shkruaje me pseudonimin Skender Gjakova që nuk arrite ta mbaje  për kohë të gjatë , sepse ata që lexonin poezinë tënde nuk të identifikonin si  një poet që po lind, por si një shkrimtar tashmë i lindur.

 

 

Ti ikshe nga mësimi, dilshe nga klasa kur të thrriste  inspirimi. Dhe kur ktheheshe sërish në klasë, m’i lëshoje në dorë dy a tre rreshta të shkarravitur , ndonjë herë një strofw  të tërë, në një copë të grisur  të letrës që gjeje jashtë klasës dhe më pyetje  për përshtypjet që kam. Të shumtën e herëve, isha lexuesi i parë i vargjeve tw tua, kwshtu  që më nxite dashurinë për poezinë. Ishe ti Ali që më propozove që për punim mature të shkruaj për poezinë e Esad Mekulit dhe unë e mbajta premtimin. Kur më pyetshin se  nga mw vinte ky dell poeti, me shumë kënaqësi e krenari përgjigjesha se kisha për profesor  Besim Bokshin, e shok klase e banke Ali Podrimen.
Ali, miku im,  i jam gëzuar çdo ngjitjeje tënde në letërsi, derisa arrite dhe në vetë majet e saj.  Në momentin kur mora vesh për vdekjen tënde, më ra në mend aforizmi, ndoshta më i miri për poetët: ”Poetët fillojnë të jetojnë kur vdesin”. Pra, Ali ti nuk vdiqe, ti erdhe në jetë. Njeriu është i vdekur kur nuk i kujtohet askujt.Ti  mbetesh përherë në kujtim të gjithkujt.
Përgjigjen në pyetjen për vdekjen tënde të hershme e gjeta në thënien : “Sa më e bukur që është lulja, aq më shpejt i bien fletët”. Ty të ranë fletët, por të mbanë gjallë trungu. Ke punuar gjatë në rritën e tij. Shoku im i dashur, ti në vargjet tua nuk e  përshkrove  jetën, por u angazhove  për rikrijimin e saj.
 Ti i këndove dhimbjeve dhe vuajtjeve të Popullit tënd, por dhe etjes për liri dhe pavarësi të tij. Me vargun:” Kosova është gjaku im që nuk falet”, ti u bëre zëri i tij.
Ishe përherë në nivelin e kohës. Eshtë poet i madh vërtet ai që e kupton kohën, por që edhe i dërgon porosi asaj.
Ti pate  vetëm një mësues: lexuesin tënd. Ai të porositi, e ti me gjakun e zemrës sate porosinë e tij e shndërrove në varg që nuk harrohet.
Asnjëherë më shumë se sot nuk kam dashur të bëhem poet: të shkruaj, së paku, një varg për ty. Dhe e shkrova. E shkrova me dorën Tënde,  duke ecur nëpër vargun Tënd të njohur :
 “Unë shoku yt, Ali,  t’i njoh dëshirat e heshtura,unë shoku  yt Ali,  t’i njoh vuajtjet, vdekjet, unë shoku  yt Ali,  ta di gjakun që të vlon në gji, unë shoku  yt, më mirë se kushdo tjetër,  të njoh Ali”.