(Fragmente nga fjala e mbajtur në Konferencën Shkencore “ Pavarësia e Shqipërisë  dhe Kosova 100 vjet pas”, organizuar nga ASHAK, me 13 shtator 2012)

Pozita kushtetuese –juridike  e  Kosovës dhe zhvillimi i saj kushtetues përgjithësisht, në periudhën 1946- 1990  të shekullit të kaluar, nuk pati një trajtshmëri dhe as një linjë drejtvizore. Ajo pozitë e Kosovës qe paraprirë me ndodhitë në udhëkryqin e luftërave ballkanike, kur gjysma e kombit dhe më shumë se gjysma e trojeve të shumicës etnike shqiptare ”nuk u gjend  vetëm jashtë shtetit të ri shqiptar, por u gjend e okupuar nga shtetet fqinje ballkanike, kryesisht nga shteti serb”.

 

 

Edhe para luftërave ballkanike, shqiptarët  u gjenden si popull jo i barabartë, “i privuar nga të drejtat kombëtare, nga një perandori teokratike dhe multietnike, për nga përbërja e saj”.
Përplasjet  ndërmjet kombit serb dhe kombit shqiptar në Ballkan ndodhen në kushte të pabarabarta për kombin shqiptar, prandaj “për pasojë ndodhi që Kosova, më parë të përfshihet në kuadër të shtetit serbo-kroato-slloven, të krijuar pas Luftës së Parë Botërore”, e më vonë dhe “në përbërje të Jugosllavisë”, pas Luftës së Dytë Botërore.
Lëvizjet antifashiste në Jugosllavi dhe në Shqipëri çështjen e Kosovës e patën “veçuar bashkërisht”si çështje që “do të shqyrtohej dhe zgjidhej pas luftës së përbashkët antifashiste”. Rezoluta e Konferencës së Bujanit (31. 12. 1943 dhe 1 e 2  01. 1944)e pati konfirmuar parimin e vetëvendosjes, por pas saj ngjarjet dhe procedurat ndodhen ndryshe. Në Kuvendin e Prizrenit në vitin 1945, në kushtet dhe rrethanat e administrimit ushtarak, qe shpallur se Kosova “me dëshirë të popullsisë së saj i bashkohej Serbisë federale, në kuadër të Jugosllavisë federative”. Delegatët që patën votuar kundër qenë arrestuar dhe likuiduar.
Në fazën e parë të zhvillimit kushtetues të Kosovës( 1946-1953) manifestoheshin dy rrafshe të diskriminimit kushtetues- juridik të saj. Së pari, në raport me pozitën kushtetuese- juridike të njësive federale dhe, së dyti, në raport me pozitën kushtetuese- juridike të Krahinës autonome të Vojvodinës, së cilës i garantohej  një status më i avancuar  sesa Kosovës.
Ndryshimet që ndodhen me aktin kushtetues të Jugosllavisë të vitit 1953, sa I përket pozitës kushtetuese- juridike të njësive autonome, qenë kryesisht të karakterit organizativ, e jo thelbësor.
Kushtetuta e RSFJ-së  e vitit 1963 e përuli edhe më shumë statusin e njësive autonome, duke i përcaktuar  shprehimisht si “kategori e republikës” që, në fakt, i shndërronte ato në “koloni të Serbisë”. Ky ishte niveli më i ulët kushtetues- juridik  i krahinave autonome, ndonëse në këtë periudhë u barazua statusi i Kosovës me atë të Vojvodinës.
Disa zhvillime politike, veçanërisht Plenumi i Brioneve i vitit 1966, patën ndikim në hapjen e disa proceseve. Hapja e problemeve ndëretnike nuk la anash “konstatimin e deformimeve të rënda në dëm të popullit shqiptar në Jugosllavi”. Në këtë periudhë u artikulua kërkesa për “Kosovën- republikë” që, megjithatë, “përmes qëndrimit të Partisë Komuniste, nën influencën dominante serbe, u refuzua  e ndëshkueshme”.
Ndyshimet kushtetuese të vitit 1967 paralajmëruan përforcimin e pozitës kushtetuese – juridike të republikave dhe të krahinave autonome, veçanërisht në marrëdhëniet në Federatë. Me ndryshimet që pasuan më vonë( 1971) nuk kishte më asnjë fushë të së drejtës në të cilën ato nuk mund të nxirrnin ligjet e veta. Ishin këto, si shprehej Gazmend Zajmi, “depërtime të individualitetit kushtetues të Kosovës dhe të  popullit shqiptar në suaza të shumetnitetit të Federatës”.
Ato, ndyshime, në fakt, paralajmëruan Kushtetutën e vitit 1974 që, pa dyshim, shënonte shkallën më të lartë të mëvetësisë së Kosovës, megjithë  pozitën e saj hibride, sepse Kosova përveç se ishte “në kuadër të Jugosllavisë”, ishte dhe “në kuadër të një njësie federale”, por jo dhe “pjesë përbërëse e saj”. Kosova sipas asnjë dokumenti kushtetues të vitit 1974 nuk ka qenë “pjesë integrale e Serbisë nën sovranitetin e kësaj njësie federale”. Kjo ishte arsyeja qe Serbia shprehte kundërshtimin e zgjidhjeve kushtetuese të vitit 1974, sepse pretendonte “t’i mbërthente” brenda saj të dy krahinat autonome.Me amendamentet në kushtetutën e saj, në vitin 1989, degradoi në rrënjë pozitën kushtetuese- juridike të krahinave autonome, pra edhe autonomitetin e Kosovës. Në udhë jokushtetuese, Kosovës iu morën kompetencat dhe iu dhanë organeve shtetërore të Serbisë. Me këtë goditje “u rrit supremacioni strukturor i Republikës së Serbisë në Federatë, përballë  njësive të tjera federale”. Ambiciet serbe për “ta dominuar Jugosllavinë” qenë pikënisje e krizës kushtetuese në Jugosllavinë e atëhershme.
Nuk duhet dhe nuk mund të përbuzet pozita e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Më në fund, ajo pozitë e saj u mor si argument i rëndësishëm nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për dhënien e mendimit këshilldhënës se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me normat e të drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, e vërteta flet se atëherë Kosova nuk ishte republikë;  se shqiptarët nuk konsideroheshin komb dhe se pozita e Kosovës përcaktohej si bipolare, madje dhe se autonomia e saj  ishte e reduktuar në disa përmasa. 
Kosova reagoi në mënyrën e vet: së pari, me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990; së dyti me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 shtatorit 1990; së treti, me referendumin e shtatorit 1991, së katërti, me Rezolutën mbi Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të datës 18 tetor 1991 dhe së fundmi, me Amendamentin I në Kushtetutën e Republikës së Kosovës me 19 tetor 1991. 
Në kushtet kur nga Federata e atëhershme e Jugosllavisë ishin shkëputur  katër njësi federale, mbetja e Kosovës në Federatën e cunguar, me Serbinë e Malin e Zi, ishte e paranueshme për të. Shteti sovran dhe i pavarur “paraqiste opsion real, të balancuar të kohës”. Këto akte, ndonëse nuk u njohën ndërkombëtarisht, vendosen themelet e një shteti  me sovranitet dhe pavarësi të kufizuar që u lind më 17 shkurt 2008.
Përfundimisht, mbetet kërkesë aktuale rrumbullakimi i statusit të Kosovës me subjektivitet të njohur ndërkombëtar, me ulëse në OKB, me sovranitet dhe pavarësi të plotë, sikur e vendeve të tjera, e shtrirë në gjithë territorinë e saj. Kosova nuk mund të mbahet “peng” e Bashkimit Evropian që ende mban një qëndrim neutral karshi statusit të saj, për shkak se pesë vende antëare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
E kemi shprehur edhe me ndonjë rast tjetër se një vend ose është ose nuk është shtet; ose ka ose nuk ka sovranitet dhe ose ka ose nuk ka pavarësi. Statusi i Kosovës nuk është më i diskutueshëm. Prandaj, nuk mund të bëhen “pazare të reja” rreth sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës.