Sa më afër  që jemi  28 Nëntorit, festës sonë të madhe të flamurit dhe të bashkimit, në qarqe të ndryshme thurren plane për të kremtuar ndaras. Dikush fton të Tiranë, tjetri në Vlorë, dikush thrret në kufirin shqiptaro-shqiptar, e dikush tjetër në Prizren.
A thua ka nevojë që të kujtojmë se 28 Nëntori është ditë e bashkimit, pavarësisht ideologjive, krahinave dhe konfesioneve. A thua ka nevojë që të (ri)përsërisim se për njëqind vjet ecëm në një rrugë me shumë lavirinte, kaluam dhe përjetuam një histori shumë të bujshme, por edhe të hidhur, të një kombi të vuajtur dhe të përndjekur, të cilit e kaluara “nuk i doli zot”, ndërsa ai arriti që të shpëtojë palcën kurrizore të tij. A thua ka nevojë të (ri)theksojmë  se ne duhet t’i (ri)kthehemi  historisë sonë “me sy përpara”, jo për ta harruar atë, por për të mos e (ri)shijuar të hidhurën e saj.

 

 

Me rastin e kremteve, në parim, përzgjidhen fjalët dhe urohen dhe përgëzohen të arriturat. Megjithatë, ne ndiejmë nevojën që t’i bëjmë një vështrim edhe së kaluarës, një shqyrtim më shumë politik se historik; më shumë sintetizues se analitik; më shumë meditues se verbalizues dhe më shumë kritik se oportunizues. Vetëm një shqyrtim i tillë do të mund të na ndihmonte që t’i përgjigjemi qartë dhe sinqerisht pyetjes: a pëlqejmë atë që kemi, kur nuk kemi atë që pëlqejmë:nga një çështje e vetme, kemi krijuar disa; nga një bashkësi etnike, kemi krijuar disa dromca të saj;  për një interes kombëtar, nuk kemi krijuar një strategji.
Gjëja e parë që duhet të kuptojmë kur festojmë 100 vjet të shtetit shqiptar është ndërvarësia e të gjitha segmenteve të veçuara të çështjes shqiptare, në mënyrë që ato të mos “i mjaftojnë vetvetes”.
Gjëja e dytë që duhet të na bie ndërmend kur festojmë 100 vjet të shtetit shqiptar është se çështja shqiptare nuk është zgjidhur as tërësisht dhe as në të gjitha segmentet  e veçuara të saj.
Përfundimisht, çështja e tretë që duhet të na preokupojë kur festojmë 100 vjet të shtetit shqiptar është si të bëhemi bashkë në përpjekjet për ta integruar kombin.
Edhe pse nuk do të dëshironim që, së paku, në këtë përvjetor, të merremi me hijet më shumë se me dritat, nuk mund të mos përmendim  nevojën që të jemi të ndërgjegjshëm për ndërlikueshmërinë e proceseve politike që po zhvillohen në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, për ndërlikueshmërinë e shkaqeve që shkaktojnë ato procese dhe për ndërlikueshmërinë e veprimeve që duhet të ndërmirren për krijimin e kushteve për të tejkaluar me sukses ato procese.
Edhe ky 28 Nëntor që po na afrohet, sikur po na porosit që, përfundimisht,  të ndryshojmë raportet nëpër të cilat po kalojmë. Ndryshimi i raporteve kërkon vetvetiu ndryshimin e sjelljeve tona.
Edhe ky 28 Nëntor që po na troket në derë, sikur po na thrret që të vetëndërgjegjësohemi që të mendojmë, të shprehemi dhe të veprojmë si një komb politik.
Më në fund, edhe ky 28 Nëntor  sikur po na këshillon të ecim të bashkuar, sepse ashtu do të gjejmë rrugë të reja, sikur po na përsërit nevojën që të ndërtojmë qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta, sikur po na fton në mobilizim kombëtar që energjinë krijuese ta shpenzojmë dhe ta shterojmë në projekte gjithëkombëtare.
Nuk duhet të lejojmë që të na mungojë qëndresa e përbashkët, sepse të armiqësohesh me të tëndin, është njësoj sikur t’ia vesh zjarrin shtëpisë sate.