Trajtimi policor i të rinjve shqiptarë në Mal të Zi për shkak se parrulluan a kënduan shqip nuk përbën ndonjë lajm. Lajm do të përbënte sikur të mos kishte ndodhur trajtimi  policor i tyre.  Shqiptarët në Mal të Zi historikisht dhe aktualisht janë ndjekur dhe janë ndëshkuar prej regjimit, me gjithë faktin se janë treguar shumë lojalë me të. Mjafton të thuhet se ishte një 7 përqindësh i votave të tyre që i bëri të mundshme “të prek Evropën”.

 

 

Shkas për të bërë këtë shkrim është dita së cilës po i afrohemi, 10 dhjetori, të cilën bota e feston si Ditë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ngjarja që ndodhi në Mal të Zi nuk korrespondon as me ditën dhe as me të drejtat e njeriut, por të kundërtën, flet se regjimi në Mal të Zi,kur  bëhet fjalë për shqiptarët, i shkel ”me të dyja këmbët” të drejtat e njeriut, edhe pse nga ana tjetër, “shtiret”për “partizan të demokracisë”. 
E vërteta flet se shqiptarët që jetojnë në trojet e veta etnike në Mal të Zi janë të privuar jo vetëm nga të drejtat kolektive kombëtare, por edhe nga liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, kështu që ata në këtë shtet ndihen vetëm si qytetarë të “rendit të dytë”.
Mjafton të kujtojmë se shqiptarët në Mal të Zi janë gjendur para një asimilimi kombëtar e trashëgimor, kulturor e gjuhësor. Formën më drastike të mohimit të qenies kombëtare të tyre ka paraqitur sllavizimi i emrave të tyre, duke ua shtuar detyrimisht një “iç” ose “oviç” në mbarim(si emrat sllavë).Ata janë keqtrajtuar në politikë dhe në pushtet, në armatë, në gjyqësi, në arsim, në kulturë dhe në sferat e tjera. 
Me gjithë kërkesat e parreshtura të shqiptarëve që  nga ana kushtetuese dhe juridike të rregullohet pozita kombëtare e tyre,pushteti malaziaz shtiret i shurdhër dhe vazhdon t’i diskriminojë ata në të gjitha sferat e jetës ekonomike, shoqërore dhe politike.Përfaqësimi i tyre në pushtet dhe në jetën shoqërore është fare i pakonsiderueshëm.
Realizimi i  të drejtave kombëtare, ekonomike dhe i të drejtave të njeriut përbëjnë kërkesën e vazhdueshme dhe synimin kryesor të shqiptarëve në Mal të Zi. Në mënyrë të veçantë ata kërkojnë mundësitë e zhvillimit dhe të udhëheqjes autonome të rajoneve të banuara me shqiptarë.
Synimet e shqiptarëve për të ndryshuar statusin dhe qeverisur me Krajën, Malësinë, Gucinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në këto dhe në krahinat e tjera të banuara me shqiptarë nuk janë të panjohura për regjimin malazez. Evoluimi i përgjithshëm i proceseve  demokratike në Mal të Zi nuk bëhet i mundshëm me trajtimin policor  të të rinjve shqiptarë, por me hapjen e Malit të Zi për shqiptarët.     
Represioni i ditëve të fundit ndaj të rinjve shqiptarë flet qartë se në Mal të Zi nuk ka pushuar urrejtja ndaj qenies kombëtare të shqiptarëve dhe ndaj identitetit trashëgimor, kulturor e gjuhësor të tyre. Ky represion veçsa “i heq maskat” dhe e zhvesh një politikë diskriminuese dhe tregon fytyrën e vërtetë të një shteti që krenohet me “zhvillimin e demokracisë në vend”.

Me këtë rast  në Mal të Zi janë shkelur më së paku dy konventa ndërkombëtare: Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Evropiane për Minoritetet.
Në Mal të Zi duhen të ndërgjegjësohen se liria kombëtare paraqet faktorin më të rëndësishëm dhe presupozimin për ruajtjen e identitetit kombëtar të një populli.Kështu është dhe kështu do të duhej të ndodhte edhe me lirinë kombëtare   të shqiptarëve në Mal të Zi.