As Kosova dhe as Shqipëria nuk morën lajme të gëzueshme në këtë fundviti nga Bashkimi Evropian. “Babadimri” nuk u solli “dhuratat e premtuara”. Kosova dhe Shqipëria u vendosen në “sallat e pritjes”. Takimi i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian konfirmoi se në Bashkimin Evropian nuk ka konsensus për Marrëveshjen  e Stabilizim-Asociimit për Kosovën. Në të vërtetë, mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk ka pajtim rreth Kosovës.  Dihet se nga vijnë pengesat. Për disa nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën “është e papranueshme të thuhet se do të mund të ketë Marrëveshje  të Stabilizim-Asociimit”.

 

 

Në Bashkrimin Evropian e pranojnë se integrimi i Ballkanit Perëndimor është një “detyrë e papërfunduar”. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian vazhdojnë “ta mbështesin politikisht integrimin e Ballkanit Perëndimor”, por kërkojnë që disa prej shteteve, si Kosova, Serbia dhe Maqedonia “t’i përmbushin të gjitha kriteret”.
Sa i përket Kosovës vërehet një “luhatje në qëndrim”. Bashkimi Evropin tashmë vetëm  “e merr në dijeni ” Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që, do të thotë, se nuk merr “ndonjë obligim ndaj Kosovës”, edhe pse, nga ana tjetër, në Bashkimin Evropian “vlerësojnë punën e mirë të Qeverisë së Kosovës”, duke përmendur në mënyrë të veçantë dialogun me Serbinë. Por, ja se dialogu nuk është i mjaftueshëm që “Kosova ta kalojë klasën”. Nga ajo vazhdon të kërkohet përmbushja e kritereve të tjera për studimin e fizibilitetit, veçanërisht reforma në administratë. Megjithatë, për Kosovën detyrë më e vështirë se kjo do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që kanë marrë përmasa të mëdha. Bashkimi Evropian kërkon që Kosova të dëshmohet se po zhvillon luftë në këto dy “fushë-beteja”dhe se po arrin “rezultate të prekshme”. Nuk lihen anash as kërkesat për reformën e gjyqësorit, po sikurse edhe ato për lirinë e shprehjes.
Një pjesë e mirë e konkluzioneve i kushtohet veriut të Kosovës. Bashkimi Evropian kërkon prej Kosovës që të dalë me një plan për veriun, ndërkohëe që institucionet e Kosovës thonë se një plan i këtillë ekziston.
Ajo që bën përshtypje duke lexuar konkluzionet për Kosovën është se nga to janë hequr të gjitha formulimet që kanë kërkuar shtetet e Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur  Kosovën, fakt ky që e fuqizon ndjenjën e të qenët të Bashkimit Evropian “neutral karshi  statusit të pavarur të Kosovës”. Me konkluzionet e miratuara, Bashkimi Evropian, në të vërtetë, forcon kushtet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Kosovën.
Sikurse edhe për Serbinë dhe Maqedoninë, që nuk është dhënë ndonjë datë për nisjen e negociatave për anëtarësim, as për Kosovën nuk ka ndonjë datë për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Mbetet të pritet se çfarë do të sjellë pranvera e vitit 2013.
As Shqipëria nuk kaloi më mirë. Madje, konsiderohet se çështja e Shqipërisë “ka qenë pika më e lehtë për të rënë dakord vendet anëtare të Bashkimit Evropian”. Shqipëria është vendi i vetëm i Ballkanit që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe ende nuk ka arritur të marrë statusin e kandidatit. U tha se Shqipëria ende nuk i ka përmbushur kriteret për status të kandidatit.
Duket se përballimi i “ngërçit politik” do të mund të hapte mundësitë e bllokimit të statusit kandidat të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë kalimi i tre ligjeve në Parlamentin e Shqipërisë, me shumicë të kualifikuar. Sesa gjatë do të mbetet Shqipëria në “sallat e pritjes” tashmë nuk varet nga Bashkimi Evropian, por nga vetë Shqipëria, forcat politike dhe krerët e tyre që të unifikojnë qëndrimet. Përplasjet e mëtejshme mund të shkaktojnë zvarritje të tjera.
Shqiptarët asnjëherë në të kaluarën nuk vendosen për fatin e tyre si popull dhe si komb. Shqiptarëve u duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta duke marrë vendime të mëdha për çështje të mëdha. Kjo porosi doli nga festimet e 100 vjetorit të shtetit shqiptar. Shqiptarët duhen të aftësohen që t’i flasin të nesërmes dhe të pasnesërmes, në mënyrë që të vendosin për të ardhmen e tyre. Prandaj, prej tyre kërkohen “pozicionime më të zhdërvjellta, duke e qëruar strumbullarin e politikës shqiptare nga nyjat e lëkurat e panevojshme që janë ruajtur për shumë kohë”.