Kosova është ndërmjet pavarësisë dhe kufizimeve të ndieshme të saj.Kufizimet nuk do të vijnë vetëm nga lista e gjerë e kushtëzimeve që do të përcaktojë bashkësia ndërkombëtare(qendrat e saj vendimmarrëse)me rastin e përkufizimit të statusit të Kosovës,por ato do të vijnë,me sa po shihet,edhe nga modalitetet e përkufizimit të të drejtave të pakicës serbe që burojnë nga tre rrafshe apo fusha problemesh: decentralizimi, veçanërisht status ii pjesës veriore të Kosovës,trashëgimia serbe dhe pozita politike e serbëve të Kosovës.     

Edhe pse Grupi Negociator i Kosovës shprehet se “e ka qartësuar në parim”platformën për “shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”,një game kufizimesh të  atij statusi të saj nuk i dihet as fillimi dhe as mbarimi.Me gjithë përshtypjet e krijuara brendapërbrenda  Grupit Negociator të Kosovës se pikëpamjet e tij janë “më të afërta”me ato të bashkësisë ndërkombëtare,në adresë të tij arrijnë kritikat e para që,në të vërtetë,përbëjnë kërcënime të saj për koncesione të reja.Në këtë mënyrë dëshmohet se së pari dënohet ai që “është i gatshëm të lëshojë pe”,e jo tjetri që “nuk lëvizë nga pozicionet e veta”ose që “kërkon më shumë”për t’i zgjeruar ato, në mos për asgjë tjetër,atëherë së paku,për të zvarritur procesin ose edhe për ta bllokuar atë.

Gjithnjë e më shumë po flitet dhe po shkruhet se përpjekja e bashkësisë ndërkombëtare për “t’i ulur palët në bisedime”po tregohet e paefektshme. Në dukje të parë,kanë të drejtë ata që shprehen kështu.Por,në thelb,sado që edhe vetë bashkësia ndërkombëtare shprehet se “nuk është e kënaqur me bisedimet”,ajo ka arritur që t’i shtyej palët që “të negociojnë të panegociueshmen”dhe meqë çmimi i negociatave është kompromisi,është afër që të ofrojë një zgjidhje që sikur le “të kënaqura të dyja palët”,sado që as njera dhe as tjetra,nuk do të arrijnë në “kuotën e dëshiruar”.

Në anën e palës shqiptare më shumë se në atë të palës serbe,është krijuar përshtypja se çështja e Kosovës sikur “ka marrë fizionominë e një çështjeje të zgjidhur,duke pritur “sanksionimin  politik-juridik ndërkombëtar”, mendoj se çështja,megjithatë,ende është “e mbështjellur me një mjegullnajë diplomatike”.
Sfidat me të cilat po ballafaqohet e ardhmja e Kosovës nuk janë të vogla.
Me një rast jam shprehur se të gjithë ata që mendojnë se “buka po piqet”duhet të tregohen të vëmëndshëm që të “mos digjet”.Shqetësimi im e ka burimin në bërjen e drejtësisë me “tharm të politikës”.
Qendrat ndërkombëtare të vendosjes sikur “e shohin Kosovën jashtë Serbisë”,por e duan “Kosovën me serbë”dhe duket se ky është çelësi i problemit,prandaj nuk tregohen të gatshme “t’u lënë shqiptarëve”përgjegjësitë për minoritetet dhe sigurinë.Kjo është arsyeja që bashkësia ndërkombëtare “ka vënë në tavolinë”përpara se të vendosë për statusin e ri të Kosovës,një katalog “çështjesh teknike”dhe kërkon që për to të arrihet “një shkallë e marrëveshjes”,duke nënvizuar se po qe se kjo nuk do të ndodhë,do të jetë vetë ajo që do të ofrojë zgjidhje për to.Shikuar nga këndi i trajtimit të këtyre çështjeve dhe nga këmbëngulësia e bashkësisë ndërkombëtare që ato çështje “t’i prijnë”vendimit për statusin,duke prekur në të,vetë statusin e bëjnë të paragjykuar,edhe pse serbët shprehen se “Kosova jashtë Serbisë nuk mund të funksionojë me serbët  brenda saj”Platforma serbe mbështetet në parimin e territorializimit,pra të krijimit të territoreve etnike serbe që do të ishin të lidhura me Serbinë”.Elemente të kësaj platforme përvijonin edhe në raportin e ambasadorit Kai Eide.

Në një shkrim timin “Statusi i Kosovës në dritën e raportit të z.Kai Eide”në tetor 2005,disa nga gjykimet,por edhe rekomandimet e tij, i kisha quajtur të diskutueshme,veçanërisht ato në lidhje me Veriun e Kosovës.Z.Eide ishte shprehur se “Strukturat paralele (serbe)mbase janë e vetmja mënyrë realiste për të siguruar ofrimin e shërbimeve adekuate për serbët e Kosovës”,madje duke i kualifikuar ato si “në shumë mënyra të ngjashme me strukturat paralele të shqiptarëve të Kosovës para vitit 1999”.Isha shqetësuar me “parashikimin e tij”se “Kosova nuk do të bëhet në një të ardhme të afërt një vend ku shqiptarët dhe serbët do të jenë të integruar”,duke theksuar se “negociatat kanë të bëjnë me territor,i cili ende është pjesë e një shteti sovran”.  Prandaj,decentralizimi “është parë prej tij”si “çelës”i vendosjes së pushtetit të Beogradit,pra i “lidhshmërisë vertikale institucionale mes serbëve të Kosovës,pushtetit të tyre lokal dhe pushtetit në Serbi”.Shtizat mund të thyhen dhe do të thyhen te decentralizimi.Mveshja e tij me “petkun etnik”kërcënimin për territore e bënë shumë serioz.

Qysh atëherë kisha shprehur drojën se Kosova do të ketë një “ndikim shumë të kufizuar”në përcaktimin e së ardhmes,duke e quajtur suspendimin e të drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve të Kosovës si mohim të parimeve dhe të vlerave të demokracisë,mbi bazën e të cilave janë krijuar shtete të pavarura dhe sovrane,edhe nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë,edhe nga shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik,se janë bashkuar dhe janë ndarë shtete,se janë anëtarësuar në OKB,madje edhe me sipërfaqe më të vogël se Kosova,edhe me popullatë më të vogël se Kosova.

Një numër i madh kufizimesh do të ndodhin për shkak të vazhdimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.Jam i ndërgjegjshëm për mundësinë e kushtëzimeve që i bëhen anëtarësimit të shteteve në mekanizmat ndërkombëtare,po sikurse që jam i ndërgjegjshëm për shkallën e sovranitetit që ato e bartin në unione shtetesh,por gjithë kjo ndodhë pas pavarësimit të plotë të tyre.Pse Kosova të jetë dhe të bëhet përjashtim?Eshtë pyetje parimore,prej së cilës buron pyetja tjetër pse në Kosovë të krijohet një “mentalitet i vazhdueshëm vartësie”,kësaj rradhe prej Bashkësisë Evropiane,në përmasat që rrëshqasin prej standardeve. Prandaj,hyrjen në procesin e statusit të ardhshëm nuk e kuptoj si hyrje në fazën e fundit,por në fazën e rradhës të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Vështruar nga këndi i “lojës me negociata”,më afër se  një status qartë i përkufizuar,me pavarësi dhe sovranitet,është një “zgjidhje e papërfunduar”që mund të lë të hapura shumë çështje.
Janë,më së paku, tri çështje që nuk guxojnë të ngelin të hapura.
E para,pozicionimi politik i Serbisë në raport me Kosovën.Kjo çështje kërkon “mbyllje”,edhe pse problemi me shqiptarët në Kosovën Lindore mbetet i hapur. Me pavarësinë e Kosovës në kufijtë e tashëm të saj,sakrifikohen shqiptarët në Kosovën Lindore.Këtë fakt duhen ta kenë parasysh liderët shqiptarë, në mënyrë që të kërkojnë zgjidhje adekuate.
E dyta, përmasat dhe mënyrat e mbikëqyrjes së rasteve,të ashtuquajtura “të ndieshme etnike”,si “komunat me shumicë serbe”,”zonat e mbrojtura”,”përdorimi zyrtar i  gjuhës së pakicave”etj.,që nuk duhen të vendosin privilegje të pakicave,veçanërisht të  serbëve ,si nxitje më parë për dezintegrim,se sa për integrim të tyre në institucionet e Kosovës.Në mënyrë të veçantë duhet të sigurohet zbatimi unik i ligjeve nëpër tërë territorin e Kosovës.Po qe se nuk do të ndodhë zbatimi unik i ligjeve nëpër tërë territorin e Kosovës,Kosova,me gjithë statusin e përkufizuar,do të përballet me sfida të mëdha,kështu që edhe pas statusit,do të përballet me vënien në jetë të tij.
E treta,pozicionimi i SHBA-ve ndaj Kosovës pas vendosjes së një forme të pranisë së BE-së.Prania e Bashkimit Evropian nuk duhet, në asnjë mënyrë, të zbeh “praninë amerikane në Kosovë”.