Edhe pse nuk ka pothuajse asgjë të “papritshme” në platformën serbe për Kosovën, Serbia doli me një dokument publik , si “ndihmesë” të vetën për “negociatat me Kosovën”  që “tronditi” Bashkimin Evropian, megjithëse “prej andej”, përveç  një deklarate të zbehtë  të një zyrtareje,  nuk ka ende ndonjë reagim që do të shprehte ndonjë “shqetësim” të theksuar të tij. Dokumenti nuk “u mor” me shqetësim as në Kosovë, veçanërisht prej krerëve të saj.

 

 

Bashkimi Evropian kishte kërkuar prej Kosovës dhe Serbisë në konkluzionet e nxjerra me 11 dhjetor 2012 që “të vazhdojnë dialogun e nivelit të lartë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve”. Serbia e përshpejtoi përgjigjen në kërkesën e Bashkimit Evropian dhe ia adresoi platformën për Kosovën, si “ofertë të përshtatshme”për të “normalizuar” marrëdhëniet me Kosovën, ndërkohë që në Kosovë mendohet se asgjë nuk mund të ndryshojë   statusin e Kosovës të 17 shkurtit 2008 dhe se në Kosovë “nuk do të ketë as autonomi për serbët” në veri dhe “as ndarje” të saj .
Nuk janë indikative kërkesat që shtron Serbia. Indikative janë sjelljet e diplomacisë evropiane dhe botërore në lidhje me to. Indikative është heshtja e Evropës dhe botës karshi kërkesave të Serbisë që pretendojnë të “çmontojnë” gjithë “arkitekturën” e shtetit të Kosovës dhe ta “rindërtojnë”shtetin e vet me “Kosovë e Metohinë” si “pashallëk të vetin”.
Sado që nuk do të dëshironim ta komentonim platformën e Serbisë, nuk do të mund të heshtnim faktin se pikënisje e saj është Kushtetuta e Serbisë dhe të qenët e Kosovës “pjesë e saj”. Nuk e deklaron Serbia këtë për herë të parë, por në mënyrë të përsëritshme thotë se Beogradi “kurrë     nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës”, ndërkohë që Kosova prej 17 shkurtit 2008 ka deklaruar shtetësinë e vet të cilën e kanë njohur rreth 100 shtete tashmë, ndër to edhe një numër shtetesh me fuqi të theksuar politike dhe ekonomike në botë.
Serbia “ka bërë lojë” me Kosovën, por  tash “luan” me Evropën dhe i dërgon sinjale se ja ky është “pozicioni ynë” në dialog me Prishtinën, duke “ia lëshuar në dorë patatën e nxehtë”Kosovës, a thua mos ajo, si kundërpërgjigje ,  “shkëputet” nga dialogu dhe “ merr  mbi vete përgjegjësinë për dështimin e përpjekjeve për të “normalizuar marrëdhëniet”  me Serbinë.
Cfarë do të duhej të bënin institucionet tona? Ato jo vetëm se do të duhej të pozicionoheshin qartë  kundër platformës së Serbisë, por do të duhej të bënin presion , deri në shkallë të “kërcënimit” se “nuk kanë për çfarë të dialogojnë me Serbinë”, përderisa Serbia nuk do të heq dorë nga një qëndrim  i “shndërruar” tashmë në një dokument  që, qoftë edhe ende i “paadresuar” prej kujt, është fare e qartë se ku “është gatuar” dhe ç’synim ka, pavarësisht se konsiderohet ende si “draft” dhe se ndërkohë mund edhe ”të ndryshojë”.
Në të kaluarën shqiptarët kanë marrë shumë përgjigje me heshtjen e tyre. A do të marrin sërish përgjigje me heshtje? Kjo është pyetja.Shqiptarët kanë luajtur shumë role defansive. U ka ardhur koha roleve ofansive për ta mbrojtur palcën e vet kombëtare.
Në gjithë këtë “konfuzion politik e diplomatik ” që krijoi Serbia me platformën e saj, nuk mund “të qëndrojë duarkryq” as Shqipëria, megjithë problemet e brendshme dhe ngërçin politik”që po “ia ndalon frymën”, por as shtetet anëtare të Bashkim it Evropian dhe të botës që e kanë njohur Kosovën. Shqipëria është anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe pozicioni i saj duhet të bëhet shumë i qartë dhe I vendosur. Shqipëria shumë gjatë shte në rolin e spektatorit  në “proceset politike”rreth  Kosovës. Ajo tashmë  do të duhej që, përfundimisht, të shndërrohej në aktor të proceseve.Agresioni serb ndaj Kosovës  nuk po ndalet. Të kundërten. Po aktualizohen gjithnjë e më shumë kërkesat për vizatim të hartave të reja dhe për gllabërimin e tokave të saj. As indiferenca dhe as injorimi nuk ndihmojnë. Mund të ndihmojë mobilizimi I diplomacisë shqiptare për t’u paraqitur me një zë të artikuluar si komb politik në mbrojtje të shtetndërtimit në Kosovë dhe në avancimin e tij.Nëse deri vonë bota sillej rreth Kosovës, tashmë Kosova do të duhej të sillej rreth botës.Sa më shumë aq më mirë.