Uroj që të ecim me kohën. Të ecësh me kohën do të thotë “të ecësh përpara”dhe “të mos kthehesh prapa”. Shqiptarët duhet ta fitojnë garën me kohën, në mënyrë që të mos ecin në drejtim të gabuar. Me të drejtë thuhet se “Vetëm me kohë mund të fitohet koha”(Only through time is conquered). Kemi kaluar shumë kohë të hidhura. Do të dëshironim që kohët që vijnë të jenë të ëmbla. Mirëpo, kohët nuk vijnë vetvetiu të ëmbla. Të ëmbla i bëjnë njerëzit.Ardhmeninë s’mund “ta përzgjedhësh” si gjellën në meny. Gjithësecili popull do të jetojë ashtu “siç e meriton”. A thua nuk e meritojmë të jetojmë më mirë se ç’jetuam deri dje, nëse jetë i thonë asaj që jetuam:me varfëri të rritur; me kriminalitet të rritur; me korrupsion të rritur; me narkomani të rritur; me prostitucion të rritur…

 

 

Problemi me ne shqiptarët është se duam më shumë se ç’bëjmë për të jetuar më mirë, prandaj gabimisht “i biem në qafë” jetës, duke menduar se ajo na mbetet borxh për atë që nuk bëjmë vetë. Kështu sillemi me padrejtësi ndaj saj. Gjysma e jetës na është përmbushur me dëshira, e gjysma tjetër me pakënaqësi “për mospërmbushjen e tyre”.
Ne shqiptarët jetojmë me “shpresa të mëdha” dhe në “pritje të mëdha”. Shpresat janë vetvetiu një lloj  fati dhe ndoshta “fati më i madh që na ka falë jeta”.
Koha është vërtet një “dhuratë e mirë”pë ata që duan të ecin me kohën.Për “ta ndjekur kohën” na duhet të bëhemi punëtorë, më të vyeshëm, më të shkathtë, më të përsosur, më efiçientë.Kush do të arrijë atë që synon në jetë, “le ta ndjekë kohën”.Ata pa ambicie “mund edhe të mos jetojnë”. Nuk mjafton vetëm “të kesh orë të mirë” që të orientohesh drejtë. Më shumë kërkohet që t’i përmbahesh kohës, prandaj ora nuk është vetëm për ta mbajtur, por edhe për t’iu përmbajtur. Koha është lum që “nuk ndalet”. Edhe ne nuk duhet të ndalemi. Volteri e ka thënë me shumë të drejtë:”Le temps justice et met toutes les choses a leur place”( Koha shqipton drejtësinë dhe i vendos të gjitha sendet në vendin e vet). Këtë kohë e presin shqiptarët. Por, cila do të jetë koha nesër, e vendosin sot. E sotmja i flet së nesërmes. Të dyja i përgjigjen  të pasnesërmes.
Duhet t’i çojmë gjërat “deri në fund” dhe t’i lëmë që ato “të bërtasin vetë”. Nëse do të bëhemi të fortë, forca jonë do “të flasë vetë”. Nëse do të tregohemi të dobët,”fjalët nuk do të ndihmojnë dot”.
Duhet të vendosim ura të komunikimit, sepse këtë na e kërkojnë gjuha, gjaku dhe gjeografia,historia, tradita dhe trashëgimia. Na duhen ura afrimi e miqësie, e jo politikë ndarjeje e armiqësie. Nuk guxojmë të bëjmë mes nesh “dialog të sipërfaqshëm”, “politikë  fqinjësie” e “diplomaci kurtoazie”.
Nuk është kjo kohë “për fajësime dhe shfajësime”.Eshtë kohë për “të marrë detyrime” në interes të kombit të cilit i përkasim, kudo të shpërndarë nëpër botë.
Thuhet se është reale gjithë ajo që është e mundshme. Të bashkuar edhe të pamundshmën e bëjmë të mundshme; të ndarë edhe të mundshmën e bëjmë të pamundshme.Të veprosh i pabashkuar është njësoj sikur të bashkohesh pa vepruar.
Ne shqiptarët dimë se “koha ecën”. Ajo që duhet të mësojmë është që “të ecim bashkë me të”. Kush ecën me kohën, “e fiton kohën”. Kush ecë me kohën, “i fiton të gjitha”. Kush nuk “ecën me kohën, “i humb të gjitha”. Kemi përjetuar shumë humbje. Rradhën e kanë fitoret. Përpara me fitore në Vitin e Ri 2013!