Titulli i këtij shkrimi nuk është i ri, por edhe  tema për të cilën bëhet fjalë në të është e “vjetër”. Në paraqitjet e mia publike rreth Kosovës dhe çështjes shqiptare përgjithësisht, shpesh kam aktualizuar  çështjen e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës(më drejtë në Kosovën Lindore), veçanërisht  në periudhën e zhvillimit të negociatave midis Kosovës dhe Serbisë në Vjenë të cilat Beogradi asnjëherë nuk i ka kualifikuar si të tilla, duke mos pranuar subjektivitetin e Kosovës dhe të qenit e saj “palë”me Serbinë.

 

 

Edhe pse shqiptarët në tri komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që prej kohësh përbënin shumicën e popullsisë, kërkesat e tyre janë shtypur me represion nga ana e pushtetit serb.Shkallëzimi i dhunës ndaj shqiptarëve të këtyre tri komunave është rritur veçanërisht pasi ata në referendum, në 1 e 2 mars të vitit 1992, qenë deklaruar për autonomi politiko-territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Nga koha e mbajtjes së referendumit e këndej, shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre në partitë politike dhe në pushtet, janë angazhuar për afirmimin e kërkesave të tyre nacionale në shkallë ndërkombëtare, por pa ndonjë rendiment. Ndodhi dhe konflikti i armatosur, shqiptarët u tubuan rreth ushtrisë së tyre çlrimtare, por gjendja nuk pësoi ndonjë ndryshim rrënjësor në pozitën e tyre.
Në 16 nëntorin e vitit të kaluar shqiptarët ngritën një përmendore si kujtim për dëshmorët e rënë të Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në qendër të Preshevës dhe tash ajo bëhet “mollë sherri”.Pushteti i Beogradit këmbëngul që ajo të rrëzohet,me motivacion se bëhet fjalë për luftëtarët që i takonin një “organizate terroriste”, ndërsa shqiptarët, të organizuar si asnjëherë më parë, dalin në mbrojtje të saj. E themi të organizuar si asnjëherë më parë, sepse mblidhen deputetët shqiptarë të tri komunave dhe nxjerrin një deklaratë kundër heqjes së simboleve kombëtare.
Nuk do të ndalemi te kjo kërkesë shumë e arsyeshme e tyre. Na bëjnë përshtypje dy kërkesa të  tjera: ajo që Tirana të ndërkombëtarizojë problemin e Luginës së Preshevës dhe që Prishtina të ketë parasysh në dialogun me serbët parimin e reciprocitetit kur diskuton pozitën e serbëve në veri të Kosovës dhe të njëjtin parim të kërkojë që të zbatohet edhe në Luginën e Preshevës(në Kosovën Lindore).
Pa vra mendjen për shumë përmendore të serbëve gjithandej kah jetojnë shqiptarët që kanë ngelur të paprekura  dhe të mbrojtura edhe nga vetë shqiptarët, edhe pse në to janë “ringjallur” emra që kanë shtypur dhe luftuar shqiptarët, serbët vlerësojnë se përmendorja në Preshevë, jo vetëm se është “e kundërligjshme”, por edhe se “provokon të gjithë serbët”.
Sa më afër që “afrohet koha e ultimatumit” të Qeverisë serbe për rrëzimin e përmendorës në Preshevë, madje dhe me kërcënimin se nëse kjo nuk ndodh nuk do të vazhdojnë negociatat me Prishtinën, një gjë bëhet gjithnjë e më e qartë: rrëzimi eventual i përmendorës do të mund të rrezikonte edhe më shumë  paqen dhe sigurinë,edhe ashtu të brishtë, në atë anë. Për këtë do të duhej të ishte e ndërgjegjshme dhe bashkësia ndërkombëtare që pozicionohet “për paqen dhe sigurinë”.
Por një gjë tjetër është edhe më e qartë se e para: pushteti i Serbisë nuk mund t’i mohojë shqiptarët në këto troje si subjekt i rëndësishëm politik.
Në proceset e reja politike në botë sot po vendosen mekanizma të çlirimit shpirtëror dhe kulturor, social dhe nacional të njeriut, të grupacioneve etnike dhe të shteteve. Mirëpo, sado që ato mekanizma po ndërtohen formalisht, në praktikë, si në rastin e tre komunave shqiptare në Luginën e Preshevës(në Kosovën Lindore), po ndeshim një diskrepancë të theksuar me parimet e proklamuara në dokumentet e së drejtës ndërkombëtare. Liria kombëtare paraqet faktorin më të rëndësishëm dhe presupozimin për ruajtjen e identitetit kombëtar të një populli. Prandaj, qendrat ndërkombëtare të vendosjes do të duhej të merrnin në mbrojtje qenien kombëtare të një populli dhe fatet e tij, e jo  t’ia lënë këtë një shteti që historikisht dhe aktualisht, jo vetëm që  i ka injoruar, por edhe i ka shkelur në mënyrën më brutale ato.
Duke e shikuar të kaluarën e vet të hidhur dhe të tashmën brengosëse, shqiptarët në Luginën e Preshevës(në Kosovën Lindore)po përpiqen të gjejnë dhe ta vendosin fatin e vet në të ardhmen. Ata angazhohen sot që të ndryshojnë raportet nëpër të cilat kanë kaluar deri më dje, qoftë dhe me vetë shqiptarët. Prandaj, me shumë të drejtë i drejtohen edhe Tiranës edhe Prishtinës që të kenë parasysh pozitën e tyre dhe t’i reflektojnë kërkesat e tyre. Kërkesa si këto të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të ndërgjegjësojnë shqiptarët që të bashkohen në mbrojtjen e palcës kurrizore të kombit. Cdo neglizhim do të mund ta lëndonte edhe më shumë atë.Nuk bëhet më fjalë vetëm për të drejtën e Tiranës dhe Prishtinës që ta bëjnë këtë, por edhe për detyrimin, borxhin  e tyre, që “kolektivisht të marrëveshur” të ecin në binarë të njëjtë dhe në drejtim të njëjtë.