Në 17 shkurt 2013, Republika e Kosovës  mbushi pesë vjet. Bëhet fjalë për një periudhë relativisht të shkurtër kohore që të mund të nxirren përfundime të padiskutueshme se në ç’masë dhe në ç’përmbajtje është realizuar pavarësia e saj. Megjithatë, pesë vjet nga shpallja e pavarësisë janë të mjaftueshme për t’u marrë me sfidat e shtetndërtimit dhe për të parashikuar të ardhmen e Republikës së Kosovës kundruall atyre sfidave.

 

 

Periudha prej pesë vjetësh nga 17 shkurti 2008, kur  u lind Republika e Kosovës, ka dëshmuar tashmë se vështirësitë në bërjen e shtetit të Kosovës janë dukshëm  më të mëdha se që është menduar. Pa asnjë dyshim vështirësitë më të theksuara në bërjen e shtetit të Kosovës janë pasojë e ushtrimit të kufizuar të sovranitetit. Edhe pse është mbyllur periudha e “pavarësisë së mbikëqyrur”,Kosova ende është e kufizuar në një numër dimensionesh që, vetvetiu, e bëjnë të lëndueshme edhe pavarësinë edhe sovranitetin dhe jo sa duhet funksional vetë shtetin.
Edhe më heret dukej e qartë se sfidë më vete do të paraqet disfunksionaliteti i administrimit të Kosovës, për shkak  se institucionet e saj nuk do të mund të funksiononin “në tërësinë e vet tokësore me një sistem juridik”. Disfunksionaliteti i shtetit të Kosovës është një realitet edhe pesë vjet prej lindjes së shtetit të ri.
Një sfidë tjetër të Republikës së Kosovës përbën sistemi zgjedhor. Kosova ka një sistem joadekuat zgjedhor dhe ky është një realitet tjetër në pesëvjetorin e pavarësisë së saj.Kosova duhet, nëpërmjet  të reformimit të sistemit zgjedhor, të dalë nga defektët e zgjedhjeve të fundit të cilat nuk ishin më shumë sesa një “farsë zgjedhore”. Për pasojë, nuk u kontestuan vetëm zgjedhjet, por edhe institucionet e dala prej tyre.Nuk ka dyshim se defektet dhe mangësitë në legjislacionin ekzistues elektoral duhet të mënjanohen.
Kosova ka një shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik. Ekonomia dhe shkalla e ulët e zhvillimit të saj paraqesin një sfidë tjetër me të cilën ballafaqohet Republika e Kosovës në pesëvjetorin e lindjes së saj. Shkaqet mund të jenë nga më të ndryshme, por ato, në rradhë të parë dhe kryesisht, shihen si pasojë e gjendjes së trashëguar dhe ngecjes në zhvillim për një kohë të gjatë. Objektiv i rëndësishëm i Kosovës duhet të jetë “arritja e një niveli më të lartë të rritjes  ekonomike ,  i cili do të frenonte trendin e papunësisë dhe do të ndihmonte në reduktimin e diferencave në zhvillim me vendet në regjion dhe me vendet e tjera europiane”.
Problemet në veriun e Kosovës përbëjnë kapitull më vete. Aty problemet veçsa po shtohen dhe shi për këtë ato përbëjnë sfidën më të madhe të Republikës së Kosovës në kohën kur ajo po feston pesëvjetorin e ekzistimit.Edhe pse nuk do të dëshironim që t’i ktheheshim së kaluarës, nuk mund të mos përmendim, edhe me këtë rast, se ato probleme  e kanë origjinën që me vendosjen e trupave ndërkombëtare në Kosovë, tash e gati katërmbëdhjetë vjet më parë. Qysh atëherë kishte ndodhur një “ndarje e heshtur” e pjesës veriore të Mitrovicës dhe e veriut të Kosovës përgjithësisht. Edhe sot mund të thuhet se bashkësia ndërkombëtare nuk u mor me kohë me mundësitë e parandalimit të ndarjes së Kosovës. Në veriun e Kosovës , Serbia ndërmori shumë veprime në të cilat nuk u reagua nga ana e saj. Të kundërtën, disa prej tyre ndodhën edhe me miratimin e saj, ndërkohë që edhe institucionet e Kosovës “shtireshin” sikurse  asgjë nuk po ndodh ose sikurse  po ndodh në një territor të një shteti tjetër. Përpjekjet e mëvonshme për t’i bashkuar pjesët e ndara nuk dhanë ndonjë rezultat. Nga një problem i paqenë, Mitrovica dhe veriu i Kosovës u bënë “çështje ndërkombëtare” dhe për pasojë, ndodhi boshatisja e veriut nga shqiptarët. UNMIK-ut joefikas iu bashkua edhe EULEX-i jorendimental për fushat për të cilat kishte shtrirë vendosjen e tij. Madje pati edhe përplasje autorizimesh.
Institucionet e Kosovës nuk arritën që të shtrijnë pushtetin, ligjin dhe kontrollin në pjesën veriore. Si rrjedhojë, u pamundësua sovraniteti i Kosovës dhe u zgjerua ndikimi i strukturave paralele(ilegale) qeveritare serbe. Involvimi  i Beogradit në atë pjesë të territorit të Kosovës është i madh dhe i ndikueshëm te banorët lokalë serbë, të cilët mbajnë qëndrim kundërshtues ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. Nga zyrtarë të bashkësisë ndërkombëtare vijnë zëra se veriu “nuk do të ndahet”dhe se “nuk do të lejojmë ndarjen e tij”, ndërkohë që “ndarja” është bërë “fjalor zyrtar” i Beogradit zyrtar. Një gjë është e sigurt: kufiri i Kosovës me Serbinë nuk është te lumi Ibër,siç do të dëshironin serbët. Ndërkohë që flitet për “mosndarje”nuk ka angazhim për “bashkim” të dy pjesëve të Kosovës. Veriu mbetet kapitull i papërfunduar dhe storie të cilën nuk e mbyllin dot deklaratat e ndërkombëtarëve. Institucionet e Kosovës ende po tregohen të pafuqishme  dhe atyre po u mungojnë iniciativat dhe përpjekjet për ta ndryshuar gjendjen.
Serbia po kërkon “hise”në territorin e Kosovës, pa qenë e ndërgjegjshme se është pikërisht ajo që e kishte pushtuar Kosovën nga 1912-ta edhe disa herë të tjera, më 1918,me 1945 dhe me 1989.
Sfidë më vete paraqet dialogu i Kosovës me Serbinë. Dialogu me Serbinë po reflekton negativisht në procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës. Serbia ia doli që të bindë një numër shtetesh që të presin se çfarë do të sjellë dialogu me Prishtinën, në të cilin ajo hyri pa parë as qëllimin dhe as efektet dhe as fundin e tij, madje edhe pa një qëndrim të harmonishëm të forcave politike.
Ritmi i njohjeve  të shtetit të Kosovës në vend se të rritej, u ngadalësua, madje dukshëm, edhe pse pati një mendim këshillues favorizues për Kosovën nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mund të thuhet se Kosova ende nuk ka një diplomaci vepruese. Janë të pamjaftueshme rezultatet e deritashme të saj.
Procesi i integrimit të Kosovës  në strukturat europiane dhe më gjerë është një sfidë tjetër e madhe për Kosovën. Kjo sfidë bëhet akoma më e madhe përderisa Bashkimi Europian mban qëndrim neutral karshi pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që pesë vende anëtare të tij  ende nuk e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës.Në BE thonë se pa njohjen nga te gjitha vendet anëtare “nuk mund të ketë raporte kontratuale me Kosovën”.
Një përfundim i përgjithshëm për periudhën nëpër të cilën po kalon Kosova në pesëvjetorin e lindjes së saj, mund të niset nga konstatimi se Kosova paraqet një shtet ende përfundimisht të parrumbullakuar; me mungesë shtirje të autoritetit në tërësinë e vet territoriale; me një legjitimitet ende të panjohur nga një pjesë relativisht e madhe e botës; me institucione ende të dobëta qeverisëse dhe me një mungesë qartësie të pranisë ndërkombëtare.   
Kosova duhet të ndërgjegjësohet se “procesi i transformimit nga shteti sovran në shtetin anëtar të Bashkimit Europian është një proces  i gjatë dhe i ndërlikuar”, besa dhe “jo gjithnjë i sigurt”