Edhe pse një dokument ende nuk ka marrë fizionominë e të qenët marrëveshje, sepse nuk përmban të gjitha elementet që e cilësojnë si të tillë, ajo u quajt edhe marrëveshje, madje dhe historike, meqenëse për objekt rregullimi ka normalizimin e raporteve midis dy vendeve që ende nuk e njohin njëri-tjetrin.
Fakti se secila prej palëve ka bërë interpretimet e veta të “marrëveshjes”flet vetvetiu se ajo, veçanërisht me rastin e zbatimit praktik të saj, do të mund të krijojë paqartësi dhe të hapë dilema të cilat, në momentin e “parafirmosjes” së saj nuk janë pasur shumë parasysh.

 

 

Shkallën më të lartë të “kënaqësisë” me marrëveshjen e kanë shprehur zyrtarë ndërkombëtarë, veçanërisht të Bashkimit Evropian, në “konakun”e të cilit janë zhvilluar dhjetë raunda të takimeve të dy kryeministrave, të Kosovës dhe të Serbisë. Eshtë baronesha Ashton ajo që “kënaqësinë” e saj e ka shprehur me përqafimin e të dy kryeministrave, si falenderim që “arritën marreveshjen”me të cilën bën që “të krenohet” ajo personaslisht dhe vetë Bashkimi Evropian, si sponzorizues i saj.
“Dua të them se negociatat kanë përfunduar”. Janë fjalët e baroneshës Ashton.”Ajo që po shohim tani është një hap më larg së kaluarës, dhe për të dyja palët një hap më pranë Evropës”. Sa janë, Kosova dhe Serbia, me të vërtetë, më “pranë Evropës”, kjo është pyetja e parë që mund të shtrohet.Shprehur shkurt dhe figurativisht, Kosova troket në dyert e Evropës, ndërkohë që ato hapen për Serbinë.Natyrisht se përfitimi nuk do të jetë  i barasvlefshëm për Kosovën dhe për Serbinë.
Po, çfarë thotë marrëveëshja? Bashkimi Evropian, nëpërmjet baroneshës Ashton, ka arritur që të formulojë një tekst që sikur i bën  “të kënaqura” të dyja palët, por asnjërës prej tyre nuk i jep atë që mund të kenë pritur. Që të dy kryeministrat e kanë shitur atë me çmimin më të lartë. Kryeministri i Kosovës, duke pohuar se “arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial”, ndërsa kryeminsitri i Serbisë duke theksuar se me të “janë pranuar kërkesat e Serbisë”.
Përkundër “të kënaqurve”, edhe në Kosovë, edhe në Serbi, po prononcohen edhe të pakënaqurit. Përgjigjja që po marrin nga të dy kryeministrat është se “kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme”.
Pa hyrë në “detaje”të marrëveshjes, nuk mund t’i shmangemi përshtypjes se ka munguar transparenca e negociatave dhe, për pasojë, ka prodhuar një dokument me mundësi të interpretimeve nga më të ndryshmet.Megjithatë, disa formulime në marrëveshje lënë “mjegullnajën” prapa vetës dhe “zgjidhjen”vetvetiu e bëjnë “të interpretueshme”.
Pavarësisht çështjeve që mund të hapen në lidhje me Marrëveshjen, ia vlen që sikurse ata që e mbështesin, ashtu edhe ata që e kontestojnë, ta interpretojnë ashtu si është dhe jo ashtu siç “do të dëshironin” të interpretohej ajo.Vetëm në atë mënyrë dhe me atë kusht do të krijohej një përfytyrim më i plotë për të.