(1)Sa më shpesh që takohen Thaçi e Daçiç rreth “normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, diferencat në lidhje me zbatimin e marrëveshjes bëhen gjithnjë më të mëdha,sa që mund të shtrohet pyetja: ka ose jo marrëveshje për veriun e Kosovës. Nëse ka marrëveshje, si  të mos bien dakord palët në lidhje me zbatimin e saj.Duket se diskutimet rreth zbatimit, mund ta(ri)kthejnë vetë marrëveshjen në fillimet e saj.

 

 

Një gjë që nuk kihet shumë parasysh nga pala kosovare dhe ndërkombëtarët është se serbët janë më të njohur për mosmarrëveshje sesa për marrëveshje dhe këtë e kanë dëshmuar në të kaluarën.Gjëja e dytë që nuk kihet parasysh është se sikur ekzistojnë dallime në pikëpamje midis organeve qeveritare serbe dhe serbëve që jetojnë në veriun e Kosovës. Me serbët asgjë nuk ndodh rastësisht. Të rastësishme nuk janë dhe rrjedhat që kanë marrë “plasaritjet” midis organeve qeveritare serbe, gjoja “shumë të interesuara”për marrëveshje dhe vetë serbëve që jetojnë në veriun e Kosovës që deklarohen haptas kundër  saj.Vështirë se mund të pranohet që nuk ka një koordinim midis tyre në “bishtërimin” e marrëveshjes,pavarësisht se ajo atyre iu siguron premisa të një autonomie të llojit të veçantë. Prandaj dhe nënkryetari i parë i Qeverisë serbe këtyre ditëve u angazhua që serbët në Kosovë së pari duhet të fitojnë disa garanci, duke përmendur me atë rast dokumentet personale, shtetësinë dhe vulat në diploma universitare. “I kërkojmë këto garanci…dhe presim që pajtimi në lidhje me to të arrihet”. 
 (2)Lajmet që arrijnë nga Maqedonia për dëmtimin e kompleksit të alfabetit shqip në Manastir në të vërtetë nuk përbëjnë ndonjë lajm të papritur. Maqedonia vazhdon të sillet ndaj shqiptarëve dhe trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të tyre në mënyrën më të vrazhdë, sikur të dëshironte të dëshmonte, për të satën herë, se është fatkeqësi që jetojnë me shqiptarët.Mosnjohja e shqiptarëve dhe e qenies së tyre janë shndërruar tashmë në “specialitet maqedonas”. Nuk habitemi shumë me agresivitetin e maqedonasve, sa me indiferencën e shqiptarëve për t’iu kundërvënë pikëpamjeve gjithnjë e më të përhapura në Maqedoni që kontestojnë dhe kundërshtojnë  çdo gjë shqiptare. Kursi i Maqedonisë ndaj kombit shqiptar nuk ndryshon, qoftë edhe atëherë kur formalisht bën ndonjë lëvizje gjoja të vendosjes dhe ruajtjes së bashkëpunimit dhe miqësisë. Kështu ishte me rastin e njohjes që i arriti Kosovës nga Maqedonia fqinje. Por, se bëhej më shumë fjalë për formë sesa për përmbajtje të bashkëpunimit dhe miqësisë konfirmohet këtyre ditëve kur në samitin e kryetarëve të vendeve të Evropës Juglindore nuk ftohet të merr pjesë presidentja e Kosovës dhe për këtë arsye samitin e bojkoton shteti shqiptar dhe jo vetëm ai.Samiti bojkotohet edhe nga vendet e tjera të rajonit, kështu që presidenti maqedonas “e mbyll” takimin përpara se ta ketë deklaruar atë  “të hapur”.Edhe ky dështim i samitit të Ohrit flet se Kosova dhe Serbia ende janë larg “normalizimit”dhe se për ta arritur këtë duhet, si u shpreh këtyre ditëve një analist i yni,”më shumë sesa buzëqeshjet e kryeministrit Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të shoqëruar nga baronesha Catherine Ashton”. Mosthirrja e presidents së Kosovës në  samitin tashmë të dështuar të  Ohrit vetëm sa konfirmon influencën e madhe që ka Serbia në Maqedoninë,aq sa Kosova për të kuptuar dhe për të qenë e ndërgjegjshme se me cilat vende kufizohet, me cilin prej tyre “ka normalizuar raportet”dhe me cilin vend tjetër synon “të normalizojë raportet”.     
(3)Sa më tepër që po afrohen zgjedhjet në Shqipëri, fjalori politik shqiptar po ndotet gjithnjë e më shumë.Ndotësit vijnë nga “të gjitha anët” dhe tashmë nuk ka filter që mund “ta pastrojë ajrin”në Shqipëri. Duket se fare nuk ka as të interesuar që ta bëjnë këtë. Të gjithë flasin “për Shqipërinë”, e veprojnë “kundër  saj”. Të gjithë angazhohen “për të mirën e saj”, e “ia ndjellin të keqen”. Pse ndodh kështu? Pse ndodh kjo me shqiptarët sa herë që “priten ndryshime”?Vërtet a jemi ne shqiptarët të zotët që të kuptojmë peshën e rëndë që ka rënë mbi ne që të kuptojmë se nëpër cilat momente dramatike po kalojmë. Ku do të ndodhet Shqipëria në 23 qershor dhe pas 23 qershorit.Mos e dhashtë zoti të ndodhet aty ku nuk do të dëshironte asnjë shqiptar që ia do të mirën Shqipërisë. Por, a keni parasysh ndonjëherë se nuk mjafton të jesh shqiptar që ta duash Shqipërinë?