Shumë heret kam tërhequr vërejtjen për “kurthet e shumetnitetit në Kosovë”dhe pasojat e tij në shumë fusha të jetës.Negociatat e deritanishme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë shtrirë në  katër fusha të rëndësishme të jetës që prekin statusin e Kosovës dhe që,sëkendejmi,pa të drejtë, janë kualifikuar në  “çështje teknike”. Decentralizimi,trashëgimia,ekonomia dhe pozita e pakicave përbëjnë shtylla boshtore të statusit të cilat,po qe se vendosen para tij,kërcënojnë me rrezikun që në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikojnë dhe ta paragjykojnë atë.

1.Projekti i decentralizimit u ndërtua mbi parimin etnik dhe territorial dhe bashkësia ndërkombëtare kërkon prej Kosovës që mbi atë parim ai të realizohet.Në këtë mënyrë,ai projekt mbështet pretendimin e Beogradit “që të lidhë vendbanimet me shumicë serbe” drejtpërdrejtë  “me qendrën në Serbi”.Serbët këmbëngulin në kërkesat për “krijimin e territoreve etnike”që,në të vërtetë,janë kërkesa për territorializimin e “çështjes serbe në Kosovë”,me synim të qartë “ndarjen territoriale përgjatë vijave etnike”.Pra,dëshmohet se Serbia,në fakt,më shumë se për serbët e Kosovës, preokupohet me “territoret serbe në Kosovë”. Oreksi i Serbisë është ndarja e Kosovës në dy entitete,në mënyrë që entiteti serb të mbetet i lidhur me Beogradin dhe që në atë pjesë të territorit të Kosovës të ketë prani dhe ndikim të strukturave qeveritare serbe dhe që mbi lumin Ibër të valojë flamuri serb.
Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale(1985)ndërton parimet themelore mbi të cilat vendoset decentralizimi dhe në kuadër të tij kërkon përmbushjen e,më së paku,tri kushteve:
së pari,territori duhet të jetë qartë i përthekuar;
së dyti,numri i banorëve duhet të jetë i konsiderushëm;
së treti,në atë territor,në kuadër të tij,duhet të ketë resurse të mjaftueshme për qëndrueshmëri.
Nga procesi negociator dhe dokumentet që burojnë prej tij vërehet një shpërfillje e këtyre kushteve.Të kundërtën,dominon faktori i përkatësisë etnike, një faktor ky jo shumë i përhapur në praktikën evropiane.
Në lidhje me kërkesën për vënien në jetë të procesit të decentralizimit,ka një problem shumë parimor.Problemi qëndron në “delegimin e pushtetit” ende të paformësuar si të tillë,kështuqë në njëfarë mënyre,pretendohet “krijimi i minishteteve”përpara se të jetë ndërtuar vetë shteti dhe ky fakt nuk mund të mos jetë paragjykues dhe të mos e gjymtojë shtetin përpara se të jetë krijuar ai.Në emër të krijimit të privilegjeve për pakicën serbe,kërkohet krijimi i një numri të madh të “komunave me shumicë serbe”.Nuk paraqet problem vetëm numri i madh i komunave.Problem paraqet natyra e kompetencave të tyre.Bëhet fjalë për kompetenca të shtetit,e jo për kompetenca të njësive të qeverisjes lokale.Pa dyshim se kjo do të ketë çmimin e lartë të dëmit për funksionalizimin e qeverisjes në Kosovën e pas statusit.
Veriu i Kosovës do të përbëjë boshtin qëndror të procesit të decentralizimit,por edhe të statusit të ri politik të Kosovës,që po mëtohet të vendoset me negociata.Decentralizimi i imponuar në vija etnike do të jetë çmimi që do të paguajë Kosova për një pavarësi,edhe ashtu “të kushtëzuar”në të cilën,me sapo shihet,Serbia  “rikthehet”në Kosovë,qoftë edhe “nëpër derë të vogël”.Kompaktësia territoriale serbe në Kosovë,në të vërtetë, pretendon “vazhdimësinë territoriale të Serbisë në Kosovë”.Serbët,edhe në Kroaci,po sikurse në Bosnjë,kanë krijuar entitete territoriale “në kurriz të popujve të tjerë”.
Edhe pse pala e Kosovës “është treguar konstruktive”dhe “e gatshme për bashkëpunim”me bashkësinë ndërkombëtare,prej saj vazhdojnë të kërkohen koncesione të reja,qoftë në lidhje me numrin,qoftë në lidhje me kompetencat e “komunave me shumicë serbe”.Në këtë mënyrë,po provohet se më përpara dënohet pala “që lëshon pe”se sa ajo që nuk lëvizë nga pozicionet e veta ose që edhe më shumë i zgjeron ato.

2.Krijimi i zonave të veçanta rreth përmendoreve fetare të besimit ortodoks hap një problem tjetër.Shpallja e vlerave të atyre përmendoreve si “trashëgimi kulturore serbe”nuk mund të mos kërcënojë me rrezikun e “serbizimit të kulturës në Kosovë”.Ky pretendim përkon me pikëpamjen e kuazishkencës serbe për Kosovën si “djep i Serbisë dhe i shtetit serb”,edhe pse,siç kemi theksuar në paraqitjet tona të mëhershme,posesivizmi serb ndaj Kosovës është i pathemeltë,qoftë historikisht,qoftë aktualisht.Popullata shqiptare në truallin e vet etnik dhe territori i saj etnik gjatë gjithë historisë dhe aktualisht ka funksionuar dhe funksionon si një bashkësi etnike.Historikisht dhe aktualisht,Kosova përbënte dhe përbën një tërësi të veçantë politiko-territoriale.Populli autokton në Kosovë,me koncentrim të lartë etniko-territorial përbën pjesën dominante të popullsisë së përgjithshme dhe ky fakt vetvetiu Kosovën “e profilizon dhe e përcakton si territor të gjerë me individualitet të fuqishëm demografik,politik e kombëtar”.
Krijimi i zonave të veçanta rreth përmendoreve fetare të besimit ortodoks në hapësira qindra hektarësh do të mund të krijojë situata konfliktuoze,për shkak të tendencave që në ato hapësira të ngriten vendbanime për pakicën serbe,të cilat kërcënojnë me rrezikun që të mos vendosen nën kontroillin institucional të Kosovës.

3.Këmbëngulësia e bashkësisë ndërkombëtare për ta paraqitur Kosovën si “mozaik nacional”nuk ka mbështetje në realitetin demografik dhe etniktë Kosovës.Vendosja e parimit të diskriminimit pozitiv për pakicën serbe,në fakt,nënkupton krijimin e pozitës së privilegjuar për të në dëm të shumicës shqiptare,në rradhë të parë,por edhe të grupeve të tjera etnike në Kosovë që jetojnë në numër të vogël përgjithësisht.Persiatjet për “pakicat konstituive”kërcënojnë me rrezikun tjetër : përfitimin nga ana e serbëve të statusit të popullit shtetformues,në mënyrë që “të marrin sa më shumë pushtet”.
Një problem më vete fshihet prapa projektit për kthimin e serbëve në Kosovë.Ky projekt rikujton përpjekjet për “rikonolizimin e Kosovës”meqë,në të vërtetë,synon ndryshimin e realitetit etnik në Kosovë.Ai pretendon krijimin e “kompaktësisë së entitetit serb në Kosovë”,të planifikuar dhe të koordinuar nga Beogradi,finalizimi i të cilit “mendohet të bëhet”nëpërmjet të procesit të decentralizimit.

4.Sfidë të veçantë për Kosovën paraqet gjendja e ekonomisë së saj.Krijohet përshtypja sikur ky nivel i ultë i zhvillimit ekonomik do të mund të sherbejë si pretekst i mirë që Bashkimi Evropian të ketë kontroll shumë të fuqishëm, në ç’mënyrë në Kosovë mund të krijohet një mentalitet i ri vartësie.
Kosova po jeton në “pritje të mëdha”.Një kohë si kjo nxit ndjenja shumë të skajshme.Nuk do të dëshironim që në pretendimet për ta pavarësuar de jure Kosovën,de facto të ngelin “të pushtuara” pjesë të teritorit të saj.