Nuk po bëjmë fjalë për cenueshëmrinë e legjislativit të Kosovës nga ata që ndërmorën veprime që të ndalojnë votimin e tij, sepse për të u fol dhe u shkrua dhe njerëzit sikur “u dakorduan” për anën e errtë të atyre veprimeve, edhe pse protuestuesit në përgjigjet e tyre thanë se, në të vërtetë, është legjislativi ai që “ia errësojë Kosovës të ardhmen e saj”, me vendimin që votoi në Kuvend. Votimi u bë i mundur vetëm pasi policia e Kosovës i shoqëroi deputetët e Vetëvendosjes jashtë Parlamentit”.

 

Për mua ky nuk është problemi. Për mua paraqet problem votimi i Parlamentit të Kosovës me prani të forcave të sigurisë në brendi të sallës,ku u mbajt séanca,madje me vendosjen e tyre në ballë të sallës, gjë që tërë ngjarjes që për “shumëke” quhej “historike”i dha një figurë të papëlqyeshme.
Pyetja që mbetet e hapur dhe për diskutim është: a u provua ose pse nuk u provua që të sigurohen “kushte” për votim në Kuvend?
Kjo temë nuk u diskutua fare ose vetëm sa “u prek” në ndonjë prej debateve të zhvilluara rreth ngjarjeve në dhe përrreth Parlamentit. Për habi tonën dhe të gjithëve këtë temë e shtroi Andrea Korenzo Capussela, madje me një citat të një shkrimi të ministrit të jashtëm suedez, Carl Bild:” Lajme shumë shqetësuese nga(…)rreth policisë, e cila hyri në Parlament dhe nxori jashtë deputetët opozitarë. Kjo nuk është mënyra se si një demokraci e BE-së duhet të funksionojë”.
Ishte shqetësues fakti se si “përpiqej” të funksiononte atë ditë demomkracia në Parlamentin e Kosovës dhe për rret tij.Më dhemb sidomos cenueshmëria e legjislativit nga ana e forcave të sigurimit, sepse duke u marrë me drejtësi, shumë herë kam lexuar për rregullat e sjelljes me parlamentarët dhe nuk ka fije dyshimi se atë ditë kishte shkelje të këtij rregulli të njohur qysh nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut e vitit 1789.
Kosova ka nevojë t’i kthehet mësimit të abecedës së demokracisë. Në citatin e Carl Bildit mësojmë se si nuk duhet të funksionojë demokracia. Por, më mirë se në këtë citat nga ngjarjet në dhe përrreth Parlamentit të Kosovës, mësojmë se si nuk duhet të funksionojë demokracia në Kosovë. Demokracinë në Kosovë nuk mund ta sjellë asnjë vend dhe as më shumë vende të BE-së. Kosova duhet të funksionojë si shoqëri demokratike nëse pretendon të ketë arritje në të ardhmen. Dhunimi i demokracisë shtrihet në dhunimin e shoqërisë dhe shoqëria vështirë se mund të çlirohet nga prangat e dhunimit.  
Me siguri se Kosova mund të përballet me ngjarje të tilla edhe në të ardhmen, sepse “normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë” nuk bëhet në një kopësht me lule. Sfidat janë të mëdha.Prandaj, nuk bën të befasohemi me dëborën në dimër. Nuk duhet të befasohemi edhe me ngjarjet që prodhojnë shqetësime. Shqetësimet rrisin tensionet.Ndjenjat mund te jenë nga më të ndryshmet. Sikurse që kënaqësitë janë të natyrshme,edhe pakënaqësitë mund të jenë të natyrshme.Secili pretendon që ndjenjen e vet ta shprehë në mënyrën e vet.