Zyrtarë të Kosovës “përbetohen” ne “Marrëveshjen ndërkombëtare të Brukselit” me serbët, e ata fare nuk e vrajnë mendjen për të. Eshtë pritur që “të çarat” të ndodhin rreth zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit dhe serbët qysh heret  paralajmëruan  “përplasjen”. Në të vërtetë, përderisa zyrtarë të Kosovës gjithë kohën flasin se zgjedhjet lokale me 3 nëntor do të zhvillohen “në përputhje me ligjet e shtetit të Kosovës dhe standardet më të larta ndërkombëtare”, nga Serbia vijnë lajme që i demantojnë.

 

 

Mediet serbe raportojnë për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, madje dhe për mosmbajtjen fare të tyre, ”për shkak të mospajtimeve rreth dizajnit të fletëvotimit”që, në fakt, do të thotë, mospranimit të elementeve të shtetësisë së Kosovës në fletëvotime.
Serbët lokalë nga veriu i Kosovës, po sikurse dhe ata të Qeverisë së Serbisë, “kërcënohen” me bojkotim të zgjedhjeve nëse në lista zgjedhore do të figurojnë elementet e shtetësisë së Kosovës.
Zyrtarëe të Brukselit që “luajnë rolin e ndërmjetësit”nuk komentojnë fare kërkesat e serbëve që në fletëvotimet për zgjedhjet lokale në Kosovë të mos figurojë denominimi “Republika e Kosovës”, duke thënë se  “aspektet teknike duhet të zgjidhen mes palëve të përfshira në këtë proces”.
Ndërkohë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë nuk dinë se çfarë logoje do të kenë fletëvotimet, ndërsa OSBE-ja propozon zgjidhje reciproke.Opinioni i OSBE-së, ç’është e vërteta, sa i përket fletëvotimeve,është se, sikurse në të gjitha çështjet e tjera, edhe për këtë “opsioni më i mirë”është gjetja e një zgjidhjeje reciproke e cila do t’i kënaqte të gjitha palët e përfshira në këtë proces”.
Zyrtarët e Kosovës duhet ta dinë se te fletëvotimi “nuk duhet të lëshojnë pe”.Ai duhet të jetë i njëjtë  për gjithë Kosovën dhe territorin  e saj.Në të vërtetë, fletëvotimi do të adresojë sistemin. Institucionet e Kosovës nuk duhet të pranojnë që zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të organizohen  “neutralisht  nga statusi”. Po qe se do ta lejonin këtë institucionet e Kosovës, vetë do ta mohonin shtetin brendapërbrenda të cilit veprojnë, do të lejonin hapjen e shumë problemeve në lidhje me qeverisjen e vendit, sepse, zgjedhjet, në fakt, do të mund t’i përgjigjeshin pyetjes se duan ose  jo serbët  të integrohen në institucionet e Kosovës.
Në  rolin e OSBE-së në zgjedhjet lokale pretendohet  një tejkalim i mandatit. OSBE-ja,sipas asaj që paralajmërohet,  nuk do të paraqitet vetëm si “lehtësuese e procesit”, por do të synojë  të luajë një rol aktiv në të, veçanërisht kur bëhet fjalë për fletëvotimet.
Vërejtja që mund të tërhiqet në lidhje me këtë është se çfarëdo vendimi eventual për heqjen e logos së KQZ-së nga fletëvotimi dhe përdorimi i standardeve të tjera nga ato që parashihen me rregullore dhe me ligj, do të nënkuptonte mohim të Republikës së Kosovës dhe një lloj të formalizimit të ndarjes së saj.   
E tërë “rrëmuja” me zgjedhjet nuk do të ndalej këtu.Në Bashkimin Evropian thonë se “zgjedhjet do të lehtësohen  nga OSBE-ja dhe se ajo  do të angazhohet për të gjitha aspektet teknike”.OSBE-ja paralajmëron se në bazë të “marrëveshjes” dhe kompetencave që ka, do të bëjë grumbullimin e aplikacioneve dhe fletëvotimeve që vijnë jashtë Kosovës, nga qytetarët serbë të komunave veriore dhe se për këtë qëllim është duke punuar në krijimin e një qendre grumbulluese të votave në Nish.   
Serbët  në veri “paralajmërojnë” se në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të paraqitën me një “listë unike”.Edhe nga Beogradi dëgjohën zërat se “partitë politike në veri duhet të bashkohen dhe të formojnë një listë të përbashkët”.Qëllimi dihet :fryerja e votave dhe nuk ka nevojë për ndonjë koment të veçantë.
Pra, me serbët nuk ka asgjë të besueshme, qoftë edhe atëherë kur “ka marrëveshje”.
Qeveria e Kosovës për çdo shkelje të marrëveshjes  nga ana e  Serbisë “mund t’i ankohet” Brukselit.Drojmë se Brukseli do “të shndërrohet” në një “gjykatë apeli” për Kosovën.       
 Pra, përderisa zyrtarë qeveritarë në Kosovë “trumbetojnë” për zgjedhje, “jo në baza etnike”, dhe i ftojnë serbët që të marrin pjesë në to, përderisa deklarohet prej tyre se “me 30 shtator shuhen të gjitha strukturat paralele”, serbët vazhdojnë  me skenarët e tyre që nuk kanë qëllim tjetër veçse mohimin e shtetit të Kosovës, vështirësimin e qeverisjes së tij deri te orekset për të prodhuar dy entitete në Kosovë.
Institucionet e Kosovës duhet të ndërgjegjësohen se serbët nuk do të ndalen këtu, se skenarët e tyre nuk do të marrin fund. Prandaj, ato duhet që të aftësohen jo vetëm që t’i kuptojnë, por edhe që t’i luftojnë skenaret serbe, në mënyrë që të mos pësojnë prej tyre.Ndryshe, degradimi i shtetit “me marrëveshje”do të vazhdojë. Serbët më shumë sesa për marrëveshje, njihen për mosmarrëveshje.