Për mundësinë e “bosnjizimit”të Kosovës është bërë fjalë shumë vite më parë, veçanërisht prej periudhës së ndërtimit të shtetit të Kosovës sipas modelit të Ahtisarit.Por të gjithëve që “rrahnim”këtë tel na dilnin përpara ndërkombëtarët për të na bindur se kjo nuk ndodh dhe nuk  mund të ndodhë.

 

 

Tërheqja e vërejtjes

Por, tani pas zgjedhjeve lokale në Kosovë,që morën “notën kaluese” janë pikërisht ndërkombëtarët ata që po na tërheqin vërejtjen për mundësinë e “bosnjizimit”të Kosovës.

E filloi ambasadorja amerikane,me qëllim ose rastësisht, e cila doli në skenë dhe ne tha atë për të cilën dishim: “duhet të jeni të vëmendshëm që të mos krijohet Republika Serbe në Kosovë”. Nuk kishte nevojë të fliste për rrezikun eventual, sepse ai, ç’është e vërteta, “është duke ndodhur”.

Disa e menduan se ambasadorja amerikane foli “në emër të pesëshes”me më ndikim dhe se të tjerët nuk kanë çfarë t’i shtojnë fjalëve të saj.

Por, nuk vonoi dhe skenën “e shkeli” ambasadori gjerman, për të na kujtuar se “nuk do të duhej të krijohej Republika Srspska në Kosovë “(sikur ne ta kishim kërkuar këtë), në vend se të thoshte atë që e prisnim: se “nuk do të krijohet” dhe se ne gjermanët ju sigurojmë dhe ju garantojmë për këtë.

Mungonte dhe një përfaqësues i një shteti të madh që të mundë ta “kurorëzonte”mendimin. Edhe ai nuk vonoi.Rradhën e kishte Britania e Madhe dhe ambasadori i saj.Ai sikur bëri një dallim nga dy të parët, sepse këtë e quajti”gjepur”. Por ne që tashmë ishim mësuar me “gjepura”, e dinim se kështu ishin quajtur edhe “fusnota”, edhe të gjitha ndërhyrjet që kishin ndodhur në shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.Madje e dinim se kështu ndodh me bisedime, kur dini vetëm se kur hyni, e nuk dini se kur dilni dhje si dilni nga to.

 

Zgjedhjet në veri të Kosovës, në vend se “t’i afrojnë” serbët e Kosovës më institucionet e Kosovës, ato sikur përfundimisht i “larguan”nga to

Raundi i dytë i zgjedhjeve në Kosovë vërtetë solli ndërrime dhe sikur dëshmoi një “pjekuri”të elektoratit se është në gjendje të ndëshkojë aty ku paraqitet dhe nëse paraqitet nevoja.Por, ky raund nuk solli një pasqyrë që pritej ta sillte në pjesët e Kosovës të banuara me serbë. Veçanërisht nuk ndodhi në veriun e Kosovës, ku prej zgjedhjeve është pritur që të  ndihmojnë procesin e integrimit të tyre në institucionet e Kosovës, sipas Marrëveshjes së Brukselit.

Zgjedhjet në veri të Kosovës në vend se “t’i afrojnë”serbët , ato sikur përfundimisht i “larguan”ata  nga institucionet e Kosovës.

 

Qëndrimi i listës serbe

Krstimir Pantiç është në krye të listës serbe që është mbështetur nga Qeveria e Serbisë dhe kandidatët e saj kanë fituar në të gjitha komunat, përveç  Shtërpcës.Ai njihej edhe më parë si njeri që kundërshtonte integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Deklarata e rij e tashme vetëm sa konfirmon qëndrimin e tij dhe të listës serbe: serbët në veri, por edhe serbët në mjediset e tjera të Kosovës , nuk do të korrespondojnë me institucionet e Kosovës, nuk do ta njohin Kosovën dhe pavarësinë e saj dhe do të angazhohen për mbrojtjen e Serbisë në Kosovë. Në dukje të parë, asgjë e panjohur. Por, tash ata kanë fituar “legjitimitetin”dhe paralajmërojnë  botërisht  shndërrimin e mundshëm të veriut të Kosovës në diçka të njëjtë ose të ngjashme me Republikën Serbe .

Rreziku i “bosnjizimit”të pjesës së veriut të Kosovës është paralajmëruar edhe më herët. Për të flitet  veçanërisht prej fillimit të negociatave në Bruksel, por ajo së cilës u kanë “besuar” qytetarët e Kosovës ka qenë fjala e ndërkombëtarëve se “mohojnë se diçka e tillë do të ndodhë”.

 

E vërteta flet se “bosnjizimi” i Kosovës po troket në derë. Ata të cilët e kanë ndihmuar Kosovën  në shtetkrijimin e saj, e kanë për detyrë që këtë storie ta dërgojnë deri në fund,e jo të kërcënojnë, madje dhe të frikësojnë me mundësinë e mosmbylljes së kapitullit të shtetndërtimit në Kosovë. Më 17 shkurt 2014 do të mbushen gjashtë vjet prej kohës së shpalljes së pavarësisë. Sfidat me të cilat po ballafaqohet shteti i Kosovës në vend se të zvogëlohen, ato veç sa po vijnë e po rriten.Rreziku për invalidime të reja të shtetit ekziston.