Ndërkohë që po zhvillohen bisedime intensive për Kosovën, veçanërisht për pozitën e pakicës serbe dhe privilegjet që duhet të gëzojë ajo në Kosovën e pas statusit,një anë tjetër e Kosovës,Kosova Lindore,me komuna me shumicë shqiptare pothuajse është lënë në harresë.Me luftën e UCPMB-së,pati “një lëvizje të gurit prej vendit”,por jo dhe zhvillime “në drejtim të duhur”.

Shqiptarët jetojnë sot në një rryp të pandërprerë tokësor dhe kudo që janë të vendosur,jashtë kufijve administrativë të shtetit shqiptar, përbëjnë elementet e popullit,d.m.th.,të kombit dhe,mbi këtë bazë,paraqesin “përmbajtje kolektive unike historikisht të vendosur dhe të formësuar”.Shqiptarët në Kosovën Lindore janë pjesë e atij rrypi dhe farë e asaj përmbajtjeje kolektive.
Prandaj,porosia bëhet e qartë:shqiptarët në përgjithësi dhe ata në Kosovën Lindore në veçanti,duhen të mbrohen nga sajesa kufijsh ndarës midis pjesëve të kombit,me qëllim të moscungimit të mëtejshëm të tërësisë.Atomizimi i mëtejshëm i çështjes shqiptare është një pozicion politik i paqëndrueshëm.
Parimi që duhet të përfillet prej shqiptarëve është se asnjë segment i veçuar i çështjes së tyre nuk mund të zgjidhet jashtë ndërvarësisë me segmente të tjera të saj.Kjo është arsyeja që pavarësinë e Kosovës përherë e kam konsideruar si pararendëse të zgjidhjes finale,e jo si zgjidhje finale të çështjes shqiptare.Prandaj,pavarësia e Kosovës është,në fakt,një kompromis shumë i madh që po bëjnë shqiptarët në dëm të tërësisë së çështjes së tyre të pazgjidhur. Përndryshe,nëse aspirohet një stabilitet afatgjatë në Ballkan,zgjidhja parimore e çështjes shqiptare,me kritere objektive etnike dhe demografike,do të duhej të zinte një vend qëndror në politikën dhe diplomacinë evropiane.
Në pyetjen përherë aktuale se si ta ruajmë tërësinë e çështjes,përgjigjja është shumë e thjeshtë:me mosmiratimin e copëtimeve të reja.Projekti i decentralizimit po kërcënon me rrezikun e copëtimeve në vija etnike,ndërkohë që për Kosovën Lindore nuk po thuhet asnjë fjalë,madje as “sa ndërgjegje për të larë”.Në këtë mënyrë,po vazhdojmë të pjesëtohemi,në vend se të shumëzohemi,prandaj po na ndodhë që të rritemi si popull,e të tkurremi si komb.
Shkaku është se na mungon një platformë për udhën,mënyrën dhe mjetin e shtruarjes së çështjes sonë si një dhe të bashkuar,me gjithë ndarjet e imponueshme përgjatë historisë.Na mungon modeli i veprimit të përbashkët.Na mungon ecja e përbashkët nëpër sfidat e mëdha të kohës nëpër të cilat po ballafaqohemi.Problemi qëndron se ne ende kultivojmë logjikën partia mbi të gjitha dhe para së gjithash,në vend të filozofisë së re politike:populli dhe kombi mbi partinë.