Qysh nga fillimi i negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit,bashkësia ndërkombëtare ishte e vetëdijshme se nuk do të arrihet marrëveshje e palëve, duke pasur parasysh pozicionet e tyre të skajshme. Megjithatë,ajo këmbënguli që palët “t’i ulë në tavolinën e bisedimeve”në mënyrë që të gjejë pretekst për zgjidhjen e ofruar,si një kompromis që,në fakt,përbën thelbin e negociatave,kur asnjëra palë nuk merrë atë që ka pretenduar të marrë.

”Loja me negociatat”i ka shërbyer bashkësisë ndërkombëtare për “të kërkuar mesin”,në mënyrë që të dyja palëve “t’iu imponojë një zgjidhje”me të cilën që të dyja  të mund “të arsyetoheshin”para popullit të vet se “ja, kështu vendosen të tjerët”dhe se “ne nuk patëm derë tjetër”.
Kosova do “të paguajë çmimin”e një statusi që atë “e shpie përpara”,por që,megjithatë,”nuk e dërgon në stacionin e fundit”.Në Kosovë edhe pas statusit do të ketë një lloj “bashkëqeverisjeje”,por kësaj rradhe jo me UNMIK-un,por me Bashkimin Evropian i cili,misionin e vet nuk do ta përqëndrojë vetëm në monitorim,siç mendohej fillimisht,por që do ta shtrijë gjithandej në administrimin e disa fushave të jetës në Kosovë që,padyshim,kufizojnë sovranitetin e Kosovës.Me sa po mund të kuptohet nga procesi i decentralizimit,sovraniteti do të kufizohet edhe “brendapërbrenda Kosovës”,me mosshtrirjen e plotë të autorizimeve të institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj.Ndërkohë që ende nuk dihet për modalitetet e vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vetë statusin e ri të Kosovës. Pra,mbi Kosovën ende “ka një mjegullnajë”që duhet të pastrohet,në mënyrë që të merret përgjigje e saktë në pyetjen se cila do të jetë Kosova e passtatusit. Sidoqoftë, Kosova po vëhet para aktit që “të pajtohet me të papajtueshmen”.
A do të pajtohet edhe Serbia me të papajtueshmen?Presidenti serb ditë më parë mori përgjigjen në Uashington se ç’mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës.Ata nuk do të kenë shumë alternativa para vetës.Dilema e tyre mund të jetë:pa Kosovën në Evropë,apo me Kosovën jashtë Evropës?
Muajt e ardhshëm do të dëshmojnë se cila prej palëve “do të shpëtojë”atë që ende mendon se “mund të shpëtojë”.Po qe se palë tregohen “këmbëngulëse”në mbrojtjen e pozicioneve të veta,bashkësia ndërkombëtare mund të ofrojë “një zgjidhje të ndërmjetme”që mund të lë të hapura shumë çështje.Nuk do të dëshironim që çështja e Kosovës të mos merr fizionominë e një çështjeje të zgjidhur,duke e lënë në pritje sanksionimin e statusit të saj politik-juridik ndërkombëtar,të mbështjellur në një “mjegullnajë”tjetër diplomatike.Nuk do të dëshironim që përcaktimet e bashkësisë ndërkombëtare të jenë ekuivoke,me mundësi për interpretime të ndryshme,sepse ashtu do të krijohej “ndjenja e të qenit shtet” pa mundësinë e funksionimit të plotë të tij.Kjo është ajo që nuk i duhet Kosovës.Kjo është edhe arsyeja që përherë kemi menduar se kryefjalë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës është e drejta e saj për vetëvendosje.Vetëm realizimi i asaj të drejte do ta shpiente Kosovën në “stacionin ku pret populli i saj”.