Të gjithë ata që ishin shprehur se referendumi për kushtetutën serbe nuk ka asnjë ndikim në çështjen e Kosovës,e morën përgjigjen nëpërmjet vendimit të Ahtisaarit për shtyrjen e propozimit të tij në lidhje me statusin e Kosovës për shkak të zgjedhjeve të paralajmëruara në Serbi.Të gjithë ata që nuk prisnin shtyrjen e publikimit të pakos së Ahtisaarit në lidhje me statusin e Kosovës për shkak të këmbëngulësisë amerikane që procesi të rrumbullakohet në vitin 2006,janë ndërgjegjësuar se sa është me ndikim Bashkimi Evropian i cili i pari kishte zënë në gojë mundësinë e shtyrjes.

Në këtë mënyrë,prej të premtës,një e panjohur u bë e njohur,edhe pse në të vërtetë,ajo e panjohur ishte e njohur shumë më heret,sepse kishte ndodhur legalizimi i heshtur i shtyrjes së procesit me vetë faktin se një kohë relativisht të gjatë nuk u mblodh asnjë prej qendrave ndërkombëtare të vendosjes për të marrë një qëndrim të prerë në ç’mënyrë,indirekt, u krijua mundësia që Serbia të përcaktojë kalendarin e procesit për Kosovën, duke u verifikuar si një faktor  vendimtar në të.Kështu,në fakt,ndodhën dy shtyrje.E para,u shtye publikimi i pakos së Ahtisaarit në lidhje me statusin e Kosovës.E dyta,u shtye diskutimi i pakos për statusin e Kosovës.Grupi i Kontaktit u ligshtua para Bashkimit Evropian dhe ky është një fakt shumë domethënës që mund të jetë me ndikim të mëtejshëm në procesin as të përfunduar dhe as të rrumbullakuar në lidhje me statusin e Kosovës.

E panjohura tjetër e njohur është që Serbia do të provojë të shantazhojë procesin,madje ta bëjë shumë të komplikuar.Më në fund,kompleksitetin e procesit e ka paralajmëruar edhe kancelarja gjermane,Merkel,e cila këto ditë u shpreh se zgjidhja e statusit të Kosovës do të jetë një rrugë e komplikuar për të cilën duhet që të gjithë të jenë të vetëdijshëm që duhet të ketë kompromise.Me shtyrjen e procesit,Serbia do të përpiqet të relativizojë propozimin e Ahtisaarit,sado që thuhet se shtyrja nuk do të ndikojë në përmbajtje e cila,edhe ashtu,për sa është bërë e njohur,nuk korrespondon me vullnetin e plotë të popullit shumicë,së paku jo në këtë fazë.Fjala e kancelares gjermane nuk duhet marëë  si një deklaratë të thjeshtë,përballë faktit se vendi i saj,prej janarit  deri në fund të qershorit 2007 do të kryesojë Bashkimin Evropian dhe gjykuar sipas disa rezervave gjermane në lidhje me modalitetet e statusit të ri të Kosovës.Përveç kësaj,mbetet të shihet se cilat do të jenë prioritetet e politikës së jashtme gjermane gjatë kryesimit të Bashkimit Evropian.

Sidoqoftë,çështja e Kosovës në vend se të jetë para fillimit të fundit,prej së premtës është para fillimit të ri.Ata që nuk e kishin pritur që do të mund të ndodhë kjo,duhet që të jenë të vetëdijshëm se shtyrja e procesit do të mund të prodhojë edhe të papritura të tjera.