HISTORIA E SHTETEVE “MËSON” SE NJË VEND OSE ËSHTË OSE S’ËSHTË SHTET; KA OSE NUK KA PAVARËSI;KA OSE NUK KA SOVRANITET                      

Prej kohës së shtyrjes së procesit për vendosjen e statusit të ri të Kosovës,Kosova ka hy në një periudhë të re vonimi,ngecjeje dhe paqartësie.[1]

Kosova është në pritje të propozimit të Ahtisarit,edhe pse kornizat e përmbajtjes së tij,sado që ende “mbahen sekrete”,tashmë “janë bërë publike”. [2]
Ajo që nuk do të dëshironim të ndodhte është që të kemi një dokument shumë të përgjithësuar të Ahtisarit që do të prodhonte  një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me njëfarë zgjidhjeje  dykuptimshe që vetëm do të hapte një portë  për mundësinë e krijimit të njëfarë shteti,i cili do të mund të gëzonte njëfarë pavarësie dhe që do të mund të vishej me njëfarë sovraniteti.Po qe se zgjidhja do të ishte e interpretueshme,vetë statusi dhe zbatimi i tij do  të përbënin sfidat më të mëdha për Kosovën e passtatusit.[3] 


Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të mund të quhej e rrumbullakuar po qe se ajo nuk do të shoqërohej me njohjen e subjektivitetit politik-juridik dhe ndërkombëtar të Kosovës.
Statusi nuk do të mund të quhej përfundimtar,po qe se në Kosovë do të vendosej një prani e theksuar ndërkombëtare, ushtarake dhe civile,për të cilën po debatojmë në këtë tryezë, dhe po qe se Veriu i Kosovës nuk do të integrohej në tërësinë territoriale të saj.[4]
Shkaqet për një prani,jo krejtësisht të lehtë ndërkombëtare siç u shprehen disa nga oratorët sot, por relativisht të theksuar,veçanërisht të BE-së në Kosovë edhe pas vendosjes së statusit të ri të saj,po kërkohen  në një trekëndësh arsyetimesh,prej vlerësimit të bashkësisë ndërkombëtare “për kapacitetin ende të ulët” të Kosovës “për ta administruar plotësisht vendin”,nëpërmjet të ndjenjës(që është shndërruar në besim të bashkësisë ndërkombëtare)”për shkallën e lartë të mosbesimit” ndërmjet shqiptarëve e serbëve deri tek pothuaj se një “marrëveshje brenda bashkësisë ndërkombëtare për kufizimin e sovranitetit të Kosovës”.

Ministri i Jashtëm Suedez [5] kohë më parë,në letrën e tij dërguar homologëve të tij evropianë,shtroi disa pyetje thelbësore për  statusin e Kosovës,duke filluar nga ajo nëse BE-ja duhet të marrë kontrollin mbi pjesën veriore të Kosovës ose të pranojë “de facto”ndarjen.
Shtyrja e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës ka krijuar hapësirë dhe mundësi për të ngritur ca shqetësime në lidhje me të.[6]
Bëhet fjalë për adresimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së,me ulëse në OKB;me garanci të fuqishme ndërkombëtare për të mbrojtur integritetin territorial;për të siguruar zbatimin e ligjeve unike në gjithë territorin dhe për të vendosur një prani të përkohshme ndërkombëtare,të kufizuar në kohë dhe në përmbajtje, duke mos shpërthyer kornizat e një mbikëqyrjeje të zbatimit të statusit të ri të vendosur.
Nga më shumë shqetësime që do të mund të paraqiteshin në lidhje me adresimin e statusit të ri të Kosovës,edhe me këtë rast,po veçojmë disa prej tyre.
E para,paqartësia e mundshme politike dhe legale e statusit.[7]
Historia e shteteve “mëson” se një vend ose është ose s’është shtet;ka ose nuk ka pavarësi;ka ose nuk ka sovranitet.Kosova mund të krijojë kontraktualitet me OKB-në,BE-në dhe NATO-n vetëm si shtet i pavarur dhe sovran,me ulëse në OKB,i barabartë me shtetet e tjera.
E dyta,mundësia e përsëritjes së UNMIK-ut nëpërmjet të BE-së,po qe se do të vendosej një administratë relativisht e fuqishme ndërkombëtare “me fuqi të interpretimit të mandatit të vet”.Një prani shumë e theksuar e BE-së,me fuqi të mëdha ekzekutive, do të mund të krijonte një mentalitet të ri vartësie nga i cili Kosova nuk do të mund të çlirohej shpejtë.Kosova mund të dalë nga një “rreth i mbyllur”në të cilin ndodhet prej se është vendosur nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar vetëm nëse merr në duart e veta fatet e veta,e vetëdijshme se po qe se do të pavarësohej, se as pavarësia eventuale nuk do të ishte  ilaç i vetëm për sfidat e passtatusit.
E treta,vështirësimi, deri në shkallë të pamundësisë,i shtrirjes së jurisdiksionit të institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të saj.
E katërta,izolimi i territoreve të Kosovës ku jetojnë dhe ku do të jetojnë serbët në bazë të projektit territorial dhe etnik të decentralizimit dhe vartësia e tyre prej Beogradit.

Atë që do të duhej ta kishte parasysh Këshilli i Sigurimit të OKB-së është që “të mos përsëritej Bosnja në Kosovë”,i vetëdijshëm se Bosnja e ndërtuar mbi parimin etnik është bërë një shtet jofunksional.Edhe pse edhe këtu sot u tha se nuk do të përsëritet Bosnja në Kosovë,megjithatë kërcënon rreziku që kjo të ndodhë,jo vetëm për shkak të përsëritjes së modelit të pranisë ndërkombëtare,por edhe  po qe se Kosova e tëra do të ndërtohej mbi konceptin shumetnik,duke mos qenë fare shoqëri shumetnike.Kosova është me shumicë dominante shqiptare dhe ky fakt do të duhej të ishte boshti kryesor nga i cili do të duhej të buronin parimet dhe zgjidhjet për Kosovën.Prandaj,po qe se projekti i Bosnjës është treguar i dështuar dhe po qe se dihet se realitetet në Bosnjë dhe në Kosovë ndryshojnë,cila është arsyeja që Bosnja të ndodhë në Kosovë?
Se administrimi ndërkombëtar në Kosovë do t’i ngjajë atij në Bosnjë e ka pranuar vetë z.Sohlstrom,edhe pse ai sot shfaqi një mendim të devijuar.Ai është shprehur se Zyra Civile Ndërkombëtare e ardhshme në Kosovë do t’i ngjajë Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë në disa aspekte kyçe.Madje,edhe analisti i njohur,Tim Judah,në një shkrim të tij [8] thotë se “Misioni i ardhshëm ndërkombëtar në Kosovë do të jetë shumë i ngjashëm me modelin e përdorur në Bosnjë e Hercegovinë që nga viti 1995”.Në lidhje me këtë model,ai shprehet se “do të ketë profil të lartë,por ndoshta nuk do të mund ta ndalë shkëputjen e serbëve”.Tim Judah parasheh që “Qeveria e Kosovës nuk do të ketë kurrëfarë autoriteti në rajonet veriore ku institucionet e Qeverisë së Serbisë, megjithatë,do të vazhdojnë të operojnë”.Ndërkohë që z.Sohlstrom ka thënë se kreu i misionit të ri do të intervenojë vetëm në fushat si “decentralizimi,trashëgimia religjioze dhe kulturore,të drejtat e minoriteteve dhe siguria”,për të komentuar Tim Judah “në çdo gjë që ka rëndësi”.
Nuk mund të mos shpreh shqetësimin tim për mundësinë e përsëritjes së Bosnjës edhe me rastin e hartimit të Kushtetutës së Kosovës.Presioni i negociatave mund të dëmtojë rëndë kushtetutëbërjen.
Kosova është në periudhën dramatike dhe kritike të marrjes së vendimit për të ardhmen e saj.
Kosova është në fokus të zhvillimeve të diplomacisë botërore.Kosova është në “pritje të madhe”të një statusi të ri të saj i cili do të mund ta nxirrte nga një “rreth i mbyllyr”në të cilin është për më shumë se shtatë vjet,por njëkohësisht dhe të mbahet peng i një statusi të ri i cili nuk do të rrumbullakohej dhe nuk do të përmbushte vullnetin e popullit.
Kosova e cila,edhe ashtu ka bërë mjaftë koncesione në procesin negociator nëpërmjet të përfaqësuesve të saj,do të mund të detyrohej që “e shtyer për muri”të miratojë zgjidhje që do të cungonin vetëqeverisjen e saj,po qe se oferta ndërkombëtare nuk do të përkojë e tëra me kërkesat e saj.Po qe se do të ndodhte kjo,atëherë Kosova do të ballafaqohej me shumë sfida të vetë statusit dhe të zbatimit të tij,e vetëdijshme  se qoftë  edhe pavarësia e shpallur prej saj nuk do të jetë çelësi i vetëm i përballimit të tyre.
Po qe se zgjidhja e ofruar për Kosovën do të ndiqte “trajektorën e Marrëveshjes së Dayton-it në Bosnjë e Hercegovinë”që,me të të vendosej “territorializimi etnik i Kosovës”si parim themelor,do të mund të kërcënohej me rrezikun që epilogu i statusit të ardhshëm të Kosovës të mos jetë “ai i përfundimit të krizës çfarë do të mirëpritej nga të gjithë”,por do të hapte një kapitull të ri ku “kriza e trashëguar nga 1999-ta thjeshtë do të zhvendosej në premisa të reja dhe do të merrte një dinamikë tjetër”.Në atë mënyrë,”konflikti me Serbinë nuk do të përmbyllej,por do të kalonte në premisa të tjera”.Po qe se do të krijohej një “gjendje e kërcënimit të përhershem të krizës”,Kosova qoftë edhe “formalisht e pavarur”,në vend se “të ecte drejt procesit të menjanimit të kontrollit të jashtëm politik”(çfarë do të duhej të ndodhte me një shtet sovran),ajo do të vazhdonte të zhytej nën një “kolonizim politik postmodern”,siç e quajti një analist yni këtyre ditëve,pikërisht për shkak të një projekti të decentralizimit etnik që do të mund ta shpënte Kosovën në një “konflikt të territorializuar etnik”,me gjasa shumë reale “të rritjes së dukshme të rolit politik të misionit të ri ndërkombëtar në Kosovë”.Në këtë mënyrë,paralajmërimi i krijimit të një mentaliteti të ri vartësie në Kosovë do të bëhej i themeltë.                   
Normal 0 false false false MicrosoftInternetExplorer4 /* Style Definitions */ table.MsoNormalTable {mso-style-name:"Table Normal"; mso-tstyle-rowband-size:0; mso-tstyle-colband-size:0; mso-style-noshow:yes; mso-style-parent:""; mso-padding-alt:0in 5.4pt 0in 5.4pt; mso-para-margin:0in; mso-para-margin-bottom:.0001pt; mso-pagination:widow-orphan; font-size:10.0pt; font-family:"Times New Roman"; mso-ansi-language:#0400; mso-fareast-language:#0400; mso-bidi-language:#0400;}

[1]Ka hyrë në një periudhë vonimi,sepse ishte premtuar se tërë procesi i zgjidhjes së statusit do të përmbyllet në vitin 2006.Ka hyrë në një periudhë ngecjeje,sepse pa status të përkufizuar mbahen të bllokuara shumë procese zhvillimore.Ka hyrë në një periudhë paqartësie,sepse ndërkohë do mund të ndodhnin zhvillime që do të mund të ndikonin drejtpërsëdrejti ose në mënyrë të tërthortë në përmbajtjen e zgjidhjes.

 

[2]Pakoja e Ahtisarit përmbledh statusin e pakicave,në mënyrë të veçantë atë të pakicës  serbe dhe mbrojtjen e interesave të saj.Ahtisari,natyrisht, nuk e ka mandatin për të adresuar zgjidhjen,por vetëm atë që,nëpërmjet të propozimit, t’i vë kornizat e saj,në mënyrë që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të mund të marrë vendimin i cili në nuanca mund të jetë i ndryshëm nga propozimi i tij.

 

[3]Zgjidhja e tillë  nuk do ta dërgonte Kosovën “në stacionin e fundit”,por “do ta linte”edhe për një kohë “në sallat e pritjes”.

 

[4]Natyrisht se as pavarësia e Kosovës nuk do të mund të kualifikohej si “zgjidhje përfundimtare”,duke pasur parasysh synimet historike të shqiptarëve për bashkimin e tyre.Kjo është arsyja që pavarësinë e Kosovës shqiptarët e shohin si një zgjidhje të ndërmjetme, si një “solucion të baraspeshuar për këtë kohë”.   

 

[5] Bildt. 

 

[6]Këtij qëllimi mëton t’i shërbejë edhe kjo tryezë.

 

[7]Edhe pse kohëve të fundit sikur janë ngjeshur kërkesat edhe nga Bashkimi Evropian që statusi të qartësohet politikisht dhe legalisht. 

[8]"Koha Ditore”,Prishtinë,28 tetor 2006.