Thonë se njerëzit jetojnë ashtu siç “e meritojnë”.A thua njerëzit në Kosovë “nuk e merituan”të jetojnë më mirë në vitin tashmë veç të kaluar,nëse jetë i kanë thënë asaj që kanë jetuar.Ndoshta ishin aq shumë “të preokupuar”që të “jetojnë mirë”,saqë “harruan të jetojnë”.Ka njëmijë e një përkufizim për jetën,por ka vetëm një jetë:”E gjithë jeta sillet në mes asaj që duam dhe asaj që bëjmë”. Bilanset e fundvitit  treguan se në Kosovë dëshiruam më  më shumë se ç’bëmë.U sollëm si në “një lavirint”në të cilin “ecëm shtrembër”për “të dalë në rrugë të drejtë”,prandaj “nuk arritëm në cak”.Të jetosh më mirë është qëllimi kryesor i jetës.

Në Kosovë jetohet me shpresë se në Vitin e Ri do të jetohet më mirë.Shpresa është,vetëvetiu,”një lloj fati” dhe ndoshta “fati më i madh që  na ka falë kjo botë”. Sado që mund “të mashtrojë”,shpresa “të mban gjallë”.Mirëpo, një proverb tërheq vërejtjen:”Kush rron me shpresë,vdes uni”.Në Kosovë po jetohet me shpresë se pavarësia eventuale e saj do të ishte  “ilaç”për të gjitha sëmundjet nga të cilat lëngon Kosova,pa vra mendjen se ajo nuk do t’i përmbyllte problemet,por vetëm sa do t’i hapte  ato për zgjidhje.Sa më heret që e kuptojmë këtë,aq më mirë,sepse Kosova ende më shumë “i ngjan fëmijës”që “sapo ka lindur i dobët” dhe i cili “mbahet në jetë me infuzion”. Kosova po hyn në Vitin e Ri me shpresa të vjetra:në pritje të asaj që dëshiron të vijë;në pritje të së ardhmes që prêt të vijë dhe në pritje të së nesërmes që do të vijë faktikisht.Nuk do të dëshironim që në Kosovë ditët “të vijnë e të ikin”,e progresi të mos duket.Eshtë shumë e vërtetë se “Ajo që rritet ngadalë,i rreziston kohës”,por është gjithashtu shumë e vërtetë se “Gjithçka mund të degjenorohet,nëse nuk përparon”.Sfidat me të cilat do të ballafaqohet e ardhmja e Kosovës nuk janë të vogla.Të kundërtën,ato janë shumë të mëdha.Eshtë shumë shqetësuese gjendja e ekonomisë.Shkalla e ulët e zhvillimit ekonomik kërcënon edhe me një rrezik të karakterit politik.Ajo do të mund të sherbente si pretekst që monitorimi(lexo intervenimi)i Bashkimit Evropian në Kosovë të jetë i fuqishëm dhe i gjithëpërfshirshëm,në ç’mënyrë në Kosovë do të mund të krijonte një mentalitet të ri vartësie,e ai vetëvetiu do të mund të reduktonte  “rritjen e fëmijës me qumështin e nënes së vet”që,s’ka dyshim,njihet si rritja më e shëndoshë. Përgjithësisht,është e njohur se më mirë se “me duart e huaja”,ndërtohet “me duart tua”.Gjendja në të cilën ndodhemi nuk mund të përballohet as lehtë dhe as shpejtë,veçanërisht po qe se sot nuk marrim pjesë në ndërtimin e themeleve në mënyrë që nesër të mos rrënohen kulmet.Gjërat “nuk do të lëvizin vetë prej vendit”,po qe se do të mungojnë veprimet “për t’i lëvizur”.Shoqëria e tashme në Kosovë  ka një karakter heterogjen.Kontradiktat në të dhe rreth saj do të mund të kapërceheshin vetëm po qe se funksionimi i saj dhe i institucioneve të saj do të bazoheshin në bërthamat e demokracisë dhe do t’i përmbaheshin një parimi që buron drejtëpërsëdrejti prej saj,që “balanca e koparticipimit të pakicës demografike”në shoqëri të vendoset me respektimin e realitetit demografik në gjithë territorin e Kosovës.Me përmbushjen e këtij parimi do të ishim shumë më afër përgjigjes se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës dhe si do të ndërtohen themelet e saj sot,në mënyrë që nesër të mos ndodhin rrënimet e kulmit.