Debati në Kuvendin e Kosovës rreth Pakos së Ahtisarit,që “më mbajti ngjitur për ekran”deri në mëngjesin e së shtunës,dëshmoi ekzistimin e dy pikëpamjeve të skajshme që kanë deputetët e Kosovës për dokumentin e Ahtisarit rreth statusit të ardhshëm të Kosovës.Në fakt,Pakoja e Ahtisarit,prej publikimit të saj,në Kosovë nxiti dy ndjenja të skajshme:optimiste dhe pesimiste.Që të dyja u ndërtuan mbi bazë të supozimeve.Ndjenja e parë mbi supozimet se dokumenti i Ahtisarit profilizon statusin e ardhshëm të Kosovës,

Duke e përfillur vullnetin e popullit shumicë të saj,ndërsa ndjenja e kundërt me të,duke supozuar pikërisht të kundërtën:se dokumenti i Ahtisarit e shpërfill vullnetin e popullit shumicë të Kosovës.Këto dy ndjenja të skajshme,të krijuara rreth dokumentit të Ahtisarit, pothuajse “nxorën prej loje”ndjenjën realiste e cila dokumentin e Ahtisarit e sheh si pjellë të rrjedhave që ka marrë procesi për vendosjen e statusit të Kosovës dhe se fryti i tij do të jetë pikërisht rezultati përfundimtar i atyre rrjedhave që “mund të lëvizin”,por që nuk mund të ndryshojnë në thelb.Pikënisje e referimit të atyre rrjedhave është se çështja e Kosovës,nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, “ende nuk është pjekur për zgjidhje të plotë”.Mendohet të jenë,së paku,tri arsye kryesore për këtë.Së pari,përshtypja e bashkësisë ndërkombëtare e cila pothuajse është shndërruar në bindje të saj,se Kosova ende ka kapacitet të ulët institucional për ta administruar plotësisht vëndin.Së dyti,ndjenja e bashkësisë ndërkombëtare që pothuajse është shndërruar në besim të saj, për shkallën e lartë të mosbesimit ndërmjet shqiptarëve e serbëve.Së treti,një marrëveshje e pashkruar në bashkësinë ndërkombëtare që pothuajse është shndërruar në konsensus brenda saj, që edhe pavarësia,edhe sovraniteti eventual i Kosovës, ndieshëm të kufizohen.Këtu mund të qëndrojnë shkaqet përse formulimet në dokumentin e Ahtisarit nuk e qartësojnë plotësisht statusin i cili,ç’është e vërteta,paralajmërohet,por nuk sigurohet,brenda një kornize garancish shumë të mëdha për komunitete,veçanërisht për komunitetin serb dhe të mbikëqyrjes shumë të gjerë të zbatimit në jetë të tyre nga një prani e fuqishme ndërkombëtare civile në masën që,edhe pavarësinë dhe sovranitetin e deklaruar eventual të Kosovës,do t’i përpjestonin për tre.Prandaj,e ardhmja e Kosovës,nga ana e bashkësisë ndërkombëtare  trajtohet si një proces me shumë se si një akt i menjëhershëm,një proces  i cili Kosovën dhe shqiptarët do t’i mbajë në ethe edhe për një kohë të cilën është shumë vështirë ta parashikosh.Ajo që dhemb dhe që duket sheshit,edhe në dokumentin e Ahtisarit, është dyshimi në vlerat civilizuese të shqiptarëve si popull dhe si komb që,në mënyrën më të vrazhdë të mundshme,shprehen në konceptin e Ahtisarit rreth mbrojtjes së trashëgimisë religjioze dhe fetare serbe,përmes zonave të sigurisë që,për shkak të mënyrës se si është ndërtuar ai,më së paku, mund të thuhet se është jocivilizues.Ndoshta,kjo është edhe një arsye me shumë që dokumenti i Ahtisarit është zhveshur nga qenia kombëtare shqiptare,që hesht qenien e tyre si popull dhe si komb dhe që tret parimin e demokracisë mbi shumicën dhe pakicën parlamentare.Në këtë mënyrë,shqiptarët si duket, duhet të presin  edhe ca kohë që, pas 500 vjetësh “Lepe,pekej,Abej”,pas afro njëqind vjetësh “razumem druzhe”,pas gati tetë vjetësh “Yes,sir”,përfundimisht të kalojnë në “Po,zotëri”.