Kryeadministratori i Kosovës,Joachim Ruecker,vështirë të ketë bërë “gjumë të rehatshëm”të martën mbrëma, pas pohimeve të tij se “ka besim”në Kryepolicin e Kosovës,Stephen Curtis të cilit,vetëm një ditë më vonë “i kërkoi dorëheqjen”.Sistemi i përgjegjësisë mbështetet mbi parimin se nuk mund t’i ikësh, megjithë përpjeket që të të kursejnë nga ajo,siç bëri z.Ruecker për “t’ia shpëtuar fytyrën” njeriut të parë të policisë ndërkombëtare në Kosovë.

Ç’është,në të vërtetë,përgjegjësia? Në kuptimin më të përgjithshëm,përgjegjësia paraqet raportin midis veprimit dhe pasojave të tij. Praktika deri më tash ka dëshmuar se sa mund të jetë kompleks ky institucion në modalitetet e veta,por edhe sa i thjeshtë në parimin e vet.Secili që është në gjendje ta kuptojë ligjin,është përgjegjës para tij. Në ushtrimin e çfarëdo lloji dhe forme të pushtetit, secili individ ose organ zyrtar merr pësipër autorizime të caktuara që i besohen për të kryer një funksion të caktuar, por njëkohësisht merr përsipër edhe përgjegjësinë që të veprojë në përputhje me autorizimet që i janë dhënë. Në këtë raport autorizimesh dhe veprimesh në përputhje me to vendoset shkalla e përgjegjësisë,së cilës nuk mund t’i shmanget asnjë bartës i funksionit publik,pra as z.Curtis. Shoqëria përgjithësisht, qoftë dhe kjo e Kosovës në mënyrë të veçantë, nuk mund të jetë indiferente ndaj sjelljes së titullarëve të funksioneve publike, qofshin ata edhe ndërkombëtarë,sepse misioni i tyre i adresohet sundimit të ligjit në Kosovë, prandaj dhe sjellja e tyre duhet të korrespondojë me normat e caktuara të veprimit brenda asaj shoqërie,norma të cilat,nga njëra anë,të veshin  me të drejta të caktuara,por që,nga ana tjetër,të përcaktojnë detyrime. Ndërgjegja e formuar për ushtrimin e funksionit publik përbën karakteristikën qëndrore të përgjegjësisë politike. Pikëpamjet  si ato, se e drejta paraqet një element të tejkaluar të forcës shtetërore nuk mund të qëndrojnë përgjithësisht dhe në rastin e kryepolicit të Kosovës,në mënyrë të veçantë.Ato nuk mund të sherbejnë si arsyetim për shmangien e përgjegjësisë së titullarëve të funksioneve publike,veçanërisht në ato shoqëri të cilat “edukohen për sundim të ligjit” dhe “ngritje të ndërgjegjës”.Te z.Curtis janë bashkuar edhe përgjegjësia objektive dhe ajo subjektive për ndodhitë tragjike të 10 shkurtit dhe kjo është arsyeja që ai,edhe po qe se do të mund të përpiqej t’i shmangej përgjegjësisë,nuk do të mund të shpëtonte pa ndëshkim.Ekzistojnë veprime ose mosveprime  të titullarit të funksionit publik të cilat,me peshën e vet dhe ndikimin e drejtpërdrejt ose të tërthortë në ngjarje të caktuara,e bëjnë të pamundshme objektivisht mbetjen e titullarit të funsionit publik në post të caktuar.Titullari i funksionit publik,në rastet më të shpeshta,paraqet dorëheqjen e vullnetshme,si akt moral,me të cilin shkëput raportin midis autorizimeve dhe veprimeve që ka ndërmarrë ose që ka qenë dashur t’i ndërmarrë.Por,me z.Curtis,po sikurse edhe me titullarët e tjerë të funksioneve publike,në situata tragjike,sikur që ishte kjo në Kosovë,mund të mos përfundojë me një “akt të detyruar”.Dorëheqja përgjithësisht,edhe në shembullin e kryepolicit të Kosovës,në mënyrë të veçantë,nuk është dhe nuk mund të jetë mjet i vetëm  për t’iu shmangur përgjegjësisë.Dorëheqja nuk duhet të përjashtojë format e tjera të përgjegjësisë,po qe se hetimet do të mund ta ngarkojnë titullarin e funksionit publik.Ajo që nuk do të dëshironim të ndodhte,ajo që nuk do të mund të shëronte plagët e familjeve që prej 10 shkurtit janë veshur në të zeza,është që të mos vazhdohet me të vjetrën se “hetimet vazhdojnë”,për të mos u mbyllur kurrë.Kosova është ngopur me premtime se bashkësia ndërkombëtare është këtu “për të vendosur rend e qetësi”.Eshtë lehtë “t’i adresohet  përgjegjësia”një lideri të një lëvizjeje ose tërë një lëvizjeje, e të mos gjykohet gjithanshëm për të gjithë shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike që “Kosovën e paqes”e “kthyen në Kosovën e luftës”.Për Kosovën ky mund të jetë,në mos asgjë tjetër,një “karton i verdhë” që të pranojë sugjerime,por jo dhe nënshtrime që mund të gjenerojnë situata edhe më të rënda se kjo.Prandaj,Kosovës i duhet që sa më shpejtë të merr “fatet e veta në duart e veta”dhe për gjendjen në Kosovë të marrë përgjegjësi të plota,sepse me të drejtë thuhet se “asgjë më mirë nuk mund, as të ndërtohet dhe as të mbrohet, me duart e huaja se me duart tuaja”.