Padyshim se Kosovës pas një periudhe shumë të gjatë të hezitimeve,bashkësia ndërkombëtare,bazuar edhe në rezultatin e negociatave,sado të brishta,ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,po i ofron një dokument i cili pretendon të sugjerojë statusin e ardhshëm politik,juridik dhe ndërkombëtar të saj.Edhe bashkësia ndërkombëtare,më në fund,u ndërgjegjësua se status quoja në Kosovë është e paqëndrueshme dhe se ajo paraqet një pengesë serioze për shumë procese zhvillimore të Kosovës.Gati tetë vjet prej vendosjes së Kosovës nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar,Kosova u mbajt peng e përmbushjes së standardeve,një pjesë prej të cilave  janë të paarritshme edhe për një numër të vendeve të botës së civilizuar.

Kosova për një periudhë relativisht të gjatë u gjend në fokus të zhvillimeve të diplomacisë botërore,por deri më sot,pa ndonjë përpjekje për të profilizuar të ardhmen e saj politike,juridike e ndërkombëtare.Prandaj,Pakoja e Ahtisaarit,nga shumë zyrtarë e analistë botërorë,u çmua si një dokument me të cilin hapet pjesa përmbyllëse e përkufizimit të statusit të ri të saj,edhe pse jo në rrugën që ishte ndjekur për ish-republikat e Jugosllavisë që automatikisht do të nënkuptonte deklarimin e lirë të popullit për të vendosur për fatin e tij në të ardhmen.Cështja e Kosovës,nga ana e bashkësisë ndërkombëtare,u shtrua në një dritë tjetër të zgjidhjes së saj që nënkupton një proces nëpër të cilin duhet të kalohet në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare,madje dhe në vartësi të saj.Këtu qëëndron arsyeja që Kosovës paraprakisht, përpara se të deklarohej Kuvendi i saj,t’i vëhen disa kufizime e kushte nëpërmjet të Pakos së Ahtisaarit e cila,në formë të një marrëveshjeje,do të ketë supremacionin ndaj aktit më të lartë juridik të Kosovës i cili duhet të jetë në përputhje me të.Cfarë,në të vërtetë,ofron Pakoja e Ahtisaarit?Po qe se do të shikoheshin dy anë të medaljes së një propozimi,përmbledhja më e shkurtër e ofertës do të mund të shprehej në këtë mënyrë.Një,rrugën eventuale të shpalljes së pavarësisë,por jo dhe garancinë për qëndrimin konsensual të bashkësisë ndërkombëtare për ta njohur atë;Dy,mundësinë e ecjes nëpër pavarësinë eventuale,por edhe kufizimet e ndieshme të ecjes nëpër të.Së treti,mundësinë eventuale e “të qenët sovran”,por edhe sovranitetin e deklaruar,të përpjestuar,e jo të plotë.Së katërti,hapjen e procedurës për shfuqizimin e Rezolutës 1244,por jo dhe garancinë për miratimin e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.Së pesti,mundësinë e bërjes së Kosovës me kushtetutë dhe me simbole,por jo edhe të drejtën e plotë të saj  për të përcaktuar përmbajtjen dhe zgjidhjet konkrete të tyre.Së gjashti,prani ndërkombëtare  civile,të udhëhequr nga BE-ja,por me ndërhyrje dhe fuqi ekzekutive të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.Së shtati,mundësinë e krijimit të një Force të Re të Sigurisë,por edhe shpërbërjen e emblemës së luftës,TMK-së.Së teti,hapjen eventuale të rrugës për anëtarësimin  në mekanizmat ndërkombëtare, por dhe standarde shumë të larta për të realizuar këtë.Së nënti,nivelin më të lartë të mundshëm të administrimit për serbët në komunat e tyre,por edhe decentralizimin asimetrik në vija etnike,mbrojtjen e monumenteve kulturore dhe fetare të një populli a etnie dhe shkallën më të lartë të mundshme të vendimmarjes së pakicave,veçanërisht asaj serbe,në dëm të shumicës dhe të komuniteteve të tjera pakicë.Së dhjeti,shtetësinë e dyfishtë për qytetarët e ish-Jugosllavisë që kanë qenë banorë të Kosovës me 1 janar 1998,por edhe mundësëinë e serbëve për të manipuluar  me dokumente për ta realizuar këtë edhe ata që nuk i përmbushin kushtet,po sikurse edhe privimin nga kjo e drejtë e qindra mijëra shqiptarësh që jetojnë gjithandej nëpër botë.Këto përbëjnë dy anë të medaljes të një propozimi që e bëjnë atë që të mos mund të vështrohet vetëm nga dritat që reflektojnë,por edhe nga hijet  që  zvetënojnë.Prandaj,porosia është shumë e qartë:interpetimin e dokumentit duhet bërë ashtu siç është,e jo ashtu siç do të dëshironim ta interpretojmë,qoftë për ta mbështetur,qoftë për ta kundërshtuar.Por,para së gjithash dhe mbi të gjitha kujdes:bëhet fjalë për nëjë propozim,e jo për një vendim.

        Megjithë opinionet,kryesisht pozitive dhe afirmuese, për dokumentin, që janë krijuar në Grupin Negociator dhe në një pjesë të popullatës së Kosovës të cilat nuk paraqesin objekt të këtij këndvështrimi,mbi bazën e të dhënave të mësipërme,do të bëjmë një numër komentesh në zgjidhjet e ofruara në Pakon e Ahtisaarit,me qëllimin më të mirë që të nxisim mendimin më gjithëpërfshirës për të,duke pasur parasysh edhe disa faktorë shumë të rëndësishëm për të marrë një ose  një tjetër qëndrim në lidhje me dokumentin e propozuar,por ende të pafinalizuar për Këshillin e Sigurimit të OKB-së,faktorë këta që do të mund të shërbenin si pikënisje të shqyrtimit më të thelluar për mundësitë e avancimit të statusit politik,juridik e ndërkombëtar të Kosovës.

E para, është vërejtur me të drejtë se “në konflikte etnike vështirë gjendet një  zgjidhje ideale që do të miratohej nga të dyja anët,ose që do të kënaqte  secilën prej tyre veç  e veç”.

E dyta,është e vërtetë se”plani sugjerohet dhe mbështetet nga qendrat e diplomacisë evropiane dhe botërore”,si UE,SHBA,NATO.

E treta,s’ka dyshim se “në rast të moszgjidhjes së çështjes,do të mund të kërcënonte  rreziku i përjetësimit të konliktit”.

E katërta,qëndron vlerësimi se “shqiptarët, pa ndihmën e ndërkombëtarëve,nuk do të mund  t’a mbyllin kapitullin e Kosovës me pavarësi dhe sovranitet të plotë të saj dhe menjëherë”.

E pesta,është real gjykimi se “plani përbën ofertën e parë ndërkombëtare që,në fakt, ende nuk siguron dhe garanton shtetin,por që përmban elemente  premtuese për ta deklaruar atë”, nga vetë Kuvendi i Kosovës,duke e vendosur të ardhmen e saj  jashtë sovranitetit(ilegjitim) serb.

 

Megjithate,një numër komentesh në Pakon e Ahtisaarit mund të ndihmojnë për të kuptuar dritat dhe hijet e saj.

          

Komenti nr.1:Arsyet e hezitimit të Perëndimit për ta përmbyllur më shpejtë kapitullin rreth të ardhmes së Kosovës.

Theksohen tri arsye kryesore.E para,”ndjenja e fajit”të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për shkak “të solidarizimit me vendimin për bombardimet që NATO-ja i bëri në Kosovë”.E dyta,iluzioni se Serbia “është ndarë ndërmjet nacionalistëve dhe forcave pro-evropiane”dhe se pavarësia eventuale e Kosovës “do të mund t’i forconte të parët”.E treta,”ndjenja e frikës”brenda qarqeve diplomatike për pavarësinë e Kosovës nga vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

         

Komenti nr.2:Cfarë pasojash do të mund të prodhonte mungesa eventuale e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për statusin e ardhshëm të Kosovës?

 Një,Pakon e Ahtisaarit do ta lëntë pa asnjë fuqi për zbatim.Dy,Kosovën do “ta lëntë”edhe për një kohë të qeverisej me Rezolutën 1244.Tre,Kosovën përkohësisht do “ta shndërronte”në “tokë të askujt”.Katër,Kosovën përfundimisht do ta detyronte që ta shpallte pavarësinë dhe do ta lente të hapur mundësinë e njohjes eventuale të saj individualisht nga shtetet dhe,në këtë mënyrë,dukshëm do ta zvarriste njohjen e subjektivitetit politik-juridik e ndërkombëtar të Kosovës.

        

Komenti nr.3:Nga mund të vijnë pakënaqësitë më të mëdha në Kosovë?

Të parat,nga privilegjet e mëdha për serbët në dëm të territoreve të Kosovës dhe të të drejtave të shumicës shqiptare dhe të komuniteteve të tjera joserbe.

Të dytat,nga prania relativisht e fuqishme ndërkombëtare civile,me fuqi ekzekutive dhe të interpretimit të mandatit të saj.

        

Komenti nr.4:Cungimi i sovranitetit.

BE-ja,si udhëheqëse e Misionit të Pranisë Ndërkombëtare Civile në Kosovën e passtatusit,përveç rolit mbikëqyrës,do të ketë edhe kompetenca ndërhyrëse ekzekutive në rast të moszbatimit të vendimit për statusin e ri të Kosovës,por edhe një rol të rritur,veçanërisht në fushën e rendit dhe të ligjit.Problem i hapur mbetet:periudha e pranisë ndërkombëtare civile.Pakoja e Ahtisaarit nuk e saktëson periudhën e vazhdimit të pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë.Nëse periudha nuk saktësohet,vetvetiu kuptohet se do të ketë edhe një periudhë tjetër kalimtare të vazhdimit të pranisë ndërkombëtare civile e cila,”mund ta kthejë Kosovën në pikën ku ka qenë UNMIK-u” dhe,natyrisht,në Kosovë të krijojë një mentalitet të ri vartësie.

         

Komenti nr.5:Cfarë do të mund të ndodhte pas marrjes eventuale të vendimit për pavarësinë e Kosovës?


Ka tri paralajmërime,me gjasa më të vogla ose më të mëdha,që mund të ndodhnin.Së pari,”eksodet eventuale serbe”.Së dyti,”përpjekjet serbe për ta kundërshtuar zbatimin e vendimit dhe për ta destabilizuar rajonin”.Së treti,angazhimet serbe “për ta përligjur ndarjen e Kosovës në dysh”,me vendimin për “shkëputjen e pjesës veriore” të saj,pavarësisht kontestimeve që do t’i  bëheshin vendimit nga bashkësia ndërkombëtare.

        

Komenti nr.6:Pse bashkësia ndërkombëtare po heziton t’i ofrojë Kosovës zgjidhje të plotë,me pavarësi të plotë dhe me sovranitet të plotë?

Theksohen,më së paku,katër arsye për këtë.Një,shkalla e ulët e besimit të bashkësisë ndërkombëtare në kapacitetet e institucioneve të Kosovës për ta qeverisur tërësisht vendin. Dy,ndjenja e bashkësisë ndërkombëtare që pothuajse është shndërruar në bindje të saj,për “shkallën e lartë të mosbesimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”.Tre,një marrëveshje e heshtur,të thuash e pashkruar, brenda bashkësisë ndërkombëtare,për të limituar edhe për një kohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.Katër,interesi strategjik i bashkësisë ndërkombëtare për “ta mbajtur”Kosovën,edhe për një kohë,nën një lloj të protektoratit,shprehimisht të pashpallur.

        

Komenti nr.7:Cka është e papajtueshme në Pakon e Ahtisaarit?


E para,”hapja e rrugës së krijimit të shtetit” me kufizimet e mëdha “për bërjen  në kuptimin e plotë të tij”.E dyta,”pretendimet për t’i hequr sovranitetin(ilegjitim) Serbisë mbi Kosovën” me “mosgatishmërinë për ta bartur atë plotësisht në institucionet e Kosovës”.E treta,”mundësia për të krijuar Forcën e Re të Sigurisë” me “kompetencat ekskluzive të pranisë ndërkombëtare në këtë fushë”.E katërta,”qëndrimi për mosndarjen e Kosovës” me “krijimin,nga një komunë ekzistuese,i dy komunave të Mitrovicës”.E pesta,”fundi i Misionit të OKB-së” me “hapjen e një misioni të ri të BE-së”.

        
Komenti nr.8:vendosja e decentralizimit asimetrik territorial dhe etnik dhe pasojat e dëmshme të tij për të ardhmen e Kosovës.

”Të drejtat shtesë”për serbët,niveli i lartë i administrimit në komunat e tyre,me kompetenca me të gjera se komunat e tjera,me ndryshimin e territorit dhe zgjerimin e tij,lidhjet zinxhirore të komunave serbe ose me shumicë serbe dhe mundësitë e lidhjeve të posaçme të tyre me Beogradin dhe të financimit prej tij,përbëjënë sfidën më të madhe në Kosovën e passtatusit,sepse kërcënojnë me rrezikun,jo vetëm të defunksionalizimit të institucioneve,por edhe të mosshtrirjes së ndikimit të tyre në ato pjesë të territorit që vendoset nën kontrollin e pakicës serbe,pra edhe të moszbatimit unik të ligjeve e deri te ndarja dhe shkëputja eventuale e lidhjeve me pushtetin qëndror dhe krijimi i një enititeti serb,me mundësinë e institucionalizimit të tij të mëvonshëm.

        
Komenti nr.9:”Votimi i dyfishtë”.

Në “emër të diskriminimit pozitiv”, minoriteteve dhe,në mënyrë të veçantë,pakicës serbe,Pakoja e Ahtisarit u ofron shkallë të lartë vendimmarrjeje,por edhe mundësi të bllokimit të punës së institucioneve në ligjbërje.”Votimi i dyfishtë”në Kuvendin e Kosovës është parashikuar, qoftë për ligjet që kanë të bëjnë “me interesat vitale të pakicave”,qoftë për ndryshimet kushtetuese.”Votimi i dyfishtë” shtrihet në dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë pakicat në Kuvendin e Kosovës.Ky votim,në të vërtetë,tret një nga vlerat e mëdha të demokracisë,parimin shumicë – pakicë,si numër dhe parimin komb-pakicë,si përkatësi.Nëse ky koncept i vendimmarjes pretendohet të  arsyetohet me modelin e “Marrëveshjes së Ohrit”në IRJ të Maqedonisë,ai krahasim nuk përkon me realitetin,sepse dallojnë shumë shifrat e pjesëmarrjes së shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të popullatës në këtë republikë me shifrat e pjesëmarrjes së minoriteteve,përfshirë edhe atë serb në numrin e përgjithshëm të popullatës në Kosovë.

       
Komenti nr.10: krijimi i “zonave të mbrojtura” rreth objekteve religjioze dhe kulturore serbe.

 E para,është e papranueshme shpallja e tyre si “trashëgimi serbe”,sepse kërcënon “me rrezikun e serbizimit të hapësirave ku janë të vendosura ato”.E dyta,vendosja e “zonave të mbrojtura” përkon drejtpërsëdrejti ose në mënyrë të tërthortë,me pikëpamjet e pseudoshkencës serbe për Kosovën si “djep i Serbisë  dhe i shtetit serb”.E treta,argumentet shkencore flasin se pretendimet për posesivizmin  serb ndaj Kosovës janë të pathemelta,qoftë historikisht,qoftë aktualisht.

         

        Pakoja e Ahtisaarit ka ofruar atë që kemi pritur,jo atë që kemi dëshiruar.Pakoja e tij ka konfirmuar,më së paku,pesë parashikime tona.Një,paqartësinë e statusit të ardhshëm të Kosovës,qoftë në kuptimin politik,qoftë në kuptimin legal juridik e ndërkombëtar.Nuk ka menjanuar ambiguitetet për të cilat është dyshuar se do t’i sjellë.Dy,zgjidhjen e mundshme hibride të statusit ,qeverisjen e institucioneve të Kosovës me një ndërhyrje relativisht të fuqishme të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe supremacionin e pranisë ndërkombëtare civile ndaj institucioneve vendore,ndërsa në disa fusha edhe marrjen përsipër pothuajse të gjithë kontrollit mbi to.Tre,statusin e ardhshëm,e jo statusin përfundimtar të Kosovës,për shkak të vazhdimit të pranisë ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë dhe për shkak të mosmarrjes përsipër të kontrollit të plotë të institucioneve qendrore të Kosovës ndaj pushtetit vendor në kuadër të komunave serbe ose me shumicëe serbe.Katër,vendosjen e decentralizimit asimetrik mbi vija etnike dhe paragjykimin,nëpërmjet të tij,të statusit të ri të Kosovës. Pesë,mundësinë e bllokimit të punës së institucioneve të Kosovës,në mënyrë të veçantë të Kuvendit të Kosovës, me procedurat joshëse të vendimmarjes për komunitetet,veçanërisht për atë serb.

         

        V ë r e j t j e t   p a r i m o r e

         

        Megjithë përshtypjen premtuese që  le  Pakoja e Ahtisarit se  “i hap rrugën    krijimit të shtetit”dhe se në të “është substanca themelore”e tij,nga komentimet e mësipërme që bëmë mund t’i adresohen,më së paku, pesë vërejtje parimore.

        Vërejtja e parë i referohet  paqartësisë së Pakos së Ahtisaarit në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës.Sado që në tekst të Pakos së Ahtisaarit ka një numër tiparesh në bazë të të cilave ai do të mund,në vija të përgjithshme, të profilizohej,ambiguitetet në lidhje me statusin politik,juridik e ndërkombëtar të Kosovës  qëndrojnë dhe ato shpërfaqën qysh nga neni 1,pika 1,i Dispozitave  të Përgjithshme të dokumentit që,megjithate,Kosovën e parasheh si “shoqëri”,e jo si shtet,e jo se jo si shtet i pavarur dhe sovran.

          Vërejtja e dytë i adresohet pranisë  civile ndërkombëtare.Një prani shumë e theksuar ndërkombëtare civile,edhe tetë vjet pas vendosjes së Kosovës nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar,mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së,flet për një shkallë relativisht të lartë të mosbesimit të bashkësisë ndërkombëtare në kapacitetet qeverisëse të institucioneve të Kosovës.Për derisa mbikëqyrja   e zbatimit të vendimit për statusin e ri të Kosovës do të mund të arsyetohej,ndërhyrja ekzekutive e Përfaqësuesit   Civil Ndërkombëtar,me fuqi të interpretimit të mandatit të tij,mund ta shndërrojë Kosovën në një model të dështuar të qeverisjes si në Bosnjë.Realitetet e Bosnjës dhe Kosovës dallojnë në atë masë sa që përsëritja e Bosnjës në Kosovë do të ishte edhe një dështim tjetër i bashkësisë ndërkombëtare në përpjekjet e saj për ta shuar një vatër të krizës në Ballkanin ende të trazuar.

          Vërejtja e tretë ndërlidhet me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare që në Kosovë,me çdo kusht,të krijojë një “shoqëri multietnike”,edhe pse Kosova asnjëherë,as në të kaluarën dhe as sot, nuk ka pasur dhe nuk ka tiparet demografike dhe etnike për t’u kualifikuar si e tillë.Me krijimin  e “shoqërisë multietnike”,në fakt,pretendohet të vendoset,pavarësisht nga shifrat demografike e etnike, një shoqëri konsensuale që do të mund të çojë në  tretjen e vlerave themelore të demokracisë dhe të parimit qëndror të saj: sundim i shumicës,me respektimin e pakicës.

          Vërejtja e katërt shtrihet në çështjen e decentralizimit që,jashtë kritereve bazë të tij,vendoset mbi parimin etnik dhe territorial,me rrezikun që të shpie te “invalidimi i shtetit” eventual të pavarur dhe sovran të Kosovës.

          Vërejtja e pestë aktualizon problemin e trashëgimisë fetare dhe kulturore dhe mbrojtjen e tyre si objekte “të një kombi a etnie” që,për pasojë ka, përveç “mohimin e trashëgimisë së feve dhe kulturave të tjera”,edhe “territorializimin e hapësirave të zonave të mbrojtura”.

          


          V ë r e j t j e t  k o n k r e t e       

        Sistemimin e vërejtjeve konkrete e bëjmë sipas kapitujve të veçantë të dokumentit.

         

        Në kapitullin që i referohet Dispozitave Kushtetuese,së pari vlen të theksohet se marrëveshja vendoset mbi kushtetutën,për shkak se e para kërkon që “të gjitha dispozitat e Kushtetutës së Kosovës të jenë në pajtim me marrëveshjen”,po sikurse që përcakton se “në rast të mospërputhjes mes Kushtetutës së Kosovës dhe marrëveshjes,do të mbizotërojë e dyta”.Së dyti,marrëveshja kërkon që “parimet e mësipërme  t’i inkorporojë Kushtetuta e Kosovës,qysh në nenin e vet të parë,po sikurse që kërkon që nenet,prej 1 deri në 3,të të drejtave të komuniteteve dhe të pjesëtarëve të tyre,të përcaktuara me aneksin 2,të inkorporohen në Kushtetutën e Kosovës”.Së treti,në kapitullin mbi Dispozitat  Kushtetuese  propozohet ndarje joproporcionale e ulëseve në Kuvendin e Kosovës.Në të vërtetë,marrëveshja parasheh se “Kuvendi do të ketë 2o ulëse të rezervuara,10 prej të cilave për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe 10 ulëse të tjera për komunitetet e tjera,ndërkohë që çdo ulëse e fituar në Kuvend nëpërmjet të zgjedhjeve,do të jetë ulëse shtesë”.Së katërti,parashihet “votimi i dyfishtë”në Kuvend për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve të caktuara,ndërkohë që marrëveshja përjashton mundësinë që “ato të jenë  objekt referendumi”.Së pesti,”votimi i dyfishtë”,me dy të tretat e votave,parashihet edhe për ndryshimet kushtetuese.Në kuadër të këtij kapitulli do të nënvizojmë edhe dy zgjidhje që paraqesin më shumë se parim,nonsense. E para ka të bejë me kërkesën që gjuha serbe “të deklarohet gjuhë zyrtare në gjithë territorin e Kosovës”,edhe pse serbët në shumë pjesë të Kosovës janë në numër fare të pakonsiderueshëm. Ndërsa,e dyta i referohet,në të vërtetë,një qëndrimi të Grupit të Kontaktit se Kosova “nuk do të kërkojë bashkim me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti”që,si parim bie ndesh me të drejtën sovrane të një populli dhe që,praktikisht,nuk do të mund t’i qëndrojë kohës dhe realiteteve që do të ndërtojë ajo në të ardhmen.

          Në kapitullin mbi të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre,Pakoja e Ahtisarit abuzon parimin e demokracisë mbi shumicën dhe pakicën parlamentare.Në fakt,me këtë kapitull,”në emër të barazisë”, vendosen rregulla të pabarazisë.E para,propozohen “të drejta të posaçme për banorët të cilët i përkasin të nëjtit grup kombëtar ose etnik,gjuhësor ose fetar”,krahas të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të parashikuara në aneksin 1 të marrëveshjes.E dyta,propozohet “shkallë e lartë e vendimmarrjes të komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës”:në nxjerrjen e ligjeve të caktuara dhe në ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës,në ç’mënyrë shumica bëhet peng i pakicës në vendimmarrje që, si zgjidhje, nuk korrespondon me vlerat e njëmendëta të demokracisë,që vendosin sundimin e shumicës,me respektimin e pakicës.

          Kapitulli mbi Decentralizimin është pjesa më e kontestueshme e Pakos së Ahtisaarit.Vërejtja e parë i referohet qasjes së propozimit që paraqet një pikëpamje të paqëndrueshme: themelimit të një sistemi të avancuar dhe të qëndrueshëm të vetëqeverisjes lokale në Kosovë “për trajtimin  e shqetësimeve legjitime të serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve tjera që nuk përbëjnë shumicë në Kosovë dhe anëtarëve të tyre.Vërejtja e dytë i adresohet kërkesës së marrëveshjes për “përfshirje në Kushtetutën e Kosovës të parimeve kryesore të decentralizimit nga marrëveshja”,në vend që këtë t’ia le ligjit të veçantë për qeverisje lokale,i cili edhe ashtu,si pjesë e legjislacionit themelor,do të  kërkohet që të jetë “në pajtim me parimet e përcaktuara në marrëveshje”.Vërejtja e tretë shtrihet në propozimin e zgjidhjeve  asimetrike dhe të drejtën e disa komunave për kompetenca vetanake të zgjeruara.Vërejtja e katërt ndërlidhet me propozimin e krijimit nga një komunë ekzistuese të dy komunave të Mitrovicës dhe me mveshjen e autoritetit të Komunës së Mitrovicë së Veriut mbi universitetin publik të Mitrovicës së Veriut.Vërejtja e pestë ndalet te bashkëpunimi i komunave serbe ose me shumicë serbe me institucionet e Serbisë dhe financimi i aktiviteteve komunale nga Republika e Serbisë.

          Parimi i shumetnitetit që me ngulm të madh të bashkësisë ndërkombëtare pretendon të shtrihet në të gjitha fushat,parashihet të vendoset edhe në sistemin gjyqësor.Në kapitullin mbi Sistemin Gjyqësor,propozimet nga Pakoja e Ahtisaarit kërkojnë përfshirje joproporcionale në numrin e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe të gjykatave të qarkut në Kosovë.Në fakt,e gjithë kjo arsyetohet në dokument me kërkesën që “përbërja dhe shërbimi i gjyqësisë dhe prokurorisë”të jenë “në përputhje me shumëllojshmërinë etnike dhe nevojën për përfaqësimin e barabartë të të gjitha komuniteteve”.

          Një kapitull tjetër i kontestueshëm nga Pakoja e Ahtisaarit është ai që i referohet Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare.Propozimet e bëra në dokument “fyejnë dhe denigrojnë”shqiptarët si popull dhe si komb,sepse ato,në mos asgjë tjetër,”dyshojnë në vlerat civilizuese të shqiptarëve” për mbrojtjen e trashëgimisë fetare serbe.Themelimi i të ashtuquajturave zona të mbrojtura kërcënon të jetë me pasoja të rënda,sepse së pari,kufizohet në mbrojtjen e objekteve të kultit “të një kombi a etnie”;së dyti,”institucionalizon  territorializimin e zonave të mbrojtura”;së treti, “shpreh shkallë të lartë të mosbesimit ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës” që  privohen nga mundësia për të qenë “mbrojtës  të tyre”;së katërti,shoqërohet  me harta të  një numri të zonave të mbrojtura që nuk i bashkëngjiten dokumentit dhe që lënë të hapur mundësinë e (ri)zgjerimit territorial të tyre, dhe, së pesti,ndalon aktivitete të caktuara në kuadër të zonave të mbrojtura, duke shpjerë te mundësia e izolimit të  tyre dhe dalja nga juridiksioni i Kosovës.

          Në kapitullin mbi Borxhin Ndërkombëtar,prej Kosovës kërkohet që të merrë përsipër  pjesën e vet të borxhit ndërkombëtar të Republikës së Serbisë,pa u bërë asnjë kompensim për dëmet e luftës të cilat janë shkaktuar pikërisht nga Serbia.Ndarja e borxhit ndërkombëtar duhet që të merrë parasysh të gjithë faktorët relevantë të së kaluarës dhe të së tashmes së Kosovës dhe mbi bazë të tyre duhet të përcaktohen kriteret e detyrimeve të Kosovës,nëse fare duhet pasur  detyrime për Kosovën.

          Prona dhe arkivi përbëjnë një kapitull të veçantë nga Pakoja e Ahtisarit.Në të parashihet që arkivi,duke përfshirë regjistrat kadastralë dhe dokumentet e lidhura me Kosovën dhe banorët e saj të cilët janë të zhvendosur nga Kosova,të kthehen në Kosovë.Parashihet gjithashtu që kthimi ose transferimi i të gjithë arkivave të bëhet brenda gjashtë muajve të hyrjes në fuqi të marrëveshjes.Koha prej gjashtë muajsh pikërisht paraqet problem,për shkak të mundësisë për manipulime,meqë ofiçarët serbë kanë në dispozicion të gjithë dokumentacionin.

          Kapitulli i Sigurisë në Kosovë poashtu paraqitet të jetë problematik.Së pari,në lidhje me territorin e Kosovës.Marrëveshja parasheh që territori i Kosovës “do të definohet nga vija kufitare e KSA të Kosovës,me Kushtetutën e vitit 1974,brenda RSFJ-së në kufijtë deri me 31 dhjetor 1988,përveç ndryshimit të vijës kufitare në mes të RF të Jugosllavisë dhe të IRJ të Maqedonisë,me 23 shkurt 2001”.Pra,çështja e vijës kufitare me Maqedoninë, sado që thuhet  se është një çështje teknike që do të zgjidhet pas vendosjes së statusit të ri të Kosovës,e kërcënon Kosovën me humbjen e 2.500 hektarëve.Së dyti,në lidhje me krijimin e Forcës së Re të Sigurisë në Kosovë,nuk është parashikuar transformimi i TMK-së,por shpërbërja e tyre.Në këtë mënyrë,shprehet një mosrespektim ndaj një institucioni,për Kosovën më të besueshëm se asnjë tjetër.Nëse i referohemi propozimit,”Kosova nuk do të ketë ushtri të vetën të mirëfilltë” në një të ardhme të afërt.Forca e Re e Sigurisë,siç shprehet një ekspert yni ushtarak,” nuk do të ketë as nivelin e ushtrive të tjera dhe as nuk do t’ju përngjajë formacioneve klasike ushtarake”.

          Në lidhje me kapitullin që i kushtohet Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, vërejtja më parimore është se do të jetë autoritet final në Kosovë sa i përket  mandatit të vet.Në të vërtetë,ai do të ketë mandatin e ndërmarrjës së masave korrigjuese të çdo veprimi që ndërmerret nga autoritetet e Kosovës.Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të ketë mandatin të ndëshkojë ose të largojë nga detyra çdo zyrtar publik ose të ndërmarrë masa të tjera,sipas nevojës,pa saktësuar as masat dhe as nevojën.Kompetencat e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian “i mvishen  të njëjtit person”.Problem në vete paraqet se mandati i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar nuk afatizohet në kohë.Parashikohet që ai të skadojë atëherë kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të konstatojë se “Kosova i ka  përmbushur kushtet e marrëveshjes”.

           Një kapitull i vetëm i kushtohet Misionit Evropian për Politika të Sigurisë dhe Mbrojtjes.Ky mision do të udhëhiqet nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian i cili,njëkohësisht,do t’i ushtrojë kompetencat e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian.Kryesuesi i Misionit do të marrë përsipër menaxhimin e operacioneve të përditshme të misionit.Mund të bëhen dy vërejtje parimore në lidhje me këtë mision..E para,se kryesuesit të misionit i mundësohet që të themelojë çdo prani tjetër.E dyta,se misioni nuk afatizohet në kohë.

           Në kapitullin e parafundit të Pakos së Ahtisaarit flitet për Praninë Ushtarake Ndërkombëtare.Parashihet,ndër të tjera,që ajo do të jetë përgjegjëse për: ofrimin e sigurimit nga rreziqet e jashtme për Kosovën;ofrimin e një mjedisi të sigurt dhe të siguruar gjithandej territorit të Kosovës,në ndërlidhje me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar dhe nën  mbështetjen e institucioneve të Kosovës, dhe ofrimin e ndihmës dhe këshillave përkitazi me procesin e integrimit në strukturat euroatlantike. Edhe për Praninë Ushtarake Ndërkombëtare nuk është caktuar ndonjë afat kohor. Në dokument është theksuar se do të ketë Prani Ushtarake Ndërkombëtare deri me atë kohë kur institucionet e Kosovës  “të mund të marrin përgjegjësinë”.

           Agjenda Legjislative është kapitulli i fundit në Pakon e Ahtisaarit.Në të është parashikuar legjislacioni që duhet të miratohet gjatë periudhës së tranzicionit prej 120 ditëve.Ky legjislacion ndërlidhet me zbatimin e kushteve të marrëveshjes.Në Pakon e Ahtisaarit është parashikuar edhe legjislacioni që duhet të miratohet pas periudhës së tranzicionit.

           Po të bëhej ndonjë përpjekje për të nxjerrë një përfundim qëndror për Pakon e Ahtisaarit,do të mund të thuhej se marrëveshja vërtetë është gjithëpërfshirëse,duke mos lën,  pothuajse asnjë hapësirë, për autoritetet e Kosovës për të bërë ndonjë veprim të cilin ajo nuk e ka parashikuar në mënyrë shprehimore.

          

        Në  v e n d   t ë   p ë r f u n d i m i t


E kemi shumë të qartë se palët që pranojnë negociatat, njëkohësisht pranojnë edhe kompromisin që,si rregull,bëhet me to.Prej Delegacionit të Kosovës është kërkuar që të bëjë shumë kompromise dhe ai,duke ushqyer vetën me premtimin për pavarësi,ka qenë i shkujdesshëm për një numër zgjidhjesh që ofrohen në Pakon e Ahtisaarit në lidhje me decentralizimin, zonat e mbrojtura për monumentet serbe dhe të drejtat shtesë për komunitetet.Përherë kemi tërhequr vërejtjen se “në emër të kompromisit”,mund të bëhen “pazarllëqe të mëdha”dhe se më të dëmshmet mund të ndërlidhen me territorin e Kosovës,me vizatimin e hartave të reja për vendbanimet serbe ose me shumicë serbe dhe me nivelin shumë të lartë të administrimit të tyre që mund të çojë më vonë edhe tek ndarja e Kosovës në dy entitete që,në fakt,është koncepti  i territorializimit të çështjes serbe,me gjithë zotimet e bashkësisë ndërkombëetare se “nuk do të lejohet ndarja e Kosovës”,ndërkohë kur ajo faktikisht është e ndarë.Kosova ka hyrë në negociata me Serbinë,me ndërmjetësimin e UNOSEK-ut,shumë e hendikepuar dhe tash po paguan çmim shumë të shtrenjtë për pavarësinë eventuale,edhe ashtu në fazën e parë, më shumë formale se sa përmbajtësore.Kosova pranoi të hyjë në negociata me Serbinë,pa u unifikuar territori i saj dhe pa u siguruar qeverisja e institucioneve të saj në gjithë territorin dhe pa u siguruar zbatimi unik i ligjeve në gjithë hapësirën e saj.

        Preferojëmë që në vend të përfundimit t’i përgjigjemi pyetjes se çfarë do të duhej të përmbante Pakoja e Ahtisaarit,si propozim për  Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

        E para,qartësinë politike dhe juridike - ndërkombëtare të statusit të ri të Kosovës,të barasvlefshëm me shtetin e pavarur dhe sovran.

        E dyta,mundësinë për  deklarimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe për njohjen e subjektivitetit të  plotë politik dhe juridik-ndërkombëtar të tij.

        E treta,garancitë për integritetin e plotë territorial të Kosovës në periudhën pas vendosjes së statusit të ri të saj.

        E katërta,instrumentet për zbatimin unik të ligjit në gjithë territorin e Kosovës,përfshirë veriun e saj dhe të ashtuquajturat komunat serbe ose me shumicë serbe.

        E pesta,parimet për funksionalitetin e institucioneve dhe shtrirjen e qeverisjes së tyre në tërë hapësirën e shtetit të  pavarur dhe sovran të Kosovës.

       Pra,propozimi i Ahtisaarit për Këshillin e Sigurimit të OKB-së duhet të shoqërohet: me adresimin e qartë politik-juridik dhe ndërkombëtar të statusit të Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit shumicë të saj;me qëndrimin e qartë  për shkëputjen përfundimtare territoriale të Kosovës nga Serbia dhe heqjen e sovranitetit,edhe ashtu ilegjitim, serb mbi Kosovën,për shkak të pushtimit të Kosovës nga ana e Serbisë  qysh nga 1912-ta  dhe kalimin e sovranitetit në institucionet vendëse të Kosovës; me qëndrimin që statusi i ri politik,juridik dhe ndërkombëtar i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran  të jetë i barasvlefshëm me  subjektivitetin e njohur politik,juridik dhe ndërkombëtar dhe  me pranimin e kufijve ndërkombëtarë të Kosovës të cilët deri në aftësimin e forcave mbrojtëse të Kosovës  do të siguroheshin prej forcave të NATO-s si dhe me  afatizimin e kohës për Praninë Civile Ndërkombëtare në Kosovë.