Vajtje-ardhjet në Vjenë përfunduan me rezultatin që ishte pritur:pa rezultat.Vjena konfirmoi se palët ishin shumë larg me pikëpamje qysh nga fillimi. Megjithate,”loja  me negociatat”   bashkësisë ndërkombëtare “i shërbeu”që të kërkojë mesin që vështirë gjindet kur palët kanë pozicione krejtësisht të skajshme.Veçanërisht vështirë gjindet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët në të ashtuquajturat konflikte etnike rreth territorit.

Në këto situata,edhe kompromiset që synohen të arrihen  janë të dhëmbshme, qoftë edhe për palën që e quan veten fituese në to.Me negociatat ndodhi një lëvizje e ndieshme e gurit prej vendit.Kosova përfundimisht doli nga “sallat e pritjes”dhe hyri në agjendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që,sipas të gjitha gjasave,do t’ia qepë rrobat sipas masës që ia ka marrë Ahtisaari. Tash është problemi se sa do të zgjasë qepja e rrobave dhe sa do të përkojnë ato me shtatin e Kosovës.Negociatorët e Kosovës e kanë pranuar Pakon e Ahtisaarit me rezonin se më e pavolitshme se oferta e propozuar do të mund të ishte zgjatja e status quos e cila gati tash tetë vjet po i mban të bllokuara proceset zhvillimore.Atë që këmbënguli bashkësia ndërkombëtare arriti ta realizojë me miratimin e Delegacionit të Kosovës:që Kosova të përcaktohet “shoqëri multietnike”e cila pavarësinë eventuale të Kosovës do të mund ta bëjë të lëndueshme,për shkak të parimeve,por edhe zgjidhjeve konkrete që nga Pakoja e Ahtisaarit do të barten në rezolutën eventuale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të përcaktojë të ardhmen e Kosovës pikërisht në përputhje me formulën e multietnicitetit,edhe pse është e njohur botërisht se të rralla janë shtetet që kualifikohen si multietnike e që kanë shkallën shumë të lartë të homogjenitetit kombëtar në favor të shqiptarëve etnikë.Pra,çmimi që po paguajnë shqiptarët për të akomoduar pakicat,veçanërisht atë serbe,është shumë më i lartë se shifrat mbi bazën e të cilave do të duhej të ishte formuar çmimi.Së këndejmi,ata në emër të mundësisë të deklarimit të një statusi të ri që “do ti shpiente përpara”,ngarkohen edhe me barrë të rënda që do të mund ta rrezikonin jetësimin e tij në praktikë, veçanërisht funksionimin normal të institucioneve mbi gjithë territorin e Kosovës që padyshim do të mund të përbënte sfidën më të madhe të Kosovës së passtatusit. Në vargun e sfidave të tjera me të cilat do të mund të ballafaqohej e ardhmja e Kosovës është ajo e pranisë ndërkombëtare, veçanërisht asaj civile.Se sa e lehtë apo e ndikueshme do të jetë prania ndërkombëtare civile tregojnë vetë kompetencat e përshkruara të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian që pritet t’i  mvishen të njëjtit person.Sado që thuhet se ajo
prani “nuk do të jetë”sipas modelit të Bosnjës,Kosovën e kërcënon pikërisht përvoja e hidhur e Bosnjes,duke pasur parasysh veçanërisht këto tri momente: e para,se do të ketë mandatin e ndërmarrjes së masave korrigjuese të çdo veprimi që ndërmerret nga autoritetet e Kosovës;e dyta,se do të ketë autoritetin  e ndëshkimit ose të largimit nga detyra të çdo zyrtari publik  ose të ndërmarrjes së masave të tjera,sipas nevojës,por pa saktësuar as  masat dhe as nevojën;e treta,se do të jetë autoritet final në Kosovë sa i përket  interpretimit të mandatit të vet.Kosova po jeton një kohë në të cilën askush nuk mund të qëndrojë indiferent për zhvillimet që po ndodhin në të,pa thënë atë që ndien.Një gjë duhet ta kemi parasysh të gjithë:tashmë është hedhur në letër e ardhmja e Kosovës.Populli i Kosovës dëshiron që ajo të vijë në përputhje me vullnetin e  saj për të qenë zot i vetvetes,pa e ngulfatur atë,as  në formë dhe as në përmbajtje.