Edhe pse  Gjermania sikur ”e ka sqaruar” pozicionin e vet rreth të ardhmes së Kosovës, duke e mbështetur propozimin e Martti Ahtisaarit,po nga Gjermania këto ditë arritën shqetësimet e para, më serioze, për Kosovën.Në samitin e ministrave të jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian,në Bremen të Gjermanisë, ndodhi ajo që, megjithatë, ishte paralajmëruar se mund të ndodhë. Në vend se të bëjnë ”një hap përpara”, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian bën ”një hap prapa”në lidhje me përcaktimin për statusin e ardhshëm të Kosovës.

”Hap prapa”konsiderohet (ri)formulimi i qëndrimit në lidhje me Propozimin e Martti Ahtisaarit në  një deklaratë të Presidencës së Bashkimit Evropian në të cilën theksohet se ”Gjatë arritjes së Rezolutës së Re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duhet marrë parasysh interesat legjitime të Beogradit dhe Prishtinës”.Ky (ri)formulim ka pasuar pas bërjes publike të qëndrimit të disa prej vendeve të Bashkimit Evropian,si Sllovakia,Rumania dhe Greqia, se ”duhet pasur më shumë kujdes dhe durim”dhe se duhet shikuar mundësinë për ”rihapjen e disa pikave të planit të Ahtisaarit për rinegociim”.Me të marrë të këtyre ”informatave të hidhura”nga Bremeni i Gjermanisë,e para e punës për ne në Kosovë është që të ”mos sillemi” sikur pavarësia e Kosovës është ”çështje e kryer”, me gjithë mbështetjen nga disa vende me fuqi të madhe, si SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania.Po përsëris një shprehje që e kam theksuar për një kohë më të gjatë në paraqitjet e mia publike:NESE BOTA SILLET RRETH KOSOVES,EDHE KOSOVA DUHET TE SILLET RRETH BOTES.

Gjëja e dytë që duhet të kuptojmë është se në diplomacinë botërore ndodhë që ndonjëherë ”rrobat t’i qepin më të vegjlit”.Më në fund,në lidhje me këtë tërhoqi vërejtjën ditë më parë në një të përditshme tonën një analist nga një shtet i Bashkimit Evropian që shkroi me kusht anonimiteti,për të porositur klasën tonë politike:”Lobim po,por jo vetëm në Neë York”.Një numër i shteteve ende mbajnë qëndrim të rezervuar ndaj të ardhmes së Kosovës,disa nuk deklarohen fare dhe prapa heshtjes së tyre ”mbështillet qëndrimi” që mund të befasojë, ndërsa një numër më i vogël shtetesh pozicionohet kundër. Ndërkohë, merret vesh për një ofensivë diplomatike serbe ”kundër pavarësisë së Kosovës”, veçanërisht në ato vende që ende po hamenden ose që ende nuk kanë formuar ndonjë qëndrim më të prerë,qoftë për,qoftë kundër propozimit të Martti Ahtisaarit.Nuk ka dyshim se diplomacia serbe ”është trimëruar”me hezitimet e Bashkimit Evropian dhe, në mos asgjë tjetër,”shpreson se kërkesa për rishqyrtimin e aplikimit të Rezolutës 1244 do të shtyhet”dhe këtë shtyrje eventuale do të mund ta konsideronte si ”një fitore të vetën”.Gjykuar sipas rrjedhave në lidhje me përcaktimin e statusit të Kosovës, porosia është shumë e qartë:nuk duhet ”të shtiremi”se sikur ”buka po piqet”,pa vra mendjen se ajo edhe ”mund të digjet”.Shqiptarët përherë kanë mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj Evropës.Ai qëndrim sikur po  konfirmohet edhe sot,sepse ka hipokrizi në atë që mëton të jetë strategji e Bashkimit Evropian në lidhje me Rezolutën e Re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me Kosovën. Në deklaratë  thuhet se ”Bashkimi Evropian do të punojë aktivisht dhe në mënyrë të unifikuar në Këshillin e Sigurimit në bazë të qëndrimit të përbashkët”.Vaj halli nëse ”do të punojë”në bazë të qëndrimit që nuk e arriti në Bremen këtyre ditëve.Të kërkosh prej të tjerëve atë që nuk ke bërë vetë,është më shumë se hipokrizi.Bashkimi Evropian do të kërkojë prej Këshillit të Sigurimit të bëjë atë që vetë nuk e ka bërë:të ketë një qëndrim të përbashkët rreth Kosovës.