Mendimi ndryshe 

Unë kam një mendim ndryshe nga gjithë ata,qoftë politikanë,qoftë analistë,që shprehen se përplasjet,të shoqëruara me fyrje,ofendime e poshtërime,deri në “linç politik”në çdonjërin prej parlamenteve të vendeve  të civilizuara të botës,arsyetohen në  emër të “shoqërisë plurale demokratike”.Në fundin e korrikut të  vitit të kaluar,deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë u pata adresuar  një letër të hapur,si reagim në atë që përjetova duke përcjellur punimet e seancës së datës 28 korrik 2006.Si bashkëkombës i deputetëve,edhe vetë u ndjeva i fyer,i ofenduar dhe i poshtëruar,sepse sjellja e disa prej tyre nuk dëshmonte më vetëm nivelin e ulët të kulturës politike ose mungesën e saj,por më shumë se kjo:nivelin e ulët të atdhedashurisë dhe mungesën e saj,me pasoja të pariparueshme për vendin që sikur “sapo ka lindur i dobët”,ende “mbahet në jetë me infuzion”.

Ndodhitë në disa seanca të Kuvendit të Kosovës e, kohëve të fundit,edhe në seancat e disa prej kuvendeve komunale,qenë një arsye me shumë që “t’i rikthehem”  kësaj teme.Si komponentë nisëse e shqyrtimit më shërben mësimi se niveli i qytetërimit dhe demokratizimit të një shoqërie matet dhe tregohet me nivelin e sjelljes brendapërbrenda asaj shoqërie,veçanërisht të figurave publike.Disa nga personalitetet publike sikur ende nuk e kanë kuptuar se janë më shumë se “vetja e tyre”dhe se për këtë duhet të vetëndërgjegjësohen.Ky shkrim nuk i adresohet askujt me emër,as me parti,as me krahinë.Nuk pretendon t’i mbajë leksion askujt,sepse bëhet fjalë për njerëz që “kanë kaluar”nëpër ato leksione,por sikur nuk kanë mësuar shumë prej tyre.Porosia e shkrimit është që “t’i rikthehen” atyre leksioneve,sepse sjellja e tyre po ndodh me “dritare të hapura”dhe se në to,ndër të tjerë,shikojnë edhe fëmijët e tyre,por shikon edhe bota e civilizuar e cila sikur pyet:Sa jeni të ndërgjegjshëm se fytyra e parlamentarit dhe sjellja e tij shpërfaqin fytyrën e shtetit,qoftë të atij të krijuar gati njëqind vjet më parë,qoftë të një tjetri që po mëton “të vetëkrijohet”?Problemi është në të kuptuarit e thelbit të shoqërisë plurale demokratike,sepse shoqëria plurale demokratike  më shumë se si “fushë  e garës”,është kuptuar si “arenë e luftës” dhe ky fakt sikur konfirmon se “koha e linçimeve”ende nuk ka perënduar.Në parlamentet tona më shumë se “kryqëzim programesh”,ka “kryqëzim inatesh”,më shumë se “konkurrencë projektesh”,ka konkurrencë fyerjesh,ofendimesh e poshtërimesh.Njerëzit që e njohin historinë dhe që kanë mësuar prej saj, në shoqëri,veçanërisht në politikë, duhet të sillen racionalisht.Më dhemb se ne shqiptarët,si popull dhe si komb,nuk mësuam shumë nga e kaluara jonë e hidhur,prandaj po ndodh që të rritemi si popull,e të  tkurremi si komb.Shumë  ngjarje që kanë ndodhur me ne në të kaluarën kërkojnë që të jemi shumë të vëmendshëm për të ardhmen.E ardhmja jonë ende është në udhëkryq.Këto janë çaste kritike dhe dramatike për ne.Skenarët me ne ende nuk kanë përfunduar.Ende vizatohen harta në dëmin tonë.Nëse është kështu,e unë mendoj se është ashtu,cila është arsyeja që ne ende nuk kuptuam se “Të armiqësohesh me tëndin,është njësoj sikur t’i vësh  zjarrin shtëpisë sate”.Plasaritjet dhe ndarjet në të kaluarën i kemi paguar shumë shtrenjtë.Mbetet pa përgjigje pyetja se sa do t’i paguajmë këto të tashmet nëse vazhdojmë të jetojmë të plasaritur dhe të ndarë.Neve sikur na duhet,si buka dhe uji,një rirreshtrim kombëtar.Rruga nëpër të cilën do të duhej të ecnim është : jo partia,përpara dhe,mbi të gjitha,por populli dhe kombi,para se gjithash dhe mbi të gjithë.