Loja “vjen,s’vjen…” Ekipi faktmbledhës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Kosovë, mbaroi. Ekipi vjen dhe nuk vjen rastësisht. Vjen me porosinë ruse, edhe atë,jo rastësisht.Dy mëlmesa më shumë i ka kësaj rradhe “sallata ruse”.E para, të zgjasë procesin për marrjen e vendimit për statusin e Kosovës,me sa të jetë e mundur.E dyta,të përpiqet të përfitojë për vetën më shumë se për Serbinë,sërish me sa të jetë e mundur,me shtyerjen e procesit.Provën e parë e bëri me Abkhazinë në Këshillin e Sigurimit para disa ditësh dhe ajo nuk i doli të jetë e suksesshme.Vështirë është “të kapërdihet”simetria e Abkhazisë me Kosovën.Për lexuesit është mirë t’i (ri)sjellim informacionet se Abkhazia në Gjeorgji është një territor që ka shpallur pavarësinë pesëmbëdhjetë vjet më parë(1992).Si territor,është më e vogël se Kosova(ka 8.600 kilometra katrorë).Si popullatë,është shumfishë më e vogël se Kosova(ka 250.000 banorë).

Abkhazianët u përkasin fiseve kaukaziane dhe flasin gjuhën e tyre që,vërtetë,s’ka asgjë të përbashkët me rusët e Rusinë.Prandaj, kërkesa e tyre për “t’iu bashkangjitur federatës ruse” është po aq e pathemeltë sa dhe kërkesa e Serbisë për “t ‘a mbajtur kontrollin mbi Kosovën” me të cilën as Kosova dhe as shqiptarët,nuk kanë asgjë të përbashkët me të.Për “t’u bërë shtet i pavarur dhe sovran”Abkhazisë nuk i mjafton që në territorin e saj janë të vendosura forca ruse që kanë ndërhyrë gjatë konflikteve të armatosura pas shpërbërjes  së ish-Bashkimit Sovjetik,se në pushtet janë pikërisht forcat proruse dhe se pikërisht ato forca kërkojnë hapjen e mundësisë për “bashkim” të Abkhazisë me Rusinë.Eshtë pritur që sa më shumë që afrohet zgjidhja e çështjes së Kosovës,Rusia do “të tregojë fytyrën e vet”.Kryetari rus Putin “tërë kohën”kërkon që çështja e Kosovës “të trajtohet mbi bazat e parimeve universale”,të cilat,sipas tij,do të mund të zbatoheshin,”për rastet e tjera të ngjashme me Kosovën”.Rusia provon që,me një goditje,të arrijë së paku,njërin prej dy qëllimeve.Duke “iu kundërvënë”pavarësisë së Kosovës,sado e brishtë që do të jetë ajo,meqë nëse do të vendoset në favor të saj,do të jetë nën një mbikëqyrje të theksuar të Bashkimit Evropian që, vetvetiu, atë do ta bënin më shumë formale se faktike,nga njëra anë Rusia do “të ruajë lojalitetin ndaj Serbisë”,ndërsa nga ana tjetër,nëse “nuk ndezë”që të provojë t’i hapë rrugën pavarësimit të territoreve që janë pjesë e Gjeorgjisë.Mendoj se argumentet nuk qëndrojnë as për të parën dhe as për të dytën.E para,pavarësia e Kosovës nuk do të mund të kundërshtohej për shkak të bazës së saj etnike,pikërisht për mungesë të së cilës do të mund të kundërshtohej pavarësia e Abkhazisë.E dyta,pavarësia e Kosovës nuk do të mund të kundërshtohej për shkak të qenies së saj njësi federale në ish-Jugosllavi,sado jo dhe me statusin e republikës,pikërisht për mungesë të së cilës do të mund të kundërshtohej pavarësia e Abkhazisë.Vetëm kundrimi i çështjes së Kosovës si çështje e vetëvendosjes së jashtme mund t’i orientojë proceset në drejtimin e duhur.Më në fund,vetëm ai orientim do të mund të korrepspondonte me vullnetin e popullit shumicë të Kosovës.Prandaj,Këshilli i Sigurimit i OKB-së,duhet t’i flasë qartë të tashmes së Kosovës dhe t’i përgjigjet kërkesave  të drejta të popullatës së saj.Nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk do të kuptojë qartë të tashmen e Kosovës,kërcënon rreziku që t’a lë të paqartë të nesërmen dhe të pasnesërmen e saj.