Mendimi ndryshe

Ndryshe prej pikëpamjeve që qarkullojnë për Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe për besimin në drejtësinë e saj,edhe pse vetë me vokacion jurist,kam shumë rezerva ndaj proceseve gjyqësore që janë zhvilluar dhe që po zhvillohen para saj.Në fakt,drejtësia më e madhe e Hagës është (pa)drejtësia e saj.E para,sepse para drejtësisë ka vënë jo vetëm represionin serb mbi shqiptarët e Kosovës,por nëpërmjet Fatmir Limajt më parë dhe Haradinajt e bashkëluftëtarëve të tij sot,ka vënë para drejtësisë tërë një formacion që iu kundërvua atij represioni; ka nxjerrë para ligjit jo vetëm ata që nxitën konflikte ndëretnike, por edhe ata që morën guximin që të mbrojnë nderin e shtëpisë dhe të familjes dhe të popullit që i takojnë;hapi procese gjyqësore jo vetëm ndaj atyre që synuan shfarosjen e një populli të ndjekur dhe të ndaluar,por edhe ndaj atyre që mblodhen forcat për të shpëtuar po atë popull nga një regjim i egër gjenocidal.

E dyta,sepse duke i vënë para drejtësisë,duke i nxjerrë para ligjit dhe duke hapur procese ndaj tyre,Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ”vuri në peshojë” të njëjtë xhelatin dhe viktimën.E treta,sepse në vend se të bazohej në argumente,fakte dhe dëshmi që “flisnin vetë”në rastin e Millosheviqit,ajo sot po përpiqet,me çdo kusht të mbledh argumente,fakte e dëshmi në rastin e Haradinajt dhe të dy bashkëluftëtarëve të tij qoftë edhe prej dëshmitarëve që edhe vetë ishin të përfshirë në krime,si pjestarë të njësiteve policore,ushtarake ose paramilitare serbe. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës duhet të dijë se nuk mund të ketë dy bindje për një të vërtetë, po sikurse që nuk mund të ketë dy të vërteta për një bindje,nëse nuk do, natyrisht, të komprometojë drejtësinë.Nëse do të vazhdojë “të gjykojë”në mënyrën siç është duke zhvilluar procesin ndaj Haradinajt dhe shokëve të tij të luftës,vërtetë e kërcënon rreziku që të bëjë politikë “në emër të drejtësisë”. Kosova dhe shqiptarët kanë përjetuar shumë padrejtësi në të kaluarën. Në Kosovë janë zhvilluar proceset më antipode kundër njerëzimit.Janë bërë akte dehumanizuese që kanë synuar shfarosjen e njerëzve. Janë ndërmarrë veprime që kanë shtypur vullnetin politik të popullit.Kjo është arsyeja që Kosova dhe shqiptarët përherë kanë mbajtur qëndrim të rezervuar ndaj drejtësisë që është bërë ndaj tyre,sepse në fakt,ajo ishte një padrejtësi e madhe. Prandaj,në kohën kur regjimi i Millosheviqit arriti kulmin e egërsisë ndaj shqiptarëve,kur i tejkaloi rastet e veçanta dhe i mori përmasat e gjenocidit,ndjenja patriotike dhe ndjenja e sakrificës ndër shqiptarët i bashkoi ata rreth një force e cila,në të vërtetë,siç u dëshmua më vonë,i dha një dimension të ri çështjes së Kosovës,sepse ishte vetë Ushtria Clirimtare e Kosovës ajo që bëri që çështja e Kosovës të vështrohej në një dritë të re. Në atë dritë duhet ta kundrojë edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës pjesëmarrjen në luftë të treshes që ka vënë para drejtësisë,që ka nxjerrë para ligjit dhe kundër së cilës po zhvillon proces gjyqësor.Gjykata Ndërkombëtare e Hagës duhet të kërkojë të vërtetën.Kriteri i së vërtetës nënkupton vlerësimin,gjykimin dhe mjetin për të kontrolluar vërtetësinë ose gënjeshtrën e një pohimi, hipoteze, teorie apo parimi. Haga duhet të ecë nëpër këtë rrugë,nëse vërtetë nuk do që të shndërrohet në “gjykatore politike”. Fajësia ose pafajësia mund të vërteëtohet ose të mohohet me argumente,fakte dhe dëshmi.Ato do të duhej të ishin armët kryesore të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Cdo qasje tjetër do të mund ta komprometonte edhe më shumë drejtësinë dhe do ta ulte besimin në të.Vërtetë,nuk ka padrejtësi më të madhe se atëherë kur drejtësia shtrembërohet.