Kosova është në pritje të miratimit të një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas së cilës, do të mund “të dilte nga një rreth i mbyllur”në të cilin ndodhet tash e tetë vjet më parë,ç’ prej se është vendosur nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar. Mirëpo,një pyetje mbetet ende e hapur:me çfarë cilësie të statusit do të rrumbullakësohet “një proces negocimi” i cili, jo vetëm se u dëshmua të jetë joproduktiv,por vërtetoi ekzistimin e “një mali të pakalueshëm” në mes të palëve që “më shumë aktruan se sa që negociuan”. Ndryshe nga pikëpamjet që konsiderojnë se me nxjerrjen eventuale të një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së “do të rrumbullakohet zgjidhja e çështjes së Kosovës”,unë mendoj pak sa ndryshe.

Në rezervat ndaj Pakos së Ahtisaarit jam shprehur se ai dokument, sikur lë për të kuptuar zgjidhjen, por se nuk e shpreh atë në mënyrë të qartë,përveç se në letrën shqëruese të tij dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së,duke shprehur drojën që që të njëjtin karakter mund ta ketë edhe rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila,pikëreferimi do ta ketë pjesën normative të dokumentit të Ahtisaarit, por jo edhe propozimin e tij në letrën shoqëruese dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara,siç po konfirmohet nga paralajmërimi i një dokumenti prej 11 paragrafesh që është vënë në qarkullim e që mëton të jetë një draft- rezolute e re për Kosovën. Natyrisht se nuk mund t’i adresohem detajisht një dokumenti i cili ende është një version i parë,por ajo që do të mund,qoftë edhe në lidhje me të,të ripërsëritet, është mundësia që të kemi një dokument të interpretueshëm i cili edhe vetë zgjidhjen do të mund do ta bënte të interpretueshme. Nëse dokumenti do të shpjenë drejt një zgjidhjeje,ai do të duhej edhe të shpjente tek ajo zgjidhje. Ndryshe,edhe pse do të mund të ketë për synim të përmbyllë shumë çështje,ai do të mund t’i lë të hapura shumë probleme,sepse,edhe pse Kosova “do ta paguajë shumë shtrenjtë çmimin për statusin”, ai si i tillë,megjithatë, nuk do ta dërgonte në “stacionin e fundit”. Zbatimi i plotë i tij do të mund të përbënte sfidën më të madhe në Kosovën e passtatusit. Një rezolutë e paqartësuar sa duhet,në pikëpamje politike, juridike dhe ndërkombëtare, e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të mund të prodhonte paqartësi të tjera:nga ajo e identitetit të Kosovës deri tek ajo e subjektivitetit ndërkombëtar të saj që do të mund ta komplikonin të ardhmen e Kosovës.Me gjithë aktin eventual të Kuvendit të Kosovës për shpalljen e pavarësisë,zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të mund të konsiderohej plotësisht e rrumbullakuar. Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të mund të quhej e rrumbullakësuar nëse nuk do të shoqërohej me përcaktimin e qartë të identitetit shtetëror të Kosovës dhe me njohjen e subjektivitetit politik - juridik dhe ndërkombëtar të saj.Zgjidhja nuk do të mund të quhej e rrumbullakuar nëse qeverisja e institucioneve të Kosovës nuk do të mund të shtrihej në gjithë territorin e saj.Më në fund,zgjidhja nuk do të mund të quhej e rrumbullakuar nëse në Kosovë nuk do të mund të zbatoheshin ligjet, në mënyrë unike, në gjithë hapësirën e saj,përfshirë pra, edhe komunat serbe ose me shumicë serbe të cilat,në emër të një decentralizimi asimetrik, etnik dhe territorial, do të mund të kërcënonin me rrezikun, së pari, të disfunksionalitetit të qendrës, e më vonë,ndoshta, edhe të shkëputjes së pjesëve me të.E ardhmja e Kosovës do të duhej që t’i sigurojë asaj, jo vetëm një subjektivtet politik-juridik dhe ndërkombëtar të njohur,por edhe një kontraktualitet me OKB-në,Bashkimin Evropian dhe NATO-n.E ardhmja e Kosovës do të duhej “t’ia rikthejë” asaj sovranitetin , edhe ashtu të cunguar, në një pjesë të territorit të saj,për shkak të një pranie relativisht të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare.Më në fund,e ardhmja e Kosovës do të duhej që t’i sigurojë asaj kalimin nga një gjendje e pushtimit të një pjese të tokës së saj në një gjendje të çlirimit të saj dhe të qeverisjes me të.