Vetëm ata që nuk kanë mësuar shumë për negociatat dhe misionin e tyre, mund të jenë zhgënjyer me vonesën rreth përcaktimit të statusit të Kosovës dhe dilemat reth tij.Edhe vonesat,edhe dilemat, janë çmim i negociatave që duhet të paguhet.Për këtë mësojnë negociatat,historia,por edhe teoria dhe praktika e tyre.Për këtë mëson edhe diplomacia që është mbështetur në negociata.Në fakt, “diplomacia dhe negociatat janë sinonim i njëra – tjetrës”, siç shprehet Lisen Bashkurti në librin e tij,të përuuruar kohë më parë, për negociatat, “që nga lindja e tyre historike dhe në përspektiva historike”.

Këtë,më së paku,me sa shihet,e kanë kuptuar ata që drejtpërsëdrejti kanë marrë pjesë në negociata. Deklaratat e tyre se përcaktimi i statusit do të ndodhë këtë muaj apo këtë ditë,se negociatat do të mbyllen me këtë ose me atë zgjidhje,kanë dalë të jenë të pasakta.Ata sikur kanë injoruar edhe një çmim tjetër të negociatave : kompromisin vështirë të arritshëm ndërmjet palëve me pikëpamje diametralisht të kundërta që, vetvetiu, besimin e bashkësië ndërkombëtare që, nëpërmjet tyre, të arrijë te një rezultat i pranueshëm për të dyja palët, e bënin qysh më parë të jetë ireal, madje edhe një investim joekonomik.

Mirëpo,ndodhi ajo që ndodhi me negociatat dhe tash,shi për shkak të pamundësisë “që të pajtohen të papajtueshmit”, shtyhen edhe datat për përcaktimin e statusit dhe rriten dilemat rreth modaliteteve të tij. Për Kosovën më e papranueshmja do të ishte përpjekja për të imponuar kompromise të reja në dëm të saj, edhe pse Delegacioni i Kosovës, gjykuar sipas dokumentit të Ahtisaarit, ka bërë koncesione të mëdha, veçanërisht në fushën e decentralizimit, të trashëgimisë dhe të të drejtave të minoriteteve që, krahas miratimit të një pranie relativisht të fuqishme ndërkombëtare, statusin e ri eventual të Kosovës do ta bënin të sfidueshëm nga vetë modalitetet e vendosjes së tij.

Prandaj, pati shumë të drejtë një analist i huaj që ditë më parë u shpreh për një të përditshme tonë se “As shpallja e pavarësisë dhe as njohja e jashtme e kësaj shpalljeje, nuk e bën një entitet të pavarur. Kushti kryesor për pavarësinë është që autoritetet e entitetit që pretendon të jetë i pavarur kanë vendosur një kontroll efektiv të territorit, për të cilin autoritetet pretendojnë t’i takojë shtetit të tyre të pavarur”.

Vlerësuar sipas këtij gjykimi, Kosova do të paguajë “çmimin më të shtrenjtë të mundshëm” për statusin , pa garanci se do të mund ta zbatojë atë në gjithë territorin e saj.Përveç kësaj, kufizimet do të ndodhin edhe për shkak se Bashkimi Evropian që do të zëvëndësojë UNMIK-un, nuk do të përqëndrojë misionin e tij vetëm në “mbikëqyrje”, por do ta shtrijë gjithandej edhe në administrimin e disa fushave me rëndësi të jetës në Kosovë.
E gjithë kjo flet për kompleksitetin e statusit të ri të Kosovës që, nëse do të vendosej në mënyrën se si është projektuar, atë nuk e bëjnë të jetë përfundimtar, por të ardhshëm.Natyrisht se nuk do të mund të quhej përfundimtar një status që “për kohë të tjera” do të lë për zgjidhje një numër çështjesh prej të cilave do të varet e ardhmja e Kosovës dhe fatet e saj.

(Një vërejtje për lexuesit:kjo është paraqitja ime e 999-të publike për Kosovën dhe çështjen shqiptare.Paraqitja ime e parë ishte para dyzet vjetesh,me 10 qershor 1967,në një simpozium shkencor për federalizmin, në Novi Sad)