Deklarata e paradoditshme e presidentit amerikan Bush, më bëri “ të ndihem mirë”, sepse një kohë relativisht të gjatë në shkrimet e mia kam adresuar shumë vërejtje në Tiranën zyrtare për qëndrimin anemik të saj në lidhje me çështjen e Kosovës, ndërkohë që në Shqipëri dhe, çuditërisht në Kosovë, dëgjoheshin zërat e zyrtarëve qeveritarë dhe partiakë se Tirana, në fakt, po bën “krejt ç’ është e mundur” për të sensibilizuar çështjën e Kosovës dhe kërkesën e saj për pavarësi.Ishte ky një mendim imi ndryshe i shprehur shumë herët.

Cfarë po kërkon Bushi prej Shqipërisë? Po kërkon që të mos bëjë atë që ka bërë dhe të bëjë atë që nuk ka bërë në lidhje me Kosovën dhe pavarësinë e saj. Ndryshe, që të mos veprojë “si e ka mësuar” Evropa që “të shfaqet e moderuar” rreth dhe në lidhje me procesin e statusit të Kosovës, por të kalojë, siç “po e sugjerojnë” Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ofensivë.

Gabimi që ka bërë Shqipëria në lidhje me Kosovën është një qëndrim pothuajse pasiv i saj për një periudhë të gjatë .Ai gabim shprehej në formulën “ nuk jemi as faktor dhe as aktor” në procesin e Kosovës.Bushi i “caktoi” Shqipërisë rolin që ajo do të duhej ta luante që moti.Kërkoi që “ nga spektator, Shqipëria të shndërrohet në faktor për zgjidhjen e statusit të Kosovës në stadin final të procesit”.Kërkoi edhe më shumë: që qeveria shqiptare “të merr më shumë përgjegjësi për Kosovën”.

Pra, u vërtetua teza se Shqipëria nuk ka vetëm të drejtë, por edhe detyrë, të merret me fatet e Kosovës.Shqipëria është anëtare e Kombeve të Baskuara dhe ajo mund të bëjë shumë më shumë se ç’ ka bërë për Kosovën.

Për diplomacinë shqiptare nuk është kjo hohë e heshtjes, por kohë e fjalës. U kërkua, më shumë të drejtë prej saj, që të bëhët “zë i fuqishëm” për pavarësinë e Kosovës dhe atë, “jo vetëm në Ballkan , por edhe në Nju-jork, në Bruksel, në Stamboll e në Zagreb” e gjithandej nëpër botë.

Shqipërisë iu tërhoq vërejtja se bëhët fjalë për “minutat kritike”. Dihet ç’ duhet bërë në “minutat kritike”.

Diplomacia shqiptare ishte shumë e kujdesshme që, nëpërmjet Kosovës, “të mos godasë të tjerët”. Bushi porositi atë që Shqipëria do të duhej ta dinte edhe më parë se rruga e Kosovës për në Evropë kalon nëpër Tiranë, sikurse që do të duhej të ishte e ndërgjegjshme se nuk mund të ketë integrime rajonale a ndërkombëtare, pa integrime kombëtare të shqiptarëve.

Nuk ka dyshim se e ardhmja e Kosovës nuk do të mund të ishte tjetër dhe as të rekomandohej tjetër, veçse integrimi i saj në Evropë. Kosova do të mund të integrohej në Evropë vetëm nëpërmjet të pavarësimit të saj.Pavarësia e Kosovës dhe integrimi i saj në Evropë paraqesin zgjidhjen e vetme të drejtë për ardhmerinë e Kosovës, që do të përbëntë jo vetëm zgjidhje të drejtë për popullin shumicë të saj, por njëkohësisht edhe për stabilitetin në rajon.

Prandaj, aplikimi i të drejtës së vetëvendosjes i popullit shqiptar, rekomandohet me të drejtë si “cak aktualisht optimal për zgjidhjen afatgjatë të çështjes së Kosovës”. Cështja e Kosovës, në fakt, për nga substanca e saj, paraqet çështje të vetëvendosjes së popullit të saj.