Ka kohë që në lidershipin e Kosovës ishte formuar bindja se është çështje javësh, e jo muajsh, vendimi për statusin e ri të Kosovës, edhe pse disa zëra “nga larg” paralajmëronin vonesën e mundshme.Ka kohë që lidershipi ynë deklaron se “nuk do të pranojë negociata tjera me serbët”, ndërkohë që ato janë vënë si variant në letrat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe negociuesit tanë mund të ndodhë të vëhen para “aktit të kryer”. Ka kohë që Grupi ynë i Unitetit “ shprehet unik” se do të kujdeset që, me kohë, për çdo ndryshim, do të informojë Kuvendin, dhe do të merrë pëlqimin prej tij, ndërkohë që Kuvendi është shndërruar në vrojtues pasiv, duke “humbur lidhjen” më Delegacionin e Kosovës, por edhe më rëndë se kjo, duke humbur besimin në elektoratin që e ka votuar, edhe pse “sumbylltas”, në zgjedhjet me listat e mbyllura.

Populli është i hutuar dhe, njëkohësisht, i uritur, për të mësuar të vërtetën se çfarë po ndodhë me procesin:është para fundit apo para fillimit të ri ?

Atë që nuk ka bërë Grupi i Unitetit është se nuk ia ka thënë të vërtetën popullit, pavarësisht dhembjeve që do të ketë mundur t’i shkaktojë ajo, aq më shumë se timonin e kanë mbajtur në duar ata që vazhdojnë ta mbajnë edhe sot :anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Te populli është ushqyer ndjenja optimiste, në vend të ndjenjës realiste e cila buron nga kahet që kanë marrë dhe që mund të marrin në vazhdim rrjedhat rreth të ardhmes së Kosovës.

Droj se disa përgjigje po merren me heshtje.Popullit nuk bën t’i premtohet se “nuk do të lejojmë të ndodhë diçka që veç po ndodhë”.

Ajo që tashmë është e qartë është se prej kohës së shtyrjes së procesit për vendosjen e statusit të ri të Kosovës, Kosova ka hy në një periudhë të re vonimi, stagnimi dhe paqartësie.

Megjithë deklarimet se çështja e Kosovës “ka marrë fizionominë e një çështjeje të zgjidhur, duke pritur sanksionimin politik – juridik ndërkombëtar”, ajo vazhdon të jetë “e mbështjellur në mjegullnajë të dendur diplomatike”.

Nuk ia vlen që ta vajtojmë shtyrjen e procesit, sepse ajo tashmë është një e panjohur- e njohur, ose një fakt i kryer.Më shumë se shtyrja e procesit mua më bën përshtypje dhe më shqetëson ligshtimi i Grupit të Kontaktit para Bashkimit Evropian.Për mua ky është një faktor shumë domethënës që mund të jetë me ndikim në procesin, as të rrumbullakuar, as të përfunduar.Më kujtohet një deklaratë e Zonjës Angela Merkel,ditën kur vendi i saj,Gjermania, mori kryesimin e BE-së, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2007.Ajo u shpreh se zgjidhja e statusit të Kosovës do të jetë një rrugë e komplikuar, për të cilën të gjithë duhen të jenë të vetëdijshëm.Ajo me këtë, sikur shpalosi atë që mbahet sekret në diplomaci.Ka një dallim të madh në mes të asaj që thuhet “është” dhe asaj që thuhet “duhet”. Në lidhje me statusin e ri politik të Kosovës shumë nga ajo që do të duhej të ndodhte është paraqitur sikur po ndodhë.Prandaj, rendimentet ende nuk shihen.Megjithë deklarimet e qendrave të vendosjes se “tash është koha”, ato nuk po ecin bashkë me kohën.Një gjë është e padiskutueshme:”Vetëm më kohë mund të fitohet koha”.