Sado që çështja e Kosovës merret ”e shkëputur” nga zhvillimet në Shqipëri, ndodhitë në Kosovë ”do të varen shumë” nga ngjarjet që do të zhvillohen në ”skenën shqiptare”, sepse Shqipëria, vështruar nga pozicioni në të cilën ndodhet, po përballet me shumë probleme të brendshme dhe jemi të sigurt se vetëm një Shqipëri vërtet demokratike, me një rend të ndërtuar vërtet juridik dhe me një zhvillim vërtet të avancuar ekonomik, mund të dalë nga ”rrethi brendapërbrenda të cilit po zhytet” dhe, njëkohësisht, të bëhet ”krah i fuqishëm” i çështjes së Kosovës dhe pozitës së shqiptarëve jashtë kufijve të tashëm administrativë të saj.Teza për ndikimet dhe implikimet e ngjarjeve në Shqipëri në Kosovën që ”jeton në pritje” të një statusi të ri politik, juridik e ndërkombëtar të saj, nuk është fare e diskutueshme.

Ajo që është brengosëse është se si po ndodh kështu, për disa herë rresht në historinë më të re politike të Kosovës që, pikërisht kur dhet që Shqipëria të bëhet ”krah i fuqishëm” i zhvillimeve në Kosovë, të dështojë në ”planin e brendshëm”. Zgjedhja e presidentit është vetëm ”njëra anë” e problemeve të grumbulluara për përballimin e të cilave duhet shumë kohë,angazhim e sakrificë, që shqiptarët të kenë, më në fund, një Shqipëri më të ndërtuar demokratikisht, më të ngritur politikisht dhe më të pranueshme kombëtarisht.Shqipërinë ”mund ta shpëtojë” dhe ”do ta shpëtojë” vetëm zëvëndësimi i ideologjisë partia ”mbi të gjitha” me filozofinë politike kombi ”para së gjithash”.Eshtë e qartë se shteti pa pushtet nuk mund të ekzistojë, por është, edhe më e qartë, se ”ushtrimi i pushtetit nëpërmjet partisë”, e jo nëpërmjet shtetit, është në kundërshtim me çdo parim të demokracisë.Shqipërisë si ”buka dhe uji” i duhet një qeverisje demokratike. Edhe pse Shqipëria është një ”vend me traditë”, shoqëria e saj sikur më shumë po lënë përshtypjen se ende ”po i ngjan fëmijës” që, sapo ”ka lindur i dobët” dhe që ”duhet të mbahet në jetë me infuzion”.Nga ”ligjet e mjekësisë” dihet se ” po t’ia heqësh fëmijës të posalindur të dobët infuzionin”, rrezikoni që ”t ’ia humbasni jetën”.Shqipëria ndien nevojën për një president që bashkon fijet e shkëputura dhe thurrë jetën institucionale.Shqipëria ka nevojë për një president me vizion të qartë ”për ta parashikuar të ardhmen”, por edhe për ”ta ndërtuar atë”. Për një vizionar është e rëndësishme që, së pari, ”të njohë dhe të dijë” se cilat janë problemet dhe që, më pastaj, të angazhohet, në përballimin e tyre. Një klasifikim i politikanëve që kishte bërë Maks Veber, një shekull më parë, mbetet aktual.Sipas tij, nëra kategori e politikanëve ”hynë në politikë për t’i dhënë asaj idetë, konceptet dhe alternativat”, ndërsa tjetra është ”kategoria e politikanëve që hynë në politikë për të vetmin qëllim për të marrë prej saj favoret dhe statusin social”.Shqipëria ndien nevojën për kategorinë e parë të politikanëve dhe vetëm ata shihen si ”shpëtimtarë të saj”.Shqipëria ka përvoja shumë të hidhura me politikanë të cilët ”dobinë e perceptuar keq të tyre” e kanë shndërruar në ”dëm të papërmirësueshëm kolektiv”.Nga një letër e hapur që u kisha dërguar votuesve shqiptarë, në prag të zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, me titull ”Bëjeni Shqipërinë demokratike,ju lutëm !”, po përsëris vetëm një mendim që, më thotë mendja, mund t’u adresohet sot, si këshillë, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që gjindet para detyrimit kushtetues ta bëjë Shqipërinë me president: ”Eshtë detyrë e juaja që Shqipërinë ’t’a nxirrni’ nga një udhëkryq në të cilin është ndodhur.Keni kujdes,ju lutëm: demokracinë Shqipërisë nuk mund ’t’ia sjellë’ askush tjetër, përveç se populli i saj.Secili shtet e ndërton demokracinë në pajtim me mundësitë që krijon dhe, para së gjithash, me shkallën e vetëdijësimit të popullit, për ta kuptuar dhe, për ta ndërtuar atë në jetën e vet.Standardet demokratike të një vendi ose të më shumë vendeve nuk mund të vlejnë si standarde të përgjithshme për të uniformuar vendet e tjera.Shqipëria ndien nevojën për ’demokracinë shqiptare’.Votues të nderuar shqiptarë...kini parasysh faktin se konservimi i gjendjeve dhe stereotipeve të vjetruara dhe për botën e civilizuar njëherë e gjithmonë të perënduara, do ta kthejë prapa rrotën e historisë. Kur historia kthehet, ajo vetëm se përsëritet. Nuk e besoj se dikush prej jush dëshiron të ndodh kthimi i historisë dhe përsëritja e saj për shqiptarët”.