Megjithë deklarimet e zyrtarëve tonë se bashkësia ndërkombëtare po bën gjithë atë “që mund të bëjë” rreth çështjes së Kosovës dhe avancimit të statusit të saj, megjithë konsideratën më të lartë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që kanë arritur që çështjen e Kosovës, nga anonimiteti ta përfshijnë në prioritete të politikës diplomatike të tyre, mendoj se, megjithatë, brenda bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht brendapërbrenda Bashkimit Evropian, ende ka “të çara” rreth statusit të ardhshëm të Kosovës që të ardhmen e saj e bëjnë të jetë ende me të panjohura.

Prej se Kosova është vendosur nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar, neglizhimet e bashkësisë ndërkombëtare e kanë shoqëruar çështjen e Kosovës.Në të vërtetë, ato për një kohë më të gjatë, nuk ndërtuan një projekt serioz rreth së ardhmes së Kosovës, kështu që ajo, prej vitit 1999, u vendos në një “rreth të mbyllur” nga i cili, asessi, të dalë, edhe pse kaluan më shumë se tetë vjet, e premtimet e bashkësisë ndërkombëtare ishin se Kosova, për një kohë relativisht të shkurtër, do të mund të ndërtojë identitetin e vet shtetëror. Luhatjet e e bashkësisë ndërkombëtare i kam vërejtur shumë heret, kam reaguar në to, edhe pse i ndërgjegjshëm për shterpësinë e premtimeve të saj.Bashkësia ndërkombëtare, vite të tëra, shprehu vetëm “shqetësim rreth gjendjes në Kosovë” dhe, në mungesë të masave adekuate, lejojë që, më parë të shpërthejë lufta në Kosovë, e më pastaj të merret me fatet e saj.Tash kur, përkundër shpresave se, më në fund, “do të mbyllet kapitulli i Kosovës”, edhe pse me një status jo shumë të favorshëm për të,çështja e Kosovës, nga “fillimi i fundit” po vendoset “para fillimit të ri”. “Fillimi i ri”, në mos me asgjë tjetër, kërcënon, e para, me vonesa; e dyta, me ngecje “në vend” dhe, e treta, me shqetësime. Reflektorët e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë po bëhen gjithnjë më të dobët, ndërkohë kur gjendja në Kosovë po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.Nuk do të dëshiroja që bashkësia ndërkombëtare, të përsëris fjalorin e paraluftës: “shprehim shqetësimin tonë”..., pa vra mendjen se, vërtet, është “koha e fundit” që statusi i Kosovës të vendoset në përputhje me vullnetin e popullit të saj. Pretendimet që “të vendoset” një “mbikëqyrje e re ndërkombëtare në Kosovë”, pa u bërë lëvizje drejt statusit të premtuar, jo vetëm që e kërcënon Kosovën që në të të kultivohet një mentalitet i ri vartësie, por që edhe të vendoset, më vonë, një status kalues, pa asnjë afat kohor dhe pa asnjë garanci që ai të jetë në përputhje me vullnetin e popullit shumicë të Kosovës për të qenë i lirë, i pavarur dhe sovran, në gjithë territorin ende të pakontrolluar dhe ende të paqeverisur prej saj.Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk do që edhe vetë të jetë bashkëpërgjegjëse për mundësinë e shpërthimit të konflikteve dhe për gjendjen gjithnjë e më të rëndë në Kosovë që, haptas, kërcënon me projektin e vjetër serb për ndarje të Kosovës që ndryshe, përvidhet edhe në dokumentin e ofruar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ajo do të duhej të veprojë menjëherë dhe në përputhje me verdiktin e shqiptarëve.Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërgjegjësohet se nuk janë shqiptarët ata që pengojnë pjesëmarrjen e serbëve në institucione, po janë serbët ata që nuk duan të pranojnë një realitet të ri, të mësuar me shumë privilegje me të cilat kanë jetuar në të kaluarën. Serbia dhe aleati i madh i saj, Rusia, “po trimërohen” gjithnjë e më shumë me neglizhimet e bashkësisë ndërkombëtare për “të marrë një vendim për Kosovën”.Bashkësia ndërkombëtare vazhdon të mos e valorizojë drejt çështjen e Kosovës: si çështje të vetëvendosjes së popullit të saj.Ajo, në fakt, qe nga fillimi i “marrjes me Kosovën” nuk e kishte konsideruar çështjen e Kosovës, si çështje e vetëvendosjes. Për derisa nuk do ta bëjë këtë, për derisa verdiktin e popullit shqiptar nuk do ta përfillë si faktorin përcaktues kulminant dhe për derisa do të përpiqet që, me çdo kusht, “të pajtojë të papajtueshmit”, do të bëjë një investim joekonomik në Kosovë nga i cili dëmin më të madh do ta pësojë pikërisht Kosova.Kosova nuk është rajon heterogjen nacional dhe sa më herët që për këtë të vetëdijësohet bashkësia ndërkombëtare, aq më lehtë do të “gjindet formula për Kosovën”.Për Kosovën nuk mund të ketë as dy të vërteta dhe as dy bindje.Aty ku faktet flasin vetë, fjalët bëhen të panevojshme.