Analizë

(Një përgjigje publike të gjitha persiatjeve për ndarjen e Kosovës)

Disa vërejtje hyrëse

Asgjë s’ më kënaq më shumë se përzgjedhja e temës, sepse ajo, ndonjëherë është “sikur ta gjesh gjilpërën në kashtë”. C’është e vërteta, këtë temë “e përzgjodhi vetë koha”.Koha është ajo që të shtyn të “ecësh me të”, sepse po qe se nuk e more “hapin me kohën” të shkelë “vetë koha”.

Idetë, propozimet dhe projektet për ndarjen e Kosovës nuk janë të reja, prandaj nuk duhet të befasojnë as këto të fundit. Brengosës është vetëm fakti se “projektit të vjetër serb” po i bashkëngjitën, gjithnjë e më shumë,edhe zyrtarë ndërkombëtarë, ndër ta, edhe ata që kishin gojën plotë se “nuk do të ketë ndarje të Kosovës” ose se “nuk do të lejohet ndarja e Kosovës”, edhe pse paralajmërimet,në fakt,janë shumë të hershme, paralajmërime këto që më patën shtyrë që, qysh në gushtin e vitit,tashmë të largët 1999, të tërheq vërejtjen se : “Ajo që irriton në mënyrë të veçantë është një lloj i legalizimit të heshtur të ndarjes së Mitrovicës”, me përdorimin e papranueshëm, nga ana e KFOR-it, të terminologjisë “pjesa shqiptare” dhe “pjesa serbe” e qytetit, edhe pse një ndarje e tillë as që ka ekzistuar ndonjëherë ..., për të nënvizuar se ... çështja e Mitrovicës kërcënohet me rrezikun e ‘ndarjes faktike’ të saj, po qe se KFOR-i “shtiret i shurdhër” dhe lejon që nga një problem i paqenë të krijohet një problem që tejkalon përmasat lokale dhe ‘pretendon të bëhet’ një problem ‘rajonal’ apo ‘ndërkombëtar’,sikur se që, në fakt, ndodhi.

Njeriu që “merr guximin të parashikojë zhvillimet në Kosovë dhe me shqiptarët kudo që jetojënë” merr, njëkohësisht, përgjegjësinë për të parashikuar përgjithësisht zhvillimet në rajon, epilogu i të cilave do të varet, siç e mendoj edhe sot e kësaj dite, nga “konkurrenca politike” ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian “për dominimin në Ballkan” dhe përgjithësisht në “Lindje të Evropës” e që, “për pasojë mund të ketë shtrirjen e ndikimit të njërës ose diplomacisë tjetër për “stabilitetin e rajonit”, një shprehje tjetër “diplomatike”, shumë e paqartë dhe më shumë të panjohura, qoftë për Kosovën, qoftë për shqiptarët, “të bërë pikë e pesë” në të. E kisha thënë, më një rast, se “për Kosovën sot e nesër” mund të gjykoni si “nga miqtë”, ashtu dhe “nga armiqtë” që i ka dhe që mund t’i ketë.

Tërheqja e vërejtjes

Nuk e di sa kam pasur të drejtë, por në lidhje me “armiqtë” e Kosovës dhe të shqiptarëve, në paraqitjet e mia publike, disa herë, kam përsëritur se “Shqiptarët, ‘andej dhe këndej kufirit’, do të duhej të mendonin për faktin se skenarët me ta dhe për rreth tyre ende nuk kanë përfunduar”.Natyrisht se këtu kisha parasysh oreksin për gllabërime të reja tokash të shqiptarëve, qoftë nga Serbia, qoftë nga Maqedonia, dhe përpjekjet për tkurrjen e vazhdueshme të territoreve shqiptare, madje edhe me miratimin e Bashkësisë Ndërkombëtare ose me “heshtjen e saj”. Kjo ishte një ndër shumë arsye që apeloja dhe që vazhdoj të apeloj për një mobilizim brendashqiptar.Përndryshe, ataku i drejtpërdrejtë, në tërësinë territoriale të Kosovës me marrëveshjen serbo-sllavomaqedonase dhe legalizimi i saj nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk paraqiste inkonsekuencën e parë të Bashkësisë Ndërkombëtare në lidhje me Kosovën. Kishte dhe inkonsekuenca të tjera gjatë “pranisë së saj në Kosovë”, veçanërisht me “angazhimet e një pjese të saj” për restaurimin e një shteti nga “mbeturinat e Jugosllavisë”. Në këtë gjendje, isha shprehur, në disa raste, se institucionet tona nuk duhet “të shtiren” sikur “asgjë nuk po ndodh me ne dhe për rreth nesh”.Mungonte guximi i forcave politike, si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë, që të reagojnë në mënyrë adekuate në ndodhitë me ta dhe për rreth tyre, sepse gjendja faktike në Kosovë fliste se Mitrovica është e ndarë,; se enklavat serbe mbajnë lidhjet me Beogradin dhe refuzojnë integrimin e tyre në jetën institucionale në Kosovë; se krerët politikë të Evropës i referohen Kosovës si “pjesë e RFJ-së“ së paqenë. Me që Bashkësia Ndërkombëtare “ende nuk i bënte një qasje të drejtë dhe të plotë çështjes së Kosovës”, gjykoja për një përfundim se “institucionet e Kosovës që heshtin, në kohën kur duhet të reagojnë, nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia.

Kosova – territor homogjen nacional

Ndër popujt e Evropës, shqiptarët kanë pësuar copëtimin territorial më të madh.Sot trojet e shqiptarëve ndodhen të pjesëtuara ndërmjet disa shteteve të Ballkanit. Por, ajo që shqetëson sot është se shqiptarët kërcënohen me rrezikun për ndarje dhe nëndarje të reja tokash të tyre. Kundër shqiptarëve përgjithësisht dhe atyre të Kosovës, veçanërisht, janë hartuar shumë plane në të kaluarën. Por, ajo që shqetëson sot është se shqiptarët kërcënohen me rrezikun e planeve të reja kundër tyre dhe tokave të tyre.Një kohë, me heshtjen e institucioneve tona, kemi marrë përgjigje “shumë të qarta”.Përkujtojmë, me këtë rast, “pazarllëqet” e njërit nga ish-kryeadministratorët e Kosovës,H.Hakerup, në dëm të Kosovës.Katalizatorët kryesorë që ndikuan në “prodhimin e dokumentit” të firmosur nga ana e z.Hakerup me zyrtarin e lartë të Beogradit,N. Coviç, ishin dy kryesorë.I pari, pavendosshmëria e Bashkësisë Ndërkombëtare në lidhje me pozitën e Kosovës dhe përcaktimin e statusit përfundimtar të saj.I dyti, ngathtësia e subjektit politik shqiptar për të këmbëngulur në kërkesat që do të mund të avansonin procesin e pavarësisë së Kosovës.

Tendenca e Misionit të OKB-së që Kosovën “ta shohë dhe ta paraqesë si mozaik nacional” ,me gjithë faktin se Kosova nuk paraqet rajon heterogjen nacional, qysh në start, prodhoi pasojat e veta në dëm të shqiptarëve etnikë. Ajo tendencë vazhdon të prodhojë pasoja të reja në dëm të shqiptarëve etnikë. Realiteti se popullatën e Kosovës e përbën shumica e theksuar shqiptare u anashkalua, kështu që u pretendua që “në emër të një egaliteti” të paqenë, të ketë një “paqe formale”, të krijohet një “shoqëri multietnike”, jashtë gjitha standardeve,vlerave dhe parimeve demokratike.Në emër të “egalitetit” të paqenë pati përpjekje për “përligjjen e enklavave serbe” dhe pretendime për “përthekim të dhunshëm” politik të një pjese të territorit të Kosovës, edhe pse në kundërshtim të thellë “me entitetin burimor politik të atij territori”.U bënë shumë përpjekje të Bashkësisë Ndërkombëtare për “t’i rikthyer serbët në institucione”, edhe pse abstenimi i tyre nuk ishte dhe,nuk është edhe sot, i rastësishëm, por i porositur nga Beogradi zyrtar.”Mbajtja peng” e zhvillimeve në Kosovë nga (ri)kthimi i serbëve në institucione i kushtoi dhe vazhdon t’i kushtojë shumë shtrenjtë të ardhmes politike,juridike dhe ndërkombëtare të Kosovës. Realitetet jetësore në Kosovë do të duhej të ishin bazë e rivitalizimit të institucioneve dhe të mekanizmave të tjerë institucionalë të Kosovës.Mbrojtja e të drejtave të pakicave, veçanërisht të asaj serbe në Kosovë, mund të bëhet dhe duhet të bëhet në përputhje me respektimin e identitetit të tyre nacional dhe të të drejtave qytetare, e jo me ruajtjen e privilegjeve që kanë krijuar me dhunë dhe me shtypje.

Kushtëzimet e Misionit të OKB-së në Kosovë se disa prej detyrave nuk mund të realizohen pa serbët, jo vetëm që e kanë ngadalësuar misionin, por e kanë bërë të paefektshëm, madje edhe e kanë vënë në pyetje vetë atë.

Luhatjet e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe inkosenkuencat e saj

Bashkësia Ndërkombëtare, për një kohë të gjatë, kishte ndarë dhe nuk kishte bashkuar “politikën e evitimit të krizës” me “politikën e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”,me gjithë se shumë shpejt u dëshmua paaftësia e saj në të dyja rrafshet.Ajo lejoi që në Kosovë të ndodhë lufta në mënyrë që, më pastaj, “të merret me të”, por me shumë hamendje për ta valorizuar drejtë vullnetin e popullit shqiptar të Kosovës për të qenë i lirë, i pavarur dhe sovran dhe për ta konsideruar të drejtën e tij për vetëvendosje si “çelësin” e vetëm dhe faktorin kulminant për të përcaktuar fatet e tij në të ardhmen.Një formule së cilës do të duhej t’i adresohej Bashkësia Ndërkombëtare është shumë e qartë: Kosovës për stabilitet, i duhet rendi dhe qetësia; për paqe, i duhet toleranca ndëretnike; për prosperitet, i duhet adoptimi i vlerave të shoqërive dermokratike, ndërsa për vetëqeverisje, i duhet shteti.

Edhe pse Bashkësia Ndërkombëtare trumbetonte,po sikurse vazhdon ta bëjë këtë edhe sot, se “ndarja e Kosovës” ose “enklavizimi i saj” nuk do të lejohen, se do të kundërshtohen dhe se nuk do të pranohen, në Kosovë ndodhi rrudhja e territorit të saj dhe tash kërcënon përligjja e tij.Ajo lejoi “ndërhyrjet” e Serbisë në Kosovë dhe vazhdon t’i lejojë edhe sot.”Para syve”të Bashkësisë Ndërkombëtare, por edhe me miratimin e saj, ndodhën shumë veprime që, në vend të integrimit të territorit të Kosovës, çuan në dezintegrimin e tij.Formula e saj se “nuk do të përkrahim, por as nuk do të pengojmë”, ndërhyrjet e pushtetit serb në Kosovë, ishte dhe vazhdon të jetë një formulë, në parim, e gabueshme dhe,njëkohësisht, e dëmshme për të ardhmen politike, juridike e ndërkombëtare të Kosovës.

Decentralizimi - territorial dhe etnik

Një projekt që u krijua me shumë pompozitet politik, ai i decentralizimit, në të vërtetë, është problemi numër një nga i cili mund të prodhohen edhe shumë probleme të tjera. Projekti u ndërtua mbi parimin territorial dhe etnik dhe si i tillë u kërcënua dhe vazhdon të kërcënohet me rrezikun për vizatimin e hartave të reja politike dhe gjeografike në Kosovë.Ai, fillimisht, iu imponua palës së Kosovës në të ashtuquajturat negociata me Serbinë, por mori edhe miratimin e saj.Tash flitet për mundësinë e (ri)negociatave, pra edhe për mundësinë e “rivizatimit të hartave” që edhe më shumë do të dëmtonin të ardhmen e Kosovës.Kërkesat e serbëve për decentralizimin janë pjesë e përpjekjeve për ta vështruar dhe për ta shtruar çështjen e Kosovës në rrafshin e rajonalizimit të saj.Përpjekjet “për ta parë dhe për ta trajtuar Kosovën” si “nevojë e decentralizimit” të saj”, me qëllim gjoja të përballimit të konfliktit shqiptaro-serb, nuk paraqesin “formulën e gjetur” për të ardhmen e Kosovës.

Bashkësia Ndërkombëtare do të duhej të eleminonte fuqishëm dhe përfundimisht involvimin dhe ndikimin e Beogradit në proceset zhvillimore në Kosovë. Ky është “çelësi i vetëm” i përballimit të problemeve në Kosovë.

Argumente dhe fakte kundër persiatjeve për ndarjen e Kosovës

Cdo persiatje e tashme për ndarje të Kosovës është e pabazë.Në këtë shkrim do të ofrojmë disa argumente dhe fakte që ndarjen e Kosovës e hudhin, jo vetëm si një realitet, por edhe si një ide,koncept,sugjerim apo propozim.

Së pari, vetë çështja e Kosovës “është sajuar” si çështje e veçantë me pushtimin serb të trojeve etnike shqiptare dhe me copëtimin e trungut etnik shqiptar dhe ky fakt duhet të sherbejë si komponentë nisëse për të kuptuar esencën e çështjes së Kosovës.

Së dyti, ideja, koncepti,sugjerimi apo propozimi për ndarje të Kosovës nuk kanë “prapa vetës” asnjë fundament “të ndarjeve reale etniko-territoriale në hapësirën e Kosovës”.

Së treti, Kosova nuk paraqet fare “territor diversifikativ etnik të karakterit enklav”.

Së katërti, në Kosovë bëhet fjalë për ”kuantume dhe proporcione demografike dhe kombëtare, shprehimisht të ndryshme”.

Së pesti, janë të papranueshme, në pikëpamje logjike dhe konstitucionale, përpjekjet për përdhekimin e dhunshëm eventual të territorit të Kosovës nga ana e Serbisë. Serbia nuk ka asnjë të drejtë legjitime që të mbrojë posesivizmin e saj ndaj Kosovës,posesivizëm ky që është i pathemeltë, qoftë në pikëpamje metodologjike të shtruarjes së tij, qoftë në pikëpamje historike të mbrojtjes së tij.Më në fund, ”përthekimi (eventual) i dhunshëm politik” i një pjese të territorit të Kosovës nuk do të ishte ”në përputhje me entitetin burimor politik të atij territori”.

I përket popullit të Kosovës të vendosë për të ardhmen e tij

Bashkëesia Ndërkombëtare duhet ta ketë parasysh se gjendja dhe pozita e tashme e Kosovës nuk mund të ngelë dhe të qëndrojë gjatë si e tillë.Kjo do të duhej të bëhej e qartë ”për çdokë që mendon politikisht” dhe ”që mendon me vizione historike mbi progresin e marrëdhënieve ndëretnike”.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së është ”para provimit të madh” në lidhje me të ardhmen e Kosovës. Nëse e ardhmja e Kosovës do të duhej të ishte ”në duart e popullit të saj”, pikërisht populli i saj do të duhej të ishte ai që do të deklarohej për të, mbi parimin e të drejtës për vetëvendosje, të prononcuar në të drejtën ndërkombëtare, ndërsa në rastin e Kosovës, qoftëe si e drejtë kombëtare, qoftë si e drejtë e një territori të individualizuar.Nëse e ardhmja e Kosovës është dhe duhet të jetë në duart e popullit të saj, ky fakt vetvetiu mjafton që të përjashtojë çdo ”negocim” apo ”(ri)negocim” me Serbinë çështjen e statusit të Kosovës.

Eshtë kohë e fundit që të pushohet të ”eksperimentohet” me Kosovën dhe popullatën e saj,popullatë kjo që jashtë vlerave dhe parimeve demokratike, ose në kundërshtim me to, po privohet nga mundësia për të qenë në cilësinë e shtetasëve dhe të qytetarëve të Kosovës, në kuptimin më të përgjithshëm dhe më të plotë demokratik.

E ardhmja e Kosovës duhet të ndërtohet mbi ”bërthamën e demokracisë” e cila ”balancën e koparticipimit të pakicës demografike” në pushtetin politik e vendos me respektimin e realitetit demografik të gjithë territorit.Demokracia në Kosovë ende nuk ka shumë hapësirë që të ndërtohet, as brendapërbrenda shoqërisë, dhe as brendapërbrenda institucioneve që synojnë qeverisjen me shoqërinë.Për rrjedhojë, ende është shumë e ulët shkalla e përqafimit të demokracisë, qoftë edhe si koncept, për shkak të mosbesimit që ajo të bëhet një realitet.

Disa vrojtime të fundit

Ky vit në Kosovë u prit me shpresa të mëdha se do të sjellë ndryshime.Por,shpresat janë ndër ato ”ilaçe që aspak nuk kurojnë, por vetëm e vazhdojnë dhembjen”.

Populli ynë është shumë i etshëm për liri. E dëshiron drejtësinë, sepse përherë ka jetuar në padrejtësi.Prandaj, ai nuk do të dëshironte që ”drejtësia e vonuar” t’i dilte ”drejtësi e cunguar”.Besojmë dhe shpresojmë se këtë nuk do ta dëshironin as qendrat ndërkombëtare të vendosjes të cilat do të duhej, më në fund dhe përfundimisht, të rreshtoheshin në krah të së drejtës dhe të drejtësisë.