Analizë

Ndihet nevoja për një tryezë mbarëshqiptare në të cilën do të ravijëzoheshin rrugët e mëtejshme të ecjes sonë, si popull dhe si komb

(Në formë të letrës së hapur institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës)

Disa vrojtime hyrëse

Tema është mjaft serioze që t’ i qasësh në “mënyrë relaksuese”; është mjaft tensionuese që t’i qasësh “në mënyrë krejt të qetë”; është mjaft e ngrohtë që t’i qasësh “në mënyrë krejtësisht të ftohtë”.

Me gjithë premtimet dhe zotimet e zyrtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë se çështja e Kosovës “veçsa po merr fizionominë e një çështjeje të zgjidhur”, ajo, në vend se “të ishte para fillimit të fundit”, po (zh)vendoset “para fillimit të ri”.Kështu, doli që betejën “nuk e fituan” as optimistët dhe as pesimistët rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por realistët, ata që kishin parashikuar se çështja është shumë më komplekse se që paraqitet “në dukje të parë” dhe se për zgjidhjen e saj duhet të përballohen shumë kufizime dhe kundërshtime që i bëhën dhe që mund t’i bëhën “në proces e sipër” që atë, jo vetëm se mund ta ngadalësojnë dhe vështirësojnë, por ,për nëjë kohë, edhe ta pamundësojnë.

Nga më shumë pyetje që mund të shtrohen tash, kur zgjidhja e çështjes së Kosovës është “jashtë binarërë” në të cilët “ishte vendosur” , me duket se pyetje qendrore mund të ishte ajo se “çfarë aftësish nuk kemi dëshmuar dhe nuk po dëshmojmë ne shqiptarët në këtë proces të “bërjes së shtetit?”

Mendoj se nuk kemi arritur dhe nuk po arrijmë që të dëshmojmë, më së paku, këto tri aftësi:

E para, aftësinë për të kuptuar realitetin që na kishte rrethuar dhe që vazhdon të na rrethojë, për të marrë një qëndrim të drejtë ndaj tij.

E dyta, aftësinë për të matur, objektivisht, fuqinë që dispononim dhe që disponojmë për ta ndryshuar në më të mirë gjendjen.

E treta, aftësinë për të mësuar realisht se kush, dhe sa sinqerisht, mbështeste dhe vazhdon të mbështes, objektivat tona, në mënyrë që mbi fuqinë e tyre të ndërtonim dhe të vazhdojmë të ndërtojmë strategjinë për t’i bërë ato objektiva një realitet.

Pikëreferimet

Pikë nismëtare e çdo shqyrtimi që mund t’i bëhet sot çështjes së Kosovës është se “mes shteteve perëndimore dhe Rusisë ka probleme serioze rreth statusit të Kosovës”. Të gjithë ata që kishin menduar ndryshe, duhet të ndërrojnë mendje, sepse është, pikërisht Rusia ajo që “nuk po ndryshon mendje” rreth të ardhmes së Kosovës.Se a do të ndryshojë dhe se kur do të ndryshojë mendjen Rusia rreth Kosovës, është çështje parashikimesh që, përherë, nuk janë treguar të falenderueshme, madje edhe për ata që kanë pasur “të gjitha informatat në duart e veta”.

Pikë e dytë e referimit të çdo shqyrtimi për të ardhmen e Kosovës është “mbështetja amerikane” që ditëve të fundit, nëpërmjet Nënsekretarit Amerikan të Shtetit, Nicholas Burns dhe Sekretarës Amerikane të Shtetit,Condoleezza Rice,u fuqizua me deklaratat e tyre se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbajnë premtimin ndaj popullit të Kosovës për njohjen e pavarësisë”,përkatësisht se “Ne jemi të përkushtuar për një Kosovë të pavarur dhe ne do ta arrijmë këtë në një mënyrë apo në një tjetër”.

Pikë e tretë e referimit është qëndrimi, sado ende “i pandërtuar” i Bashkimit Evropian se “janë duke u shqyrtuar mundësitë që procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës të shkojë eventualisht edhe jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së”,edhe pse “pranohet” se për këtë nuk ka një strategji.

Dilemat e para

Ndër më shumë dilema që mund të paraqiten në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare që “pas daljes së çështjes së Kosovës nga binarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për “ ta rikthyer sërish atë në agjendën e vet” , dy janë më kapitale.

E para,si “mund të dilet nga kjo situatë” e krijuar ?

E dyta,si “të ndalet Rusia” në mënyrë që ajo të “mos vazhdojë të diktojë” politikën ndërkombëtare rreth Kosovës dhe, përgjithësisht rreth çështjes shqiptare, veçanërisht si “të ndalet ndikimi” i saj në Ballkan, rajon të cilin BE-ja e konsideron për “oborr të vetin ?”

Përgjigjja në këto dy dilema nuk është as e thjeshtë dhe as e lehtë, veçanërisht tash kur, në mungesë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, disa nga vendet që “kishin mbështetur pavarësinë e Kosovës” do të mund të fillojnë “të hamenden”.

Më duken “shumë simptomatike” qëndrimet e dy vendeve të Evropës ditëve të fundit.Gjermania, nëpërmjet të Zëvëndësministrit të Jashtëm,Gernot Erler,kërkoi që “Edhe Serbia edhe Kosova duhet të jenë më fleksibile”.Ajo pret që “Të dy palët...të jenë më të hapura ndaj kompromisit...”Nuk e kemi të qartë se për çfarë fleksibiliteti tjetër dhe për çfarë kompromisi tjetër të Kosovës do të mund të bëhej fjalë. Nga ana tjetër, Austria deklarohet pro planit të Ahtisaarit, “por vetëm nëse në zgjidhjen e kësaj çështjeje merr pjesë aktivisht Serbia”.Nuk e kuptojmë se si mund të këmbëngulet në “marrjen pjesë aktive të Serbisë”, nëse ajo në strategjinë e vet ka ndërtuar shantazhimin e procesit, vonesat,ngecjet dhe paqartësitë rreth tij.

Edhe pse ka zëra që konsiderojnë se dështimi i rezolutës së pestë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së “nuk paraqet mbyllje të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës” dhe se “nuk mbyllë asnjë rrugë të zgjidhjes së saj”, e vërteta flet ndryshe.Në fakt, mungesa e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për statustin e Kosovës lë të hapura të gjitha rrugët, por “nuk të ndihmon të dalësh në asnjërën prej tyre”.Eshtë e vërtetë se “kombet perëndimore do të mund të shkojnë në drejtim të njohjes së Kosovës pa rezolutë”, pa vra mendjen se Rezoluta 1244 nuk shfuqizohet dhe se “nuk do të jetë lehtë që pa të të largohen poqeruajtësit e OKB-së dhe të zëvëndësohen me një forcë të BE-së”.Për derisa Rezoluta 1244 nuk zëvëndësohet me një rezolutë tjetër, “rregullat e saj mbeten në fuqi”.

Adresimi i çështjes së Kosovës në Grupin e Kontaktit,në të cilin bën pjesë edhe Rusia, për momentin nuk do të thotë asgjë më shumë se “hudhje e topit” nga një qendër vendimmarrëse në një grup informal që nuk e ka dhe nuk mund ta ketë peshën e një organi të cilit veç i ishte adresuar një propozim-zgjidhje.

Paralajmërimet

Ajo që ne “nuk kemi dashur të kuptojmë” ,veçanërisht që nuk kanë dashur ta kuptojnë ata që “ka qenë dashur ta kuptojnë” është paralajmërimi shumë i hershëm i bashkësisë ndërkombëtare se Kosova do të ketë “njëfarë pavarësie”, me “njëfarë sovraniteti”, pra edhe “njëfarë shteti”.Prandaj, edhe dokumenti i Ahtisaarit, lënte për të kuptuar zgjidhjen, por nuk e shprehte atë në mënyrë të qartë që, vetvetiu, shpjente tek një përfundim se ai “do të mund të ishte i interpretueshëm”, po sikurse edhe vetë zgjidhja e çështjes së Kosovës që “do të mund të ishte e interpretuershme”.Pra, qe paralajmëruar shumë qartë se dokumenti që shpjente Kosovën “drejt një zgjidhjeje”, nuk “do ta dërgonte edhe deri tek vetë zgjidhja”, kështu që nuk “do ta shpjente në stacionin e fundit”, por “do ta lënte përpara derës”.Ndryshe, edhe pse dokumenti sikur synonte të mbyllte shumë çështje,ai në fakt, do t’i lënte të hapura shumë probleme.Konkluzioni bëhej për çdo ditë e më i qartë: një dokument i paqartë do të mund të prodhonte një rezolutë, gjithashtu të paqartë të OKB-së për Kosovën, me një identitet të paqartë dhe me një subjektivitet të paqartë ndërkombëtar që do të mund ta komplikonin statusin e Kosovës, kështu që, në fakt, vetë statusi dhe zbatimi i tij eventual, do të mund të përbënin sfidat më të mëdha në Kosovën e passtatusit.Mbetej e hapur vetëm pyetja se a do të krijonte dokumenti një bazament apo “portë të hapur” për procesin e mëtejshëm, në mënyrë që Kosova “t’i bënte ndërtimet shtesë”, duke pasur parasysh paralajmërimet se rezoluta e OKB-së as nuk do ta adresonte statusin, dhe as nuk “do ta konfirmonte pavarësinë”, siç shpreheshin zyrtarët tanë.Prandaj, më shumë se zgjidhja e plotë dhe statusi përfundimtar, në horizont shiheshin zgjidhja e parrumbullakuar dhe statusi kalimtar,e jo përfundimtar.Natyrisht se zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të mund të quhej e rrumbullakuar dhe as statusi përfundimtar nëse nuk do të shoqëroheshin “me njohjen e plotë të subjektivitetit politik-juridik dhe ndërkombëtar të Kosovës” për të cilën, gjithashtu,zotoheshin zyrtarët tanë.Statusi nuk dotë mund të quhej përfundimtar nëse do të vazhdonte që në Kosovë të ketë një prani ndërkombëtare, jo vetëm ushtarake, por edhe civile, dhe nëse Veriu i Kosovës do të kishte një status të veçantë.

Arsyet për një prani, jo të lehtë, po relativisht të theksuar të Bashkimit Evropian, varionin prej vlerësimit të bashkësisë ndërkombëtare për “kapacitetin,ende

të ulët,të institucioneve të Kosovës, për ta administruar plotësisht vendin”, nëpërmjet ndjenjës (që gati ishte shndërruar në besim) të saj për “shkallën

e lartë të mosbesimit ndërmjet shqiptarëve e serbëve”, deri të njëfarë “marrëveshje e pashkruar” për “kufizimin e sovranitetit të Kosovës”.

Se do të mund të ndodhte kështu, kisha kuptuar nga raporti i ambasadorit Kai Eide(2005) i cili,në mënyrë shumë të qartë, shprehej se “çështja e Kosovës do të zgjidhet ndryshe” nga ajo e ish-republikave të Jugosllavisë, prandaj Kosova u suspendua nga e drejta që vetë të vendosë mbi të ardhmen e saj, mbi parimin e vetëvendosjes; prandaj Kosovës iu imponua që “të hyjë në negociata” me Serbinë; prandaj Kosovës iu kërkua që, paraprakisht, të miratojë projektin e decentralizimit; planin për trashëgiminë serbe dhe kornizat e legjislacionit mbi të drejtat politike të pakicave, veçanërisht të asaj serbe.

Tërheqja e vërejtjes

Kam tërhequr vërejtjen se procesi nuk do të jetë as i lehtë dhe as i pamundimshëm, për shkak të ngathtësisë së institucioneve vendore, kufizimeve të qeverisjes së tyre, agresivitetit të Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës dhe neglizhimeve të bashkësisë ndërkombëtare për ta zgjidhur çështjen e Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit.

Duke “ia falur besimin e madh” qendrave ndërkombëtare të vendimmarrjes, institucionet tona “i kishte mundur euforia”, prandaj në një numër shkrimesh, iu kam tërhequr vërejtjen se nuk ka gjë të keqe që po mendojnë se “buka po piqet”, ama duhet të jenë shumë të vëmendshëm që ajo “të mos digjet”(13 tetor 2006).Institucionet tona, në vend se të bëheshin faktorë të ndikimit në procesin, ato ishin shndërruar në “spektatorë” të tij, prandaj isha shprehur se “është përgjegjësi të mos bësh atë që duhet të bësh, në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur”.Në vend se “të ecnin me trenin e shpejt”, ato ecnin me trenin që ndalonte, të thuash, “të çdo shtëpi e bardhë”.

Në lidhje me negociatat me Serbinë, palës sonë i kam tërhequr vërejtjen “që të jetë shumë e vëmendshmë për mundësinë e kompleksitetit të çështjes”, sepse

Rusia dhe Kina “do ta tregojnë fytyrën e vërtetë” pikërisht kur në Kosovë krijohet përshtypja se “çdo gjë ka përfunduar”(14 shkurt 2006).

Një përshtypje më reale rreth çështjes së Kosovës kisha krijuar nga një seancë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së(shkurt 2006) në të cilën u tha se “ pavarësia e Kosovës është një opsion real”, por angazhimi që u theksua,në po atë seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se “zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë”, shtronte nevojën e të qenët më vigjilentë se “çfarë, në të vërtetë, mund të ndodhë”.Ndodhen shtyrjet një nga një,të procesit, e me to vonesat,ngecjet dhe paqartësitë.

Në Kosovë, veçanërisht tek një pjesë e zyrtarëve tanë, ishte krijuar edhe një përshtypje tjetër e gabueshme, se Serbia “do të ndryshojë mendje” rreth Kosovës, pa vra mendjen e vet se pikëpamjet e serbëve nuk kanë ndryshuar dhe as nuk do të ndryshojnë në lidhje me Kosovën dhe se Kosova,është në fakt, elementi “më përbashkues i serbëve”, qofshin ata edhe më të papajtueshmit rreth problemeve të tjera.

Kam tërhequr edhe një vërejtje tjetër. Në lidhje me “bërjen e Kosovës me kushtetutë”, isha shprehur se “Kuvendi duhet të dëshmohet si qendra e vetme ku bëhet politika dhe kushdoqoftë, edhe i mandatuar prej tij, duhet të korrespondojë me të dhe të marrë pëlqimin prej tij, veçanërisht atëherë nëse negocion çështje shumë të rëndësishme që, ndonëse quhen ‘teknike’,ato në të vërtetë, prekin dhe janë me shumë ndikim në statusin e Kosovës”(4 shtator 2006).

Vlen të theksohet edhe një vërejtje e fundit që kisha tërhequr në lidhje me procesin.I referohet Shqipërisë dhe diplomacisë shqiptare të cilës i kam adresuar, në disa raste, kritika.

Në një pyetje publike që i kam shtruar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë mund të përmblidhet,pothuajse e tëra:”Si është e mundshme që, pikërisht në kohën, kur Shqipëria duhet të bëhet krah i fuqishëm i Kosovës,dështon në planin e brendshëm?”Komenti është, vërtet, i panevojshëm.

Përpjekja për negociata të reja-dështim i ri

Nëse çështja e Kosovës “do të kalojë në duart e Grupit të Kontaktit”, e gjasat janë që pikërisht të ndodhë ashtu, atëherë Grupi i Kontaktit , si “punë të parë” do të mund të kërkojë që “të rifillojnë negociatat mes dy palëve për një afat të caktuar kohor”.Në këtë mënyrë, Kosova do të mund të përballej sërish me vonesa, ngecje dhe paqartësi.

Veprimi i dytë i Grupit të Kontaktit do të mund të ishte caktimi i ndonjë konference në të cilën, po sikurse në Rambuje, do të mund të ftoheshin “në takim” përfaqësuesit e Prishtinës dhe të Beogradit.

Ndërsa, veprimi i tretë i Grupit të Kontaktit do të mund të ishte rekomandimi i tij për vendosjen e përgjegjësive të BE-së në Kosovë, qoftë edhe me ftesën që do të mund t’u sugjerohej që ta bënin vetë institucionet e Kosovës.

Veprimi i katërt i Grupit të Kontaktit i cili, përnga rëndësia, do të mund të vendosej në vendin e parë, do të mund të ishte ai që do të mund “t’u ndalonte” institucioneve të Kosovës “çdo deklarim të njëanshëm të pavarësisë”.

Ajo që më së shumti do të irritonte do të ishte përpjekja për “t’i ulur bashkë” palët “e papajtueshme”, ndërsa pyetja që do të mund të shtrohej do të ishte se “çfarë do të mund të pritej nga një riciklim negociatash”, nëse qysh më parë do të mund të parashikohej “rezultati i bardhë” i tyre.

Nëse Grupi i Kontaktit “do të ecte nëpër këta binarë” atëherë do të mund të kishim:

E para,vendosjen e çështjes së Kosovës, edhe për një kohë të paafatizuar, në “sallat e pritjes”.

E dyta, në mungesë të statusit, bllokimin e proceseve zhvillimore.

E treta, defaktorizimin e mëtejshëm të institucioneve të Kosovës.

E katërta, kërcënimin e krijimit të një mentaliteti të ri vartësie të Kosovës prej bashkësisë ndërkombëtare.

E pesta, privimin, tash me qëndrime eventuale politike, të së drejtës së popullit të Kosovës për t’u deklaruar për të ardhmen e tij.

Shqiptarët duhet që nga spektatorë të procesit,të bëhen faktorë të vendimmarrjes

Trauma e çështjes shqiptare në histori ishte përherë “kornizimi i zgjidhjes së çështjes që e kanë imponuar Fuqitë e Mëdha”.Kjo traumë “po e shoqëron” edhe çështjen e Kosovës. Për fatet e Kosovës po vendoset “jashtë Kosovës”.Ajo po privohet nga mundësia që vetë të deklarohet për të ardhmen e saj.Cështja e Kosovës, deri dje, ishte “në duart e Këshillit të Sigurimit”, e sipas të gjitha gjasave, prej nesër do të jetë “në duart e Grupit të Kontaktit”.

Pavarësisht se edhe kësaj rradhe,”edhe tekstin,edhe muzikën ,edhe aranzhmanin për Kosovën”,po e bëjnë “të huajt”, shqiptarëve nuk do t’iu falet dhe ata nuk do të mund të amnistohen nga përgjegjësia nëse nga spektatorë të procesit, nuk do të bëheshin faktorë me ndikim në vendimmarrje, qoftë edhe në “përmasa të kufizuara”.

Nëse projekti për “pavarësinë e Kosovës” është projekt që, të shumtën, e kanë mbështetur të gjithë shqiptarët, për realizimin e tij do të duhej që të angazhoheshin të gjithë shqiptarët, duke pasur parasysh faktin se projekti për pavarësinë e Kosovës “është shkëputur” nga tërësia e çështjes, por se edhe vetë tërësia varet drejtpërsëdrejti prej tij.Kjo do të duhej të ishte qasja dhe angazhimi i të gjithë shqiptarëve dhe ky angazhim i të gjithëve do të duhej të përbënte boshtin e projektit.

Shqipëria do të duhej të ishte “në ballë të angazhimeve” për shkak të përkujdesjes që do të duhej të kishte për fatet e shqiptarëve jashtë kufijve të tashëm administrativë të saj.Ajo asnjëherë nuk do të duhej të “lëshonte nga mendja” se tërësia e çështjes mund të ruhet vetëm me zgjidhje kaluese që “nuk do ta mbyllnin atë”, por që do ta lënin të hapur mundësinë e “ruajtjes së saj”.Variacionet e bashkësisë ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës bëhen “një detyrim shtesë” për Shqipërinë që, më në fund, çështjen shqiptare “ta vendosë mbi një tavolinë” dhe të formësojë një qëndrim për të, por që të “mbajë në sirtarë” dhe alternativat tjera, në rast të dështimit të projektit.

Institucionet e Kosovës, nga vrojtues pasivë, duhet të shndërrohen në faktorë me ndikim në proces, duke mos pranuar nënshtrime të reja në vazhdimin eventual të bisedimeve rreth të ardhmes së Kosovës.Ato një fakt duhet ta kenë parasysh: nstitucionet që heshtin, në kohën kur duhet të deklarohen, nuk mund t’i ikën përgjegjësisë.Ato “nuk mund të shtiren” sikur me Kosovën dhe për rreth saj “nuk po ndodhë asgjë”.

Cilat do të mund të ishin hapat ?

Së pari, duhet veprim i harmonishëm i shqiptarëve.Veprimet e paharmonishme shqiptarëve, në të kaluarën, u kanë kushtuar shumë shtrenjtë.Kërcënon rreziku që, në mungesë të harmonisë së veprimeve, këto të tashmet të kushtojnë ende më shtrenjtë.

Së dyti, duhet një vështrim kritik i udhës së kaluar dhe adresim i përgjegjësisë aty ku ka munguar angazhimi.Janë bërë shumë “gabime në hapa” dhe kemi pësuar shumë “autogola”. Duhet të mendohet mirë se si do të mund ta bartnim topin nga mbrojtja në sulm.Nga “loja defensive” duhet që të kalojmë në “lojë ofensive”.Vetëm me të mund “të fitohet ndeshja”.

Së treti, duhet një projektim më i qartë i së ardhmes së kombit, në mënyrë që të mos lejojmë që,nga njëra anë “të rritemi si popull”, e që, nga ana tjetër, “të tkurremi si komb”.Rreziqet për këtë kërcënojnë dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm.

Së katërti, duhet një rirreshtim kombëtar dhe “mbledhje e mendjes” dhe shkrirje e potencialit të saj,për të ravijëzuar rrugët nëpër të cilat do të duhej të ecnim.

Do të kthehemi edhe njëherë në fillim të shqyrtimit tonë.Në ecje e sipër në këto rrugë, do të duhej që të angazhoheshim që, përfundimisht, të aftësohemi, që të kuptojmë:
E para,realitetin që na rrethon dhe që do të vazhdojë të na rrethojë brendapërbrenda kohës kur çështja e Kosovës do të mund “të bartet” prej një adrese në një adresë tjeër.

E dyta, forcën reale me të cilën disponojmë, për të parë se sa mund ta ndryshojmë atë realitet në favorin tonë.

E treta, për të mësuar se cilët do të jenë mbështetësit e sinqertë të objektivave tona, në mënyrë që bashkë me ta dhe me përkrahjen e tyre, t’i realizojmë ato.

Vrojtime mbyllëse

Sot po shkruhet një histori e re për shqiptarët.Mësimet e hidhura të së kaluarës nuk guxojmë të lejojmë që të na përsëriten. “Të gabosh, e të mos korigjohesh, do të thotë të gabosh me të vërtetë!”Ata që nuk korigjohen, bëjnë gabim të ri.

Dy detyra shtrohen si shumë të ngutshme:

Së pari, ta rrisim në shkallë më të lartë komunikimin e ndërvetshëm.Duhet ta pranojmë se nuk e kemi në shkallë të kënaqshme.

Së dyti, të zgjerojmë shkallën e bashkëpunimit dhe të këmbimit të vlerave, veçanërisht të atyre që janë dëshmuar si të mira dhe të dobishme për kombin.

Veprimet tona të mëtejshme nuk guxojnë të jenë të improvizuara.Duhet themelësi dhe logjikshmëri e tyre.Kujdesi më i madh duhet t’ i kushtohet përgjigjes në pyetjen qendrore: a jemi duke ecur në drejtimin e duhur ? Duhet të ruhemi që, duke “i hequr vetullat” të “mos i heqim edhe sytë !”Urgjentisht do të duhej që “të ulemi në sofra kombëtare” përpara se se “të ulemi në tryeza ndërkombëtare”.Një gjë është mëse e sigurt: çështja jonë është shumë më komplekse se që mund të paraqitet “në dukje të parë”.Nëse është ashtu dhe,sipas të gjitha gjasave, ashtu është, atëherë edhe veprimet tona duhet të korrespondojnë me kompleksitetin e çështjes, por edhe me rëndësinë e zgjidhjes së saj për popullin dhe për kombin.Eshtë kohë e fundit që të funksionojmë si tërësi me interes të mbarë kombit.Këtë do ta arrijmë kur do ta ngrisim në shkallë më të lartë vetëdijësimin për t’i vënë interesat e përgjithshme mbi ato të pjesshme; interesat kombëtare mbi ato partiake dhe interesat e shtetit mbi ato krahinore ose regjionale.

Cështja e Kosovës, po sikurse dhe çështja shqiptare në përgjithësi, nuk është dhe nuk guxon të jetë “çështje e vizionit të ngushtë” të një grupi apo të një grupimi politik, por do të duhej të ishte, vërtet, “çështje e parashikimit dhe zbatimit të një politike” më afatgjate gjithëshqiptare.

Prishtinë,

22 korrik 2007