Nuk pajtohem me disa zëra që “kanë përshëndetur” zhvendosjen e “zgjidhjes së çështjes së Kosovës” nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në Grupin e Kontaktit dhe që këtë zhvendosje e kanë konsideruar si “lehtësim për Kosovën”. Ata zëra sikur nuk kanë parasysh se Grupi i Kontaktit “e kishte një herë më parë në duar” çështjen e Kosovës dhe se (ri)kthimi i saj nuk do të thotë asgjë tjetër veçse “fillim i ri i lojës” për të cilën do të dihet vetëm se kur do të fillojë,por jo edhe kur do të përfundojë dhe si do të përfundojë.

Delegacioni i Kosovës ditën e hënë do të përballet me Kuvendin e Kosovës në përpjekjet për ta informuar atë mbi “rrjedhat e procesit”, ndërkohë që dihet se procesi brendapërbrenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së është përmbyllur me dështim dhe se nuk ka prodhuar asnjë rezultat, kështu që, çështjen e Kosovës prej “fillimit të fundit” e ka kthyer para “fillimit të ri”.

Më duket se në lidhje me procesin, tri fakte nuk mund të kontestohen:
Së pari, se nuk bëhët fjalë për ”avancim të procesit”, por për degradim të tij.
Së dyti,se nuk bëhet fjalë për ”vazhdim të procesit”, por për (ri)fillim të tij.
Së treti, se nuk bëhet fjalë për zhvendosjen e çështjes së Kosovës nga një organ vendimmarrës në një organ tjetër vendimmarrës, por për bartjen e ”zgjidhjes së çështjes së Kosovës” në një trup diplomatik, të krijuar ad hoc, i cili nuk ka legjitimitetin e vendimmarrësit, por vetëm të përgatitësit të vendimit. Zërat e shprehur se zhvendosja e ”zgjidhjes së çështjes së Kosovës” prej Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Grupin e Kontaktit ”mund të jetë më e lehtë” pikëpamjen e vet e kanë mbështetur në faktin se Rusia brenda Grupit të Kontaktit ”nuk mund të bllokojë procesin. Mirëpo, nëse problemi ”nuk shihet” në planin diplomatik dhe politik, ai shpërfaqet në atë legal, duke pasur parasysh se Grupi i Kontaktit është një ”forum diplomatik” që mund të përgatit vendimin dhe të sugjerojë zgjidhjen, por të mos e finalizojë as njërën dhe as tjetrën.Prandaj, tek mendimi se ”çështja e Kosovës do të mund të vendosej në Grupin e Kontaktit” ka një defekt të dukshëm dhe të pariparueshëm.
Zërat që ”kanë përshëndetur” zhvendosjen e ”zgjidhjes së çështjes së Kosovës” nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në Grupin e Kontaktit e kanë konsideruar ”përzgjedhjen e kësaj rruge” si ”më optimale” përballë pritjes ”së pafund” të ”pëlqimit” të Rusisë.Askush nuk iu ndalon që të mendojnë ashtu, sepse, në dukje të parë,ashtu dhe mund të interpretohet.Mirëpo, kjo rrugë ”nuk çon” te ”zgjidhja e çështjes së Kosovës” nga një organ legjitim, por në rast të qëndrimit të Grupit të Kontaktit, te hapja e ”udhës pavarësisë së njëanshme”që, poashtu shoqërohet me një problem: me mosshfuqizimin e Rezolutës 1244, në mungesë të një rezolute tjetër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Autoritet i vetëm legal për ta shfuqizuar Rezolutën 1244 është Këshilli i Sigurimit të OKB-së, si autor i saj. Me zhvendosjen e ”zgjidhjes së çështjes së Kosovës” nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në Grupin e Kontaktit hapet edhe një problem tjetër, së paku, nga aspekti formal:çfarë është fati i Planit të Ahtisaarit? Edhe nga ana logjike, madje dhe konstitucionale, duket absurde që të bëhet ose të kërkohet të bëhet ”juridizimi” i Planit të Ahtisaarit, ndërkohë që Serbia vazhdon të deklarohet kundër pavarësisë ë Kosovës dhe Planit të Ahtisaarit që, si propozim – zgjidhje, ”nuk kaluan” nëpër Këshillin e Sigurimit të OKB-së, po sikurse që duket absurde, sërish edhe nga ana logjike, edhe nga ana konstitucionale që, bisedimet eventuale, ”të udhëhiqen nga ato çështje që dalin nga versioni i fundit i Projekt-rezolutës” të pavotuar fare në Këshillin e Sigurimit që atë e deklarojnë të vdekur”.

Rrethanë rënduese është se brendapërbrenda BE-së ka këndvështrime të ndryshme rreth Kosovës, kështuqë ajo ”nuk flet me një zë”. Grupi i Kontaktit mund ”të bëjë përpjekje që t’ i bashkojë” rreth Planit të Ahtisaarit, duke e ofruar atë si ”kornizë të diskutimeve shtesë”,edhe pse disa vende, si Spanja, Rumania, Sllovakia, etj.,shprehin dyshimin në të.

Sidoqoftë,me gjithë ”zotimet amerikane” dhe ”premtimet e BE-së”, procesi do të jetë më kompleks se që ”po paraqitet”; më i vështirë se që ”po mendohet” dhe më
i gjatë se që ”po flitet”.