-Shtyrja e procesit prodhon vonesa,vonesa prodhon ngecje ne vend, e ngecja ne vend prodhon paqartesi, ndersa paqartesia prodhon pritje dhe ankth-



Me gjithë “zotimet” dhe “premtimet”, qoftë të vendorëve, qoftë të ndërkombëtarëve, se procesi i “zgjidhjes së çështjes së Kosovës”nuk do të vonohet,një numër kontradiktash, në këtë fazë të tij, e bëjnë atë shumë më kompleks se, në dukje të parë.



Do të theksojmë disa nga rrethanat rënduese që “nuk premtojnë shumë” për një “ecje të shpejtë“ të tij.

E para, për derisa formatizohet “trojka e negociatave”, ende “nuk formatizohen” vetë negociatat.

E dyta, për derisa flitet për 120 ditë negociatash, ende nuk dihet se “kur do të fillojë numërimi i tyre”.

E treta, për derisa amerikanët “insistojnë të ketë kufizim kohor” të negociatave, rusët kundërshtojnë dhe, në fakt, “e duan të kundërtën”.

E katërta, për derisa brendapërbrenda Bashkimit Evropian “kërkohet bashkim pikëpamjesh” rreth negociatave dhe Planit të Ahtisaarit, nga ana tjetër, një numër vendesh të saj, si Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia, “kërkojnë riciklim bisedimesh” dhe “shprehin dyshimin e tyre për Planin e Ahtisaarit”.

E pesta, për derisa amerikanët dhe partnerët e tyre të Evropës, sponzorizues të Projekt-rezolutës së dështuar në Këshillin e Sigurimit të OKB- së, “mbrojnë Planin e Ahtisaarit”, rusët e “hedhin në ujë” propozimin e tij dhe bashkë me të, edhe “vetë Ahtisaarin”.

E gjashta, për derisa amerikanët dhe partnerët e tyre të Evropës, sponzorizues të Projekt- rezolutës së dështuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Grupin e Kontaktit “shohin shpëtimtarin e procesit”, Rusia deklaron se ai nuk mund të jetë më shumë se “një ndihmës i tij”, e jo një “lojtar që mund ta vendosë ndeshjen”.

E shtata, për derisa Ahtisaari, nga njëra anë, thotë se “puna e tij në Kosovë ka marrë fund”, nga ana tjetër, “shprehet i gatshëm” që “të vazhdojë të luajë rol” në përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

E teta, për derisa kryeadministratori i Kosovës, Ruecker, mendon se ”nuk është në dijeni se cilat do të jenë temat e diskutimeve në mes Prishtinës dhe Beogradit”, deklaron se ”Plani i Ahtisaarit nuk mund të rihapet”.

E nenta, për derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së dështon në rastin e Kosovës, zëvëndësi i Ahtisaarit, Albert Rohan, deklaron se “askush nuk dëshiron që vendimi për Kosovën të merret jashtë tij”.

E dhjeta, për derisa në BE- besohet se gjetja e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës, “do të jetë e vështirë, dhe se nuk ka indikacione për të pasur drejtim pozitiv”,prapë se prapë “merr atë drejtim” dhe investon në “negociata të reja”,edhe vetë e ndërgjegjshme për “rezultatin e bardhë” të tyre.

Shikuar nga ky kënd i kontradiktave, ekziston një numër relativisht i madh i rrethanave që mund të jenë me ndikim, jo vetëm në (ri)fillimin dhe rrjedhën e procesit, por edhe në “përfundimin e tij”.

Do të ishte mirë që Delegacioni i Kosovës të elaboronte çdo rrethanë që do të mund të kishte ndikim, qoftë të drejtpërdrejt, qoftë të tërthortë, në procesin i cili, me sa shihet, nuk do të jetë as i lehtë dhe as i pamundimshëm, veçanërisht nëse mendohet që me të, të arrihet një zgjidhje e pranueshme për Kosovën, një zgjidhje që do të korrespondonte me vullnetin e popullit shumicë të saj për pavarësi dhe sovranitet dhe shtrirje të tyre në të gjitha hallkat e pushtetit dhe në tërë territorin e Kosovës.