Edhe pse shumëkush fajtorin për ”moszgjidhjen e çështjes së Kosovës” e kornizon në Rusinë dhe në diplomacinë ruse, e vërteta duhet të gjurmohet më thellë sepse ajo, në të vërtetë, është e mbështjellë me Evropën dhe me diplomacinë evropiane.Nuk është Rusia dhe J0-ja eventuale e saj kundër rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që e zhvendosën ”zgjidhjen e çështjes së Kosovës” nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Grupin e Kontaktit, por edhe mungesa e konsensusit brendapërbrenda Bashkimit Evropian për të ardhmen e Kosovës.

Luhatjet dhe hamendjet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vetëm se kanë konfirmuar se Evropa asnjëherë nuk e bërë hapin e parë, pa e bërë këtë vendet e rrezikuara. Eshtë pikërisht Evropa ajo që lejoi që më parë të shpërthejë lufta, të viktimizohet Kosova e, më pastaj, të merret me të, pa vra ndërgjegjën se ”më i vështirë se preventimi është kurimi i sëmundjes”.

Me shtyrjen e procesit të ”zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, në Kosovë dëshprimi dhe zhgënjimi i popullatësnë bashkësinë ndërkombëtare, i hapi rrugën humbjes së besimit në të, veçanërisht në Evropën dhe në diplomacinë e saj.

”Loja me Kosovën” vazhdon. ”Vazhdimi i lojës” me ”negociatat shtesë” arsyetohet me përpjekjet për negociata ”konkrete dhe të sinqerta” që, automatikisht, çojnë te konkluzioni se ato të parat nuk paskan qenë as ”konkrete” dhe as ”të sinqerta”, edhe pse nga to ”doli një dokument” të cilin, në parim, ”e mirëpriti” vetë Bashkimi Evropian, sigurisht, ndër të tjera, edhe për faktin se Delegacioni i Kosovës bëri shumë koncesione në dëm të së ardhmes së Kosovës.Në fakt, dokumenti u konceptua më shumë si ”garanci për pozitën e pakicave” se sa si ”status për shumicën” në Kosovë.

”Loja me Kosovën” vazhdon, edhe pse më e drejtë do të ishte të thuhej se rifillon, sepse çështja ”i kthehet” Grupit të Kontaktit i cili, qysh në janarin e vitit 2006, kishte përcaktuar ”rregullat e lojës”, sado që me to më shumë i përgjigjej pyetjes se ”çfarë nuk do të ndodhë” se sa ”çfarë do të ndodhë” me Kosovën.

Rifilli i ”lojës me Kosovën” nuk i trimëron ”lojtarët e lodhur të Kosovës”, por i kurajon ”lojtarët e rinj(të vjetër) të Serbisë”.

Parashikimet asnjëherë nuk janë treguar të falënderueshme, por është më se e sigurt se ”forcat e reja në Serbi” do të përpiqen që, duke hedhur ”ide të reja” në ”tavolinën e bisedimeve” të synojnë, më së paku, këto tri objektiva:

E para, ta shlyejnë dokumentin e Ahtisaarit, sikur ai ”të mos ekzistonte fare”.

E dyta, të ndikojnë në ”çarjet” e mëtejshme brendapërbrenda Bashkimit Evropian rreth të ardhmes së Kosovës.

E treta, të ngadalësoëjnë procesin, për derisa këtë do t’i lejojë vetë bashkësia ndërkombëtare.

”Loja me Kosovën” do të vazhdojë për derisa Evropa nuk do të ”vëhet para aktit të kryer”. Para ”aktit të kryer” Evropën do të mund ”ta vëjë” vetë dhe vetëm Kosova.Asnjë shtet nuk ka ekzistuar përpara se të formohej.