Ndryshe nga pikëpamjet e shfaqura në lidhje me “fluturimin e parë” të treshës ndërmjetëse ndërkomëbëtare në Beograd dhe Prishtinë se ende asgjë “nuk është e qartë”, konsideroj se, megjithatë, janë bërë të njohura:

E para, se ndërmjetësit, ndonëse nuk “do të dalin më propozime të reja” , do të kërkojnë “kompromisin e palëve”.

E dyta, se ndërmjetësit, ndonëse edhe vetë nuk presin asgjë prej bisedimeve, “rezultatin e bisedimeve” do t’ia raportojnë, më parë Grupit të Kontaktit dhe,më pastaj, ky i fundit do t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

E treta, se “fjalën e fundit” nuk do ta ketë Grupi i Kontaktit, por Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Që të tria këto ”të panjohura” – të njohura, edhe një herë konfirmojnë shkallën e lartë të kundërshtive me të cilat do të ballafaqohen ”bisedimet shtesë” ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Eshtë vërtet një ”investim joekonomik” i bashkësisë ndërkombëtare që të kërkojë    ”pajtimin e të papajtueshmëve”. Të presësh një konsensus është më shumë se një iluzion.Prandaj, shtyrja e procesit nuk mund , në asnjë mënyrë, të arsyetohet me ”përpjekjen për të arritur një konsensus ndërmjet palëve”, sa me bjerrjen e kohës në mungesë të gatishmërisë dhe fuqisë ”për t’i dalë në krye procesit”.

Bjerrje kohe, sipas të gjitha gjasave, do të ketë edhe pas ”kalimit të afatit për bisedime”.Bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë ”lojën e pingpongut” me Kosovën.

Nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, topi ”i është kthyer” Grupit të Kontaktit i cili, në fakt, ishte lojtari që i pari kishte shqelmuar topin dhe sikur, ”kishte arritur një marrëveshje” se ”në ç’ drejtim mund të hidhet ai”.

Treshja e ndërmjetësve ndërkombëtarë , ”në fund të procesit të bisedimeve” mendon që topin sërish ”t’ia rikthejë” Këshillit të Sigurimit, edhe pse përfaqësuesi rus në treshe, qysh në takimin e parë të saj, ka deklaruar se Rusia sërish ”do të bllokojë” nxjerrjen e çdo rezolute në të e cila do të angazhohej për pavarësinë e Kosovës, kështu që qysh tash mund të thuhet se Rusia do të vazhdojë lojën me pjesën tjetër të Fuqive të Mëdha që verbalisht ”kanë mbështetur” Planin e Ahtisaarit për një pavarësi eventuale të Kosovës, e cila edhe ashtu do të ishte, shi për shkak të përmbajtjes së dokumentit, më shumë formale dhe më të cilin statusi i Kosovës ”nuk do të përmbyllej përfundimisht”, sepse në Kosovë do të vazhdonte një prani e theksuar ndërkombëtare që do të gjymtonte  edhe pavarësinë, edhe sovranitetin eventual, bashkë me kompetencat shtesë të komunave serbe ose me shumicë serbe, që krahas pjesës veriore të Kosovës që ende nuk do të mund të qeverisej nga institucionet e Kosovës, do t’i përpjestonin në tri pjesë.

Nëse këto ”të panjohura” – tashmë të njohura të procesit të ”bisedimeve shtesë” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit  ”ngërthejnë  në vete” një emërues të përbashkët që nuk është vështirë të identifikohet, nuk duhet pritur që ”procesi të mbyllet” në kohën për të cilën është paralajmëruar ”të finalizohet” dhe as me epilogun  për të  cilën është menduar .

Populli i Kosovës është shumë ”i uritur” për të mësuar për ”të vërtetën e procesit”.Disa nga ”të vërtetat” tashmë po i merr në mënyrë të heshtur.Kahet që kanë marrë rrjedhat e procesit nuk premtojnë shumë. Mbetet të pritet prej kaheve që do të mund t’i marrin rrjedhat e procesit në vazhdimin e tij. Një gjë bëhet e qartë: Kosova në vend se të gjindej para ”fillimit të fundit”, është kthyer para ”fillimit të ri”.Ata që nuk e kishin pritur që mund të ndodhë kjo, nuk ishin shumë të vetëdijshëm për kompleksitetin e procesit, kompleksitet ky që vazhdon të shfaqet edhe brenda ”treshës”, sepse , me gjithë kërkesat e treshës që ndërmjet palëve ”të arrihet konsensus”, ai konsensus nuk ekziston brendapërbrenda vetë treshës.Pozicionet e anëtarëve të treshës ende janë të skajshme. Të skajshme janë edhe ndjenjat edhe pritjet e shqiptarëve se çfarë do të ndodhë me Kosovën pas njëqind e njëzet ditësh.Më të sigurtët  do të jenë ata që dinë se pas njëqind e njëzet ditësh, vjen dita e njëqind e njëzet e njëtë.Të tjerët do të vazhdojnë të luajnë lojën e optimistëve dhe pesimistëve. Ndoshta do të fitojnë ata që nuk do të pozicionohen në asnjërin prej këtyre kampeve.Fjalën e mbajnë vetëm ata që nuk e japin.