-Hapësira etnike shqiptare është një tërësi kombëtare, historike, gjeografike, gjuhësore, kulturore,ekonomike e politike-

                 (Analizë, në formë tezash, por dhe gjykimesh e rekomandimesh, drejtuar subjektit politik shqiptar, në gjithë hapësirën   etnike të tij, për një tryezë eventuale mbarëkombëtare)

 



H y r j e

 

Duke u interesuar, me të drejtë, dhe duke u marrë, me arsye, me çështjen e Kosovës, padyshim përbërësin më të rëndësishëm të çështjes shqiptare, ne shqiptarët, nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, sikur “kemi lënë në harresë” tërësinë e çështjes.Ajo ose nuk është përmendur dhe nuk përmendet fare ose, edhe atëherë kur është përmendur dhe përmendet, qasja është e sipërfaqshme dhe fragmentare. Kanë munguar dhe mungojnë edhe sot analizat dhe shqyrtimet gjithëpërfshirëse për fatet e kombit dhe të ardhmen e tij, analiza dhe shqyrtime që,padyshim, do të mund të shërbënin si “teza shtesë” për argumentimin e kërkesës për pavarësinë e Kosovës, projektit më aktual kombëtar të shqiptarëve sot.

Eshtë shumë i urtë një mendim i shprehur se “Një komb ekziston vetëm atëherë kur fillon të shqetësohet për fatin e tij”. Mendoj se kështu është ose, së paku,se kështu  do të duhej të ishte, edhe me intelektualin krijues. Ai do të mund “të arsyetohej” se “është gjallë” vetëm nëse shpreh shqetësimin për fatet e kombit të tij.Shprehja e shqetësimit, nuk do të thotë, në asnjë mënyrë, mbjellje e skepticizmit, sa do të thotë,ftesë për mobilizim për të menjanuar atë shqetësim.

 

 

Q a s j a

 

Ndryshe prej atyre që mendojnë se me pavarësinë eventuale të Kosovës, kombi shqiptar “do të përmbyll kapitullin e konsolidimit të vet kombëtar”, konsideroj se kombi shqiptar ende përballet me shumë sfida për të ardhmen e tij.Pikërisht, statusi i kombit shqiptar sot dhe sfidat e tij përbëjnë boshtin e shqyrtimeve në këtë analizë që, njëkohësisht, subjektit politik shqiptar, në gjithë hapësirën etnike të tij,në formë tezash,por edhe gjykimesh e rekomandimesh, i ofrohet për një tryezë eventuale mbarëkombëtare.Një rrugë “është kaluar”, por udha në të cilën “kemi hyrë”nuk do të jetë as e lehtë dhe as e pamundimshme.Shumë ngjarje që kanë ndodhur me ne shqiptarët në të kaluarën, kërkojnë prej nesh që të jemi shumë të vëmendshëm në të ardhmen.

 

 

H i s t o r i  e  s h k u r t ë r

 

Me gjithë pretendimet që të mos “i kthehemi historisë”, por që “të shikojmë me sy përpara”, kthimi historisë, qoftë edhe fragmentar, është “i themeltë” për shkak se ne shqiptarët patëm një të kaluar të bujshme dhe historia jonë nuk ishte tjetër veçse histori e ndrydhjes së qenies sonë kombëtare.Nëse do të përmblidhej, qoftë edhe me një fjali të vetme, e kaluara jonë e hidhur, do të mund të nxirrej përfundimi, vërtet i parrëzueshëm, se Evropa ose cenoi rëndë tërësinë tonë territoriale ose bëri përpjekje që të na shlyejë nga harta gjeopolitike e saj. Përfundimi i dytë, gjithashtu i parrëzueshëm, që do të mund të nxirrej në lidhje me pushtimin e tokave tona nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia është se as Serbia, as Mali i Zi dhe as Greqia “nuk kishin mbështetje historike për të përligjur lakmitë e veta ndaj trojeve shqiptare”. Copëtimi i trojeve shqiptare dhe aneksimi i më tepër se gjysmës së tyre ndodhi nga ana e monarkive fqinje.Ishte kjo një padrejtësi e madhe që u ndodhi shqiptarëve të pambrojtur, meqë nuk i takonin asnjë familjeje të madhe evropiane. Serbia qe e para që bëri pastrimin etnik që në luftën ruso- turke (1877-78), ndërsa pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër( 1913 ), qeveritë e Beogradit, Cetinës dhe Athinës, filluan dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe i dërguan të mërgonin në Turqi, sa më larg prej kufijve të tyre.Edhe pas vitit 1918, Jugosllavia vazhdoi, për dekada të tëra, fushatën e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.Edhe pse, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarëve u premtua, prej aleatëve të mëdhenj, respektimi i parimit të vetëvendosjes, procedurat ndodhen ndryshe.

Kthimi i shkurtër në histori është, në të vërtetë, një thirrje që “ t’i kthehemi vetës sonë dhe përgjegjësive tona, në mënyrë që të nxjerrim mësim nga a e kaluara që të mos pësojmë në të ardhmen si komb”.

Ndarja dhe parcializimi i interesave mbi baza ideologjike, krahinore dhe konfensionale, na ka sjellë dëme. Ne ende nuk e kemi “vënë në një tryezë” çështjen tonë. Të pjesëtuar për gjashtë, ne ende sillemi sikur të ishim gjashtë popuj dhe sikur të kishim gjashtë çështje. Ndër ne ende nuk ka angazhime të fuqishme për  ta vështruar, e lerë më për ta shtruar çështjen tonë si një çështje e pandarë, pra e pashkoqur, si një tërësi e pashkëputur.

 

 

V e p r i m e t

 

Veprimi i parë që do të duhej të bënim është që, më në fund, “ta merrnim vetën kombëtarisht”. Në lidhje me këtë, si pararendëse shtrohet pyetja: a kemi ne shqiptarët një strategji apo plan konkret dhe të zbatueshëm për realizimin e objektivave kombëtare?Edhe një pyetje tjetër është e pashmangshme:pse ende nuk kemi ndërtuar një qëndrim të përbashkët se si duhet vepruar në këto kohë, kur ende, si në rastin e Kosovës, qarkullojnë skenare kundër nesh dhe për gllabërime të reja të tokave tona, ndërkohë që një numër tokash vazhdojnë të mbahen të pushtuara prej kohësh?

Veprimi i dytë që do të duhej të bënim është që “ta merrnim fatin tonë në duart tona”.Dëshmimi i aftësisë për ta qeverisur vetën do të mund të ishte faktor përcaktues, ndoshta vendimtar, për të vendosur për të ardhmen e kombit tonë. Ndryshimi në mes të asaj që bëjmë për këtë dhe të asaj që jemi në gjendje të bëjmë, është ende shumë i madh dhe, ndoshta, do të mund të mjaftonte që, së paku, të kuptojmë peshën e kohës nëpër të cilën po kalojmë.

Veprimi i tretë që do të duhej të bënim është që “të ecnim nëpër një rrugë që do na të bënte bashkë”.Kombi është një bashkësi njerëzish që bëjnë shumë gjëra të mëdha së bashku. Ne shqiptarët nuk mund të krenohemi se kemi bërë gjëra të mëdha në të kaluarën, prandaj e kemi pësuar si komb. Ne do të duhej të ndërgjegjësoheshim se sot, më shumë se asnjëherë më parë, më shumë se ndarja, na duhet bashkimi; më shumë se armiqësia, na duhet miqësia dhe, më shumë se intoleranca, na duhet toleranca.

Problemi qëndror me ne shqiptarët është se çështja jonë ende nuk njihet si çështje e një populli të ndarë padrejtësisht. Evropa, nëpërmjet të çështjes së Kosovës, “po përpiqet të korigjojë ca padrejtësi ndaj nesh që janë bërë gjatë historisë”.Por, ajo do të duhej të kishte, më së paku, dy fakte parasysh.

E para, se çështja e Kosovës përbën vetëm njërën anë të çështjes së pazgjidhur shqiptare.

E dyta, se zgjidhja e pjesshme e çështjes së Kosovës nuk do të thoshte vetëm “drejtësi e vonuar”, por edhe “ drejtësi e cunguar”.

Veprimi i katërt që do të duhej të bënim është, në të vërtetë, veprimi që nuk do të duhej të bënim: që të miratojmë zgjidhje përfundimtare në segmentet e veçuara të çështjes shqiptare me të cilat do të gjymtohej terësia e saj ose do të mbyllej përfundimisht objektivi ynë shekullor.

Veprimi i pestë që do të duhej të bënim është që të ardhmen tonë ta orientojmë ne dy kahe kryesore.

Një, në integrimin e plotë të kombit në qytetërimin perëndimor.

Dy, në zhvillimin e mëtejshëm të entitetit dhe identitetit etnopolitik.

Kombi shqiptar i përket civilizimit perëndimor evropian historikisht, gjeografikisht e shpirtërisht, ndërsa krijimi i mundësive për integrimin shpirtëror, gjuhësor e kulturor, mund të bëhet krah i fuqishëm drejt jetësimit të idealeve historike të kombit ose, më së paku, të “mbajtjes gjallë” të tyre.

Fakti se projeksioni për të ardhmen tonë si komb “nuk gjindet në një dokument të vetëm”, i cili do t’i zbërthente orientimet themelore për ardhmeninë e tij, nuk do të thotë, vetvetiu, se ne nuk kemi vizion, së paku në vija të trasha, për të, me gjithë gjendjen e tashme faktike të ndarjes së popullit dhe të trojeve etnike të tij si dhe të vrojtimit të çështjes sonë në disa pjesë të saj.

Atomizimi i çështjes shqiptare është një pozicion politik i paqëndrueshëm dhe ne për këtë do të duhej të kishim një shkallë pajtimi. Prandaj, ndihet nevoja për një konsensus brendashqiptar për shtruarjen e çështjes sonë si një çështje, në tërësinë e saj.Ndihet nevoja për një angazhim më të madh për ta shpërndarë në botë të vërtetën për të drejtën tonë historike dhe etnike për trojet në të cilat jetojmë. Vetëm me një angazhim më të madh do të mund të llogarisim se bota do të mësojë të vërtetën për Shqipërinë Etnike e cila, veçanërisht në qarqet serbe, paraqitet si “Shqipëri e Madhe”. Sintagma “Shqipëri e Madhe” konsiderohet e huaja për shqiptarët dhe ajo nuk përfshihet në fjalorin politik të tyre. Prandaj, ne do të duhej që fuqishëm t’i kundërvëhemi, me argumente e fakte, përpjekjeve për shtrembërimin e historisë.

Popujt fqinjë kanë zhvilluar propagandë shumëvjeçare kundërshqiptare e cila, kryesisht, është mbështetur në mite, legjenda dhe gënjeshtra, ndërsa ne nuk i jemi përgjigjur, së paku jo në udhë institucionale, dhe kemi ngelë borxh pa i dalë zot çështjes sonë dhe vetës sonë.

Nga ana tjetër, edhe bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur një qëndrim të drejtë ndaj hapësirës etnike shqiptare. Ajo ende nuk e konsideron atë si një tërësi kombëtare, historike, gjeografike, gjuhësore, kulturore,ekonomike dhe politike.

 

S y n i m e t 

 

E drejta e shqiptarëve për vetëvendosje është e ligjshme  juridikisht dhe politikisht. Kjo do të duhej të ishte komponenta nisëse e çdo argumentimi e faktimi të problemit të Kosovë dhe të shqiptarëve sot,pra edhe e çdo analize e shqyrtimi për të.Argumentimi dhe faktimi i kësaj të drejte të shqiptarëve është i nevojshëm dhe i rëndësishëm,për shkak  të aplikimit të  standardeve të  dyfishta në lidhje me të nga ana e  bashkësisë  ndërkombëtare.Ajo, në njërën anë,  përligj ndryshimin e kufijve me dhunë e gjenocid në mjediset heterogjene etnike dhe, nga ana tjetër, mohon   vetëvendosjen e shqiptarëve në hapësirën e tyre homogjene etnike.

Prandaj, kërkesa qëndrore e Kosovës dhe e shqiptarëve sot është njohja, garantimi dhe mbrojtja ndërkombëtare e të drejtës së vetëvendosjes së tyre, si e drejtë e natyrshme etnike, historike e politike e një populli të rrezikuar. Mbrojtjen e kësaj të drejte,shqiptarët  e konsiderojnë si mbrojtje të rendit të ri të parimeve të lirisë, të drejtësisë dhe të demokracisë.

E ardhmja e shqiptarëve janë integrimet  rajonale e ndërkombëtare.Mirëpo, pa integrime kombëtare nuk mund të ketë as integrime rajonale e ndërkombëtare.

Shqiptarët, në të ardhmen e tyre, nuk kanë pretendime përtej hapësirës së tyre etnike.Këto pretendime ata nuk i kishin as në të kaluarën. Kjo provohet me faktin se ata asnjëherë nuk ishin pushtues.

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë nxori në pah çështjet e pazgjidhura kombëtare në këtë pjesë të Evropës, e veçanërisht nxori në pah çështjen e pazgjidhur të kombit shqiptar.Cështja shqiptare kërkon përfillje adekuate ndërkombëtare, me përgjegjësi të plotë historike e politike të qendrave ndërkombëtare të vendimmarrjes: “kërkon vetëdijësimin e plotë ndërkombëtar për pozitën kombëtare të shqiptarëve sot dhe për falsifikimin e historisë së tyre nga pushtuesit fqinjë”.

 

 

 

 

 

D e t y r a t

 

Shqiptarët kanë përpara vetës shumë detyra për të cilat duhet të përcaktojnë edhe rendin,edhe procedurat, edhe bartësit,edhe afatet për përmbushjen e tyre.

Shqiptarët duhet të mblidhen rreth një qëndrimi se nuk do të miratojnë kërkesat për sakrifikimin e interesit kombëtar “për hirë të paqes ballkanike”. Ata duhet fuqishëm dhe, me një zë të artikuluar qartë, të deklarohen se do të  kundërshtojnë çdo zgjidhje modus vivendi, zgjidhje këto që do të mund të përligjnin statusin e minoritarëve për ta në trojet e tyre etnike.

Në zhvillimet e reja politike, në këtë anë të Evropës, shqiptarët duhet t’i hapin dhe  t’i përkrahin ato procese të cilat do të mundësojnë zhvillimin e parimeve të demokracisë politike, të ekonomisë së tregut, dhe të vlerave të përgjithshme të shoqërisë civile.Në këtë kontekst, ata në të ardhmen e afërt, duhen të mobilizohen kombëtarisht, për ta bërë Shqipërinë një shtet me rend të fuqishëm demokratik, me pluralizëm të vërtetë politik dhe me ekonomi të përparuar të tregut, parime këto që mund të shpiejnë Shqipërinë përpara në proceset integruese në Evropë e më gjerë.

Një Shqipëri e fuqishme do të ishte një garanci e fuqishme edhe për shqiptarët jashtë kufijve të tashëm administrativë të saj.Ajo do të mund dhe do të duhej të siguronte  një përkujdesje më të madhe  për fatet e tyre.

Integrimet gjithëkombëtare shqiptarët duhet t’i shohin si çelës të krijimit të lidhjeve më të fuqishme të tyre dhe të paraqitjes së përbashkët të tyre në integrimet evropiane dhe veriatlantike.Këto integrime ata duhet t’ i shohin si një mundësi të vendosjes së një urëlidhjeje me proceset e globalizimit.

Në këtë shumësi detyrash që paraqiten përpara tyre, shqiptarët detyrë mbi detyrat duhet të  konsiderojnë angazhimin dhe marrjen përsipër mbi vetën e tyre të  detyrës  që ndërlidhet me fatet e kombit dhe të ardhmen e tij.Mbi këtë bazë, do të jetë shumë i rëndësishëm veprimi progresiv i tyre, në mënyrë që të mos shtjerrën duke u marrë me vetvetën dhe me konfliktet në të kaluarën e tyre.

Angazhimin në rrafshin kombëtar, shqiptarët nuk duhet ta  shohin vetëm si shprehje të dëshirës së tyre, por edhe si domosdoshmëri të veprimit në kushtet e dhëna historike,kur përcaktohen fatet e kombit.

 

Një apel drejtuar bashkësisë ndërkombëtare

 

Zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare, shqiptarët nuk e shohin me rëndësi jetike vetëm për popullin shqiptar, por edhe për të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Shqiptarët, në mënyrë të veçantë, i tërheqin vërejtjen bashkësisë ndërkombëtare që çështjen shqiptare të mos e vegjetojë vetëm si “brengosje humane” ose si drojë për  “rrezikun potencial të konfliktit”, por kryesisht dhe në rradhë të parë, si një problem të pazgjidhur i cili meriton, jo vetëm një përkushtim më të madh të saj për ta shtruar, por edhe për ta zgjidhur, në mënyrë të drejtë dhe të plotë, atë.

Zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare, shqiptarët e konsiderojnë si çështje fundamentale kombëtare dhe si të drejtë etnike, historike, por edhe ekzistenciale të tyre, sepse me të përcaktohet fati kombëtar i shqiptarëve në të ardhmen e tyre.

Prandaj, shqiptarët apelojnë në vetëdijën njerëzore kolektive të bashkësisë ndërkombëtare që kur bëhet fjalë për çështjen shqiptare, të kaluarën e hidhur, të tashmen ende brengosëse, dhe të ardhmen, ende të pasigurt të saj, të ketë parasysh ndjenjën tragjike të një populli të traumatizuar nga gjenocidi i ushtruar ndaj tij dhe mbi të, në mënyrë që, në hapat e mëtejshëm të veprimeve të veta, të vlerësojë objektivisht, jo vetëm nevojën për emancipimin shpirtëror, gjuhësor, kulturor, ekonomik e politik të shqiptarëve të shpërndarë pa vullnetin e tyre në më shumë shtete, por edhe të gjykojë objektivisht për synimet e tyre.

 

 

P ë r f u n d i m i

 

Në zhvillimet e dekadës së fundit në Evropën Juglindore, shqiptarët që ishin ”pjesë e krizës së përgjithshme” janë parë ”si shkaktarë të jostabilitetit dhe kërcënim potencial të paqes dhe zhvillimit në Ballkan”, mirëpo në qarqet politike dhe në qendrat e vendimmarjes nuk është vrarë sa duhet mendja për shkaqet, sa për pasojat, e kësaj gjendjeje, fakt ky që ka stimuluar më shumë se zgjidhjet e përhershme të çështjes shqiptare, marrjen me pjesët fragmentare të saj, duke e lënë kështu të hapur ngritjen e problemit etnik të shqiptarëve.

Shqiptarët, edhe në fundshekullin e kaluar, edhe në fillimshekullin e ri, po përballen me mungesën e pavarësisë politike në hapësirën e tyre etnike, fakt ky që nuk u mundëson ”që ta rregullojnë jetën e tyre ashtu si duan vetë, për shkak se ende nuk kanë përkrahje konkrete në aspiratat e tyre kombëtare”.

Cështja shqiptare ende nuk njihet si çështje kombëtare  e një populli të ndarë padrejtësisht.Shqiptarët sot kanë shtetin që përfshin më pak se gjysmën e popullsisë shqiptare në Ballkan.Prandaj, politika shqiptare duhet të hulumtojë dhe të gjejë udhët që shpiejnë në kuptimin e drejtë të problemit shqiptar, duke argumentuar pa mëdyshje, se hapësira etnike shqiptare është një tërësi kombëtare, historike, gjeografike, gjuhësore, kulturore, ekonomike dhe politike.         

 

              13.08.2007