(Nga libri në dorëshkrim « Intervistë me vetvetën »)

Shumë pyetje  më janë bërë dhe  vazhdojnë  të më bëhën rreth Kosovës dhe çështjes shqiptare.Prej më “të lehtave” deri te ato “më të vështirat”.U jam përgjigjur  të gjitha pyetjeve  “në mënyrën time” që,në mos asgjë tjetër, ka ofruar një origjinalitet, në formë dhe në përmbajtje.


Kam përzgjedhur  disa nga pyetjet dhe përgjigjet – ndryshe për Kosovën dhe çështjen shqiptare.
  

(1)Më kanë pyetur shumë se “Cfarë e ardhme po i përgatitet Kosovës ”?Kam parapëlqyer të përgjigjem se çfarë e ardhme nuk do të dëshiroja t’i përgatitej.Nuk do të dëshiroja që “drejtësia e vonuar” të dalë “drejtësi e cunguar”.

(2)Kur më kanë pyetur “Si e sheh Kosovën nën Administrimin Ndërkombëtar”, jam përgjigjur:

               Kosova me emër,pa mbiemër;

               Kosova me territor, pa shtet;

               Kosova me parti politike, pa pushtet;

               Kosova me polici, pa siguri;

               Kosova me shpresë, në ardhmeni !

(3)Në pyetjen se  “Cfarë kanë të përbashkët Shqipëria e Kosova”, jam përgjigjur: Të përbashkët kanë  paaftësinë, në Shipëri- për “të mbajtur shtet”,  në Kosovë  - për “të bërë shtet”.

(4)Duke “më parë” si një “partizan i bashkimit kombëtar”, më kanë shtruar  pyetjen “A do të ndodhë dhe kur do të ndodhë Shqipëria Etnike”? Jam përgjigjur:

              Shqipëria,kombëtarisht e cunguar;

              Kosova, me status të papërkufizuar dhe ende përfundimisht e paçliruar;

              Kosova Lindore,nga të huajt e sunduar;

              Shqiptarët në Maqedoni, nga liritë dhe të drejtat kolektive kombëtare të privuar;

              Shqiptarët në Mal të Zi, kombëtarisht të pakonsoliduar;

             Camëria, pothuajse e harruar;

             Shqiptarët në Turqi, gati të asimiluar;

             Diaspora shqiptare, partiakisht e shpartalluar;

             Politika kombëtare, e paunifikuar;

             Diplomacia shqiptare, e paemancipuar!

                                  

(5)Shpesh më pyesin se “Cfarë do të bëhet me Mitrovicën”. Përgjigjem  se “Nuk di ta këndoj këngën e Shkurte Fejzes :Jo,nuk ndahet Mitrovica”.

(6)Më kanë shtruar pyetjen “Pse nuk jam ‘pozicionuar’në asnjë parti politike”. Jam përgjigjur : “Nuk dua të jem me asnjërin, sepse dua  që të jem me të gjithë ”.

(7)Kur më pyesin “Pse nuk po formoj një parti të re politike”, ua kujtoj “vargun që nuk desha ta shkruaj”:

             Vetëm në Kosovë dhe në Shqipëri,

             shtatëdhjet e katër parti;

             po të bëhej me shumë parti, a me çifteli,

             ne Shqiptarët, të parët, në Hënë do t’kishim mbërri.

(8)Më pyesin “Pse nuk e kritikon më ashpër pushtetin”. Përgjigjem se : “Pushteti është alergjik me kritikën; sa më e ashpër që është kritika,alergjia bëhet më e madhe”.

(9) Kur më pyesin “për ditën më të lumtur për shqiptarët”, përgjigjem shkurt: “Nesër”.

(10)Në pyetjen se “Cfarë nuk kemi mësuar ne Shqiptarët nga jeta”, përgjigjem se “Nuk  kemi mësuar se duhet ditur kur është mjaft”, prandaj shumëkush është shurdhuar, duke i dëgjuar duartrokitjet në adresën e tij, në mënyrë që, më vonë, të mos i dëgjojë fërshllimat”.

(11)Më kanë pyetur se “Cfarë do të bëhej me politikanët nëse do të paguheshin  sipas rezultateve të punës”.Jam përgjigjur se “do të bëheshin rast social”.

(12)Kur,me një rast, jam shprehur se për shqiptarët të gjithë autobusët, në të gjitha ulëset, do të duhej të mbanin numrin 1, në pyetjen se pse “do të duhej që të gjitha ulëset të mbanin  numrin 1”, jam përgjigjur për shkak se “Shqiptarët duan të jenë vetëm të parët dhe se nuk (para)pëlqejnë të jenë të dytët”.

(13)Shpesh më pyesin se “Me çka është e përmbushur jeta e shqiptarëve?” Përgjigjem se “Gjysma e jetës është e përmbushur me dëshira, e gjysma tjetër me pakënaqësi për mospërmbushjen e tyre”.

(14)Shumë duan të kuptojnë “Pse të panjohurit ‘ia mësyjnë’ politikës”.Përgjigjem për shkak se “Vetëm në politikë Askushi bëhët Dikushi”.

(15)Më kanë shtrua pyetjen se “Cka do të bëjmë nëse nuk do të dimë të menaxhojmë pavarësinë(eventuale) në Kosovë”.Kam dhënë përgjigjen se “nëse nuk do të dimë të menaxhojmë pavarësinë(eventuale), do ta japim me qira”.

(16)Kur më kanë pyetur “Pse ne shqiptarët dalim të pabalancuar politikisht në botë”,jam përgjigjur për shkak se “Ulemi në tryeza ndërkombëtare, pa pranuar të ulemi në sofra kombëtare”.

(17)Në pyetjen se “Cka nuk do të duhej që të lejonim ne shqiptarët?”, përgjigjem se “Nuk do të duhej që të lejonim që,nga njëra anë, të rritemi si popull dhe, nga ana tjetër, të rrudhemi si komb”.

(18)Kur më pyesin “pse aq shumë theksoj nevojën e ndërkushtëzimit të pjesëve të copëzuara të çështjes shqiptare”, përgjigjem se “Pa qenë mirë në Shqipëri, nuk bëhet mirë në Kosovë; pa u bë mirë në Kosovë, nuk mund të jetë mirë as në Shkup,Tetovë e Kumanovë; as në Medvegje, Preshevë e Bujanoc;as në Plavë e Guci,as në Malësi”.

(19)Më pyesin se “Si duhet t’i përgjigjemi miteve serbe për Kosovën”. Përgjigjem me të vërtetën se “Transplanti serb është bërë në trup të huaj dhe se fëmija që përkundët në djep është fëmijë i huaj”.

(20)”A dimë ne se ku fillojnë dhe ku përfundojnë angazhimet e të huajve në Kosovë dhe  ku duhet të fillojnë angazhimet tona”, është prej pyetjeve të shpeshta që më kanë bërë. Jam përgjigjur se “Bashkësia ndërkombëtare nuk është nëna që lind foshnjën në Kosovë; është vetëm mamia që e bën më të lehtë lindjen”.

(Botuar në Gazetën SHQIP,Tiranë 10 gusht 2007)