-Për Kosovën nuk mund të vendosë askush tjetër përveç se vetë dhe vetëm Kosova- 

Ndërkohë që politikanët vendës deklarojnë se 120 ditëshi është “shtyrja e fundit” dhe se “nuk do të ketë shtyrje tjera” për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shtyrja re “troket në derë”.Në të vërtetë, për ata që e kishin kuptuar drejtë fjalën e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, Daniel Fried, të shprehur një muaj më parë se “E ardhmja e Kosovës mund të zgjidhet në muajt që i paraprijnë takimit të ardhshëm të Aleancës Veriatlantike”, paralajmërimi se “pavarësia e Kosovës vjen në pranverën 2008” nuk do të duhej të paraqiste ndonjë befasi. Ata nuk do të duhej të befasoheshin edhe nëse  “pranvera vonohet”, duke pasur parasysh gjitha vonesat që kanë ndodhur deri më tash në procesin e “zgjidhjes së çështjes së Kosovës”.


Takimi i ardhshëm  i Aleancës Veriatlantike në prill 2008, nuk duhet të ndahet nga disa zhvillime të tjera që pritet të ndodhin në pranverën 2008 e që mund të jenë më shumë ndikim në rrjedhat e procesit rreth të ardhmes së Kosovës.Shtyrja re që “troket në derë” bëhët e “themeltë” për shkak të një zhvillimi tjetër të paralajmëruar për muajt e pranverës në Rusi, vendin që nuk ndryshon mendje dhe që nuk ka ndërmend të ndryshojë mendje në lidhje me të ardhmen e Kosovës.Në të vërtetë, Perëndimi që edhe vetë “ka humbur rrugën në oborrin e vet” në lidhje me Kosovën, “është i interesuar  për rezultatet e zgjedhjeve në Rusi, që do të mbahen më 9 mars 2008”.Ndoshta nuk kam të drejtë të gjykojë në atë mënyrë, por Perëndimit sikur i “mirëvjen” ky zhvillim për “të blerë kohë” ,për të satën herë, rreth Kosovës.Në Kosovë kanë filluar t’i numërojnë shtyrjet që janë bërë deri më sot dhe kanë humbur guximin që të bëjnë parashikimet për kohën e “zgjidhjes së çështjes së Kosovës”.Vetëm brendapërbrenda këtij viti, ndodhen tri shtyrje të procesit. Së pari, zgjidhja u paralajmërua për pranverë, e pranvera “iku” pa shijuar “bukurinë” e saj. Së dyti, zgjidhja u paralajmërua për verë, e vera “po ik” në thatësi të madhe. Së treti, zgjidhja u paralajmërua pas 120 ditësh të “negociatave shtesë”, por sipas “lojës që kanë përgatitur kundërshtarët”, nuk ka gjasa që “të shënohet gol” në asnjërën prej portave, prandaj do të luhen “minutat shtesë”(lexo ditët,javët,muajt shtesë) për derisa gjyqtari i takimit  “të mos akordojë ndonjë penalti”, qoftë edhe  të paqenë, në mënyrë që ndeshjen “ta mbyll me ndonjë rezultat” që do të shënonte “mbarimin e lojës”, qoftë edhe me pakënaqësinë e ndonjërës prej ekipeve.

Gjykuar sipas rrjedhave që “ka marrë procesi” duken të pamatura dhe naïve  deklaratat e politikanëve vendës se, “nuk do të ketë vonesa tjera”, se statusi i Kosovës “do të zgjidhet deri në fund të vitit” e tjera të ngjashme.E kemi thënë me një rast se që ta  mbash fjalën është më së miri që të mos e japësh.Politikanët vendës duhet ta vrajnë mendjen se pas çdo veprimi të bashkësisë ndërkombëtare pasojnë procedurat që marrin kohë.E para, është paraparë që, kur periudha 120 ditëshë të përfundojë më 10 dhjetor 2007, Treshja t’i dorëzojë një raport Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki- Moon. E dyta, pasi ta ketë marrë raportin prej Treshës, Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki- Moon, do t’i duhej një kohë për të gjykuar për hapat e mëtejshëm, veçanërisht nëse nuk do “të arrihet një kompromis ndërmjet palëve”, e për blerje të reja të kohës  të kërkohet që “të bëhen përpjekje të reja për afrim pikëpamjesh ndërmjet palëve”, pa gjasa se kjo do të mund të bëhej ndonjëherë. Ndoshta tek atëherë në Kosovë do të kuptohet  se me të, në fakt, po zhvillohet “një lojë”, për rrezikun e së cilës Grupi Ndërkombëtar i Krizave  ka paralajmëruar në raportin e tij të fundit për Kosovën. Ndërkohë, ne në  Kosovë do të duhej të ndërgjegjësoheshim  se për Kosovën nuk mund të vendosë askush tjetër përveç se vetë dhe vetëm Kosova; se pavarësia kurrë nuk falet, por se ajo duhet të fitohet dhe se është shumë i gabuar gjykimi se me Kosovën dhe rreth saj “gjithçka ka përfunduar” dhe se ne duhet të presim vetëm ditën “kur do të festojmë” pavarësinë dhe sovranitetin e plotë, në gjithë territorin e Kosovës”, pa vra mendjen, së paku për pjesën veriore, se atje serbët “jetojnë krejtësisht të veçuar nga shqiptarët; se shpalosin tjetër flamur; se përdorin një tjetër valutë; se përdorin një tjetër gjuhë dhe se marrin urdhra nga një tjetër qeveri nga shqiptarët”;pa vra mendjen se bashkësia ndërkombëtare po i privon shqiptarët dhe vetëm shqiptarët, nga njohja, garantimi dhe mbrojtja ndërkombëtare e të drejtës së tyre për vetëvendosje që është një e drejtë e natyrshme etnike, historike e politike, e ligjshme, qoftë juridikisht, qoftë politikisht dhe pa vra mendjen se shqiptarët, duke mos qenë vetë asnjëherë pushtues, pretendimet e veta nuk i kanë jashtë hapësirës së tyre etnike.