Analizë

Vrojtimet hyrëse 

Ndryshe nga zyrtarë dhe analistë, qofshin ata edhe shqiptarë, që shprehen se me pavarësinë eventuale të Kosovës “do të rrumbullakohet çështja shqiptare”, e vërteta flet ndryshe. Në fakt, me zgjidhjen eventuale të çështjes së Kosovës do të zgjidhej vetëm njëra anë e çështjes së pazgjidhur shqiptare.Segmente të tjera të tëra të çështjes shqiptare do të ngelnin të pazgjidhura. Ky shkrim analitik pretendon të bëjë një pasqyrë të përgjithshme të çështjes së pazgjidhur shqiptare, qoftë në segmentet e veçuara, qoftë në tërësinë e saj.

 



Si paraqitet çështja shqiptare sot ?

 

Me gjithë tonet optimiste të zyrtarëve dhe analistëve , çështja shqiptare vazhdon të paraqitet me shumë të panjohura të cilat, secila veç e veç, por edhe të gjitha bashkërisht, tërësinë e çështjes shqiptare e bëjnë përgjithësisht ende të panjohur.Një gjë duhet ta kemi parasysh: skenarët me shqiptarët ende nuk kanë përfunduar, andaj nuk përkon me realitetin pikëpamja sikur çështja shqiptare “ka marrë fizionominë e çështjes së zgjidhur”.Po t’i hidhet “një sy” pozitës së shqiptarëve, kudo që ata sot janë të shpërndarë dhe “të bërë pikë e pesë”, do të mësojmë për padrejtësitë që vazhdojnë të bëhen në kurriz të tyre prej vendeve me të cilat qeverisen dhe për mungesën e gatishmërisë të qeverive të po atyre vendeve për të avancuar statusin kushtetues e juridik të tyre. E gjithë kjo flet se shqiptarët ende përballën me një pozitë denigruese nga e cila mund të dalin vetëm nëse  do të ndodhnin ndryshime rrënjësore në qëndrimin e vendeve ku mbahen të sunduar shqiptarët dhe atyre u njihen, sigurohen dhe mbrohen të drejtat kolektive kombëtare të tyre, në mënyrë që të mos trajtohen si qytetarë të “rendit të dytë” ose si “qiraxhinj në pronat e tyre”.Pozita aktuale e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, në Serbinë Jugore dhe në Mal të Zi, me gjithë gjoja “përpjekjet për ta ndryshuar në më të mirë atë”, flet për një neglizhim të qeverive në këto tri vende që të veprojnë në përputhje me premtimet me të cilat, shpesh paraqitën para bashkësisë ndërkombëtare, për të përfituar ndonjë bonus për vetën e tyre.

Në Republikën e Maqedonisë mungojnë angazhimet për ndriçimin shkencor të së drejtës së shqiptarëve për status shtetformues në rrafshin konstitucional, duke e mbështetur atë në sfondin historik dhe duke pasur parasysh gjithësaherë strukturën reale demografike interetnike në këtë republikë. C’është e vërteta, Republika e Krushevës( 1903) paraqet burim të drejtpërdrejtë për shteformësim të shqiptarëve, meqenëse në të ata u paraqitën si subjekt shtetëror dhe element shtetformues. Përpjekja që u bë për një përparim të pozitës së shqiptarëve në këtë republikë me zgjidhjet kushtetuese të vitit 1974 nuk u jetësua në praktikë dhe nuk qe as për së afërmi në përputhje  as me parimet e proklamuara kushtetuese dhe as me standardet e së drejtës ndërkombëtare.Edhe deklarimi i pavarësisë së Maqedonisë ndodhi pa u sqaruar mirë pozicioni i etnikumit shqiptar dhe pjesëmarrja e tij në rregullimin kushtetues të këtij vendi, pra pa u përkufizuar premisat dhe raportet brendapërbrenda formacionit të ri shoqëror. Për pasojë, regjimi sllavomaqedonas nuk ndërtoi një qëndrim të drejtë ndaj shqiptarëve etnikë dhe nuk njohi të drejtat elementare të tyre, duke mos ngritur një mekanizëm konsensual që do të mund të ndalonte mundësinë e majorizimit të shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre që, formalisht, u njiheshin më parë, me gjithë pamundësinë e realizimit të tyre në praktikë. Në këtë mënyrë, Kushtetuta e  Maqedonisë e vitit 1991 u bë gjeneratori themelor i krizës në raportet shqiptaro-sllavomaqedonase, për shkak të pozitës denigruese kushtetuese e juridike të shqiptarëve në të, në mënyrë të veçantë për shkak të trajtimit të tyre si pakicë kombëtare.Duke u nisur nga nevoja e avancimit të pozitës kushtetuese e juridike e shqiptarëve në Maqedoni dhe njohja e të drejtës së tyre për të qenë subjekt i barabartë me sllavomaqedonasit në këtë republikë, bashkësia ndërkombëtare u angazhua për një “marrëveshje historike” ndërmjet sllavomaqedonasëve dhe shqiptarëve që, megjithatë, qoftë me parimet dhe zgjidhjet, dhe në mënyrë të veçantë, me zbatimin e tyre në praktikë, nuk arsyetoi kualifikimin që iu dha.Marrëveshja e Ohrit nuk i promovoi shqiptarët si popull autokton, me tipare të theksuara demografike të numrit të tyre dhe të koncentrimit të lartë dhe të gjerë në trojet e veta etnike si dhe të përbashkëta jetësore në këtë republikë dhe, mbi këtë bazë, konservoi për ta statusin denigrues të “pakicës kombëtare”, madje “pa i përmendur fare”, përveç se në kuadër “të bashkësive” që përbëjnë “shtetin multietnik”, edhe pse shqiptarët, në fakt, përbëjnë grupin më të shquar etnik tek i cili është rritur vetëdija se ai është subjekt politik që, si krejtësisht i barabartë me popullin maqedonas, ka të drejtë të jetë bartës i sovranitetit dhe shtetformues, kështu që Marrëveshja e Ohrit nuk e eleminoi shkaktarin themelor të krizës në Maqedoni- trajtimin e shqiptarëve si minoritet.Marrëveshja, në parim, “e përligji” pranimin e kufizuar të gjuhës shqipe si “gjuhë e dytë zyrtare”, edhe pse “pa e përmendur fare”, përveç se në kuadër të “cilësdo gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullsisë”, me gjithë faktin se gjuha shqipe dhe shkrimi i saj, përbëjnë gjuhën dhe shkrimin e rreth dyzet për qind të popullatës së përgjithshme që jeton në këtë republikë  dhe se, mbi këtë bazë, gjuha dhe shkrimi shqip “përmbushin të gjitha standardet” që të jenë krejtësisht të barabarta me gjuhën dhe shkrimin maqedonas. Marrëveshja parashikoi “ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete për zgjerimin e përfaqësimit të pjesëtarëve të bashkësive të cilat nuk paraqesin shumicë në Maqedoni, si në administratën shtetërore, ushtri dhe ndërmarrje publike, ashtu dhe në përmirësimin e qasjes së tyre në financimin zhvillimor dhe asktivitetet punuese”, pa i përmendur, edhe me këtë rast shqiptarët, në mënyrë të veçantë, të cilët, ç’ është e vërteta, nuk janë fare të përfaqësuar ose janë të përfaqësuar në përqindje fare të pakonsiderueshme, edhe pse, në fakt, me  numrin  e përgjithshëm të tyre, përbëjnë një fuqi të rëndësishme popullative në këtë republikë, nga e cila mund të rekrutohen, barazisht me maqedonasit, nëpunës dhe kuadro udhëheqës në administratën shtetërore, ushtri dhe ndërmarrje publike, edhe pse janë faktor i rëndësishëm dhe plotësisht i barabartë politik, ekonomik, shoqëror, demografik, madje dhe rekrutues-ushtarak, me maqedonasit, të cilët paraqitën si “popull shumicë”në këtë republikë.Sado që Marrëveshja e Ohrit rezultoi “me një çast frymëmarrjeje” të shqiptarëve, ajo, në të vërtetë, vetëm sa hapi një proces të kërkimit të të drejtave të tyre legale dhe të ligjshme kombëtare. E ardhmja e Maqedonisë mund të ndërtohet vetëm me ripërkufizimin e saj si shtet i popujve që nënkupton njohjen e subjektivitetit shtetformues dhe kushtetues e juridik të barabartë të popullit shqiptar në Maqedoni, si pikënisje për nxjerrjen e një kushtetute të re të saj.Në Maqedoni duhet të vendoset një koncept i ri shtetëror “që pamundëson dominimin sistemor të një etnikumi mbi tjetrin” dhe që i cilëson shqiptarët si popull autokton, si pjesë integrale e popullit shqiptar në Ballkan, në hapësirën kontinuele gjeografike ku ai jeton në shumicë etnike, pra që nuk i cilëson si “pakicë kombëtare”, por si popull me të drejtën e vazhdueshme dhe të pashteruar të vetëvendosjes kombëtare.Avancimi i statusit kushtetues e juridik të shqiptarëve në Maqedoni mbështetet mbi një numër faktesh të pakontestueshme historike, politike dhe kushtetuese e juridike.

E para, shqiptarët në Maqedoni kanë qenë gjithmonë, pra historikisht, element konstitutiv i shtetësisë së Maqedonisë, nga Republika e Krushevës(1903), ASNOM (1944) dhe Kushtetuta e Maqedonisë(1974).

E dyta, statusi i shqiptarëve duhet vështruar, duhet shtruar dhe duhet zgjidhur, mbi bazën e këtyre determinanteve historike,politike dhe kushtetuese e juridike:se ata jetojnë në trojet e veta etnike dhe janë popull autokton në ato troje;se ata i veçon kompaktësia e tyre etnike, territoriale, historike, kulturore dhe gjuhësore;se ata në trojet e veta etnike janë popull shumicë;se ata nuk janë dhe se nuk mund të trajtohen si “pakicë kombëtare” : as për nga numri i popullsië së përgjithshme; as për nga shkalla e vetëdijës kombëtare dhe as për nga zhvillimi shpirtëror dhe kulturor i tyre.

E treta, shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një grup të shquar etnik dhe vetëdija e tyre mbi përkatësinë asaj bashkësie të vjetër etnike nuk mund të injorohet njëanshëm.

Shqiptarët që jetojnë në Jug të Serbisë që, në fakt, përbën Kosovën Lindore, sistematikisht janë rrethuar me represionin dhe dhunën e pushtetit serb.Represioni dhe dhuna e pushtetit serb në komunat shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës janë rritur në mënyrë të veçantë pas artikulimit të kërkesave të shqiptarëve për një autonomi politiko- territoriale të tyre, me të drejtë bashkimi me Kosovën. Kjo kërkesë e tyre u shpreh nëpërmjet të një referendumi të mbajtur me 1 e 2 mars 1992.Regjimi serb shqiptarët e këtyre trevave asnjëherë nuk i ka trajtuar si subjekt të rëndësishëm politik në mënyrë që të përfillë kërkesat legale dhe legjitime të tyre.Përkundrazi, ka shuar me represion dhe me dhunë çdo përpjekje të shqiptarëve për avancimin e pozitës politike e kombëtare të tyre, edhe pse ata, në fakt, përbëjnë shumicën e popullsisë në ato territore.Pretendimet e Serbisë për “të mbajtur nën pushtim” Kosovën Lindore nuk mund t’i qëndrojnë kohës sepse, më në fund, komunat shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës “i janë bashkëngjitur Serbisë” në kohë paqeje,e jo si pasojë lufte.E drejta e popullit për vetëvendosje nuk konsumohet me një herë. Shqiptarët e Kosovës Lindore gjithnjë e më shumë po theksojnë përkushtimin e tyre për t’i (ri)lidhur fatet me Kosovën, duke mos e konsideruar  Serbinë,as  si shtet të vetin, as si ombrellë sigurie për të ardhmen e tyre.Serbia, në të vërtetë, është sjellur dhe vazhdon të sillet armiqësisht ndaj shqiptarëve etnikë dhe ky fakt përbën thelbin e krizës në marrëdhëniet e shqiptarëve dhe të serbëve dhe e bën shumë të themeltë kërkesën e tyre për t’iu (ri)kthyer etnisë së vet.Madje,  kërkesën e shqiptarëve  për t’u bashkuar me Kosovën nuk duhet konsideruar si vetëm dhe kryesisht,  kundërpërgjigje të tyre represionit dhe dhunës që kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë serbët mbi ta, por si e drejtë legale dhe kombëtare e tyre, e mbështetur në parimin e vetëvendosjes, të prononcuar edhe në të drejtën ndërkombëtare, si faktori më përcaktues për fatet dhe të ardhmen e popujve të rrezikuar.

Me gjithë ca nismave qëjanë ndërmarrë për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, ata vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë dhe të jenë të privuar nga liritë dhe të drejtat kolektive kombëtare.E kaluara e shqiptarëve në këto troje ishte e hidhur , po sikurse që mbetet denigruese pozita e tashme e tyre kushtetuese e juridike, ndërkohë që pushteti malazias shtihet i shurdhër për shumë kërkesa legale dhe të ligjshme të shqiptarëve për emancipimin qytetar e kombëtar të tyre, kështu që ata përherë ndihen të diskriminuar në raport me malaziasit.Përfaqësimi i shqiptarëve në pushtet dhe në jetën publike përgjithësisht është fare i pakonsiderueshëm.Duke u nisur nga fakti se ata jetojnë në trojet e veta etnike, në një rrip të pandërprerë territorial me shqiptarët e tjerë në Ballkan, nuk mund të injorohet kërkesa e vazhdueshme e tyre për ndryshimin e  statusit kushtetues të tyre në mbarë republikën, veçanërisht për zgjerimin dhe forcimin e pushtetit lokal në trevat ku përbëjnë shumicën e popullsisë, po sikurse që nuk mund të injorohet as e drejta e tyre për vetëvendosje, në kushtet dhe rrethanat, që mund t’i krijojë e ardhmja e Ballkanit dhe e popujve që jetojnë në të.

Kapitull më vete paraqet çështja çame.Ajo ndonjëherë përmendet sa ”ndërgjegje për të larë”.Prania e shqiptarëve në Greqinë fqinje është shumë e hershme.Shqiptarët etnikë banojnë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre, të cilat janë në vazhdimësi të pandërprerw me territorin e Shqipërisë dhe të cilat kanë qenë për mijëra vjet pjesë përbërëse e territorit shqiptar, pavarësisht nga kufijt që u vendosën në vitin 1913. Cështja  çame mbetet e hapur, por e paaktualizuar as sa duhet dhe as si duhet nga shteti shqiptar. Ka mbetur i pazgjidhur problemi i pronave të shqiptarëve në Camëri, po sikurse që ka mbetur i pazgjidhur problemi i njohjes në shkallë të kënaqshme të të drejtave gjuhësore, kulkturore e kombëtare të shqiptarëve që banojnë krahinat e Camërisë, Kosturit dhe Follorinës.

 

Kosova dhe Shqipëria (ekstrakt nga një studim më i gjatë)

 

Panorama e përgjithshme e çështjes shqiptare, qoftë edhe me këtë rast, kur fokusimi është bërë në disa prej segmenteve të tjera të veçuara  të saj, nuk mund të rrumbullakohet pa një vështrim të shkurtër për Kosovën dhe Shqipërinë.

Për Kosovën janë krijuar dy ndjenja të skajshme,njëra shumë optimiste dhe tjetra pafundësisht pesimiste.Dalja duhet kërkuar në rrjedhat që ka marrë dhe që mund të marrë procesi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Problemi i Kosovës “është shkoqur” nga tërësia e çështjes shqiptare, si përbërës shumë i rëndësishëm i saj dhe me shumë ndikim në ruajtjen e saj, në rast të pavarësimit eventual të Kosovës.Cdo zgjidhje tjetër që nuk do të rezultonte me pavarësinë e Kosovës në tërësinë e kufijve të saj, do të dëmtonte tërësinë dhe do të zvogëlonte mundësitë e mbrojtjes së saj.Cmimi  që po paguajnë shqiptarët e Kosovës për të akomoduar pakicat, veçanërisht atë serbe, bartin me vete rrezikun e invalidimit të shtetit eventual.Sado që thuhet se prania ndërkombëtare në Kosovë do të jetë me “karakter të lehtësimit” të bërjes së shtetit, ajo mund fare lehtë të shndërrohet në të kundërtën : në pengesën e “bërjes dhe të funksionimit të tij”, qoftë në kuptimin politiik, qoftë në kuptimin gjeografik.Kosova, pra, vetvetiu,ende  paraqet  “një barrë       shtesë” për çështjen shqiptare dhe ruajtjen e tërësisë së saj.

Shqipëria po kalon nëpër një periudhë në të cilën konsolodimi i rendit demokratik  dhe ndërtimi i shtetit ligjor paraqesin detyrë mbi detyrat .Shqipëria duhet të kalojë prej “demokracisë së qeverisur” në “demokracinë qeverisëse”.Për këtë qëllim, në Shqipëri duhet “ndërtuar” një katërkëndësh në të cilin, në çdo kënd të tij, do të vendosen koha, shteti, populli dhe qeveria. Sipas një aforizmi të vjetër, koha është , shprehur në mënyrë figurative, deti, shteti është anija, populli është era, ndërsa qeveria është vela.Shqipëria është para mundësisë që “të korrigjojë të kaluarën”.Një porosi duhet mbajtur para vetes: është shumë më mirë të korrigjosh së pari, se të gabosh së dyti.

Shqipëria ka edhe një “detyrë shtesë”: që të interesohet për fatet e shqiptarëve kudo që janë të shpërndarë.Zhvillimet në Kosovë dhe ato në lidhje me segmentet e tjera të veçuara të çështjes shqiptare Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet t’i vendos “në kallëpe të thjeshta e të përdorura politike”. Nuancat me të reja të zhvillimeve politike kërkojnë prej Shqipërisë “pozicionime më të zhdërvjellta, duke e qëruar strumbullarin e politikës  shqiptare nga nyjet e lëkurat e panevojshme që janë ruajtur për shumë kohë”.

 

Si duhet të paraqitet diplomacia shqiptare ?

 

Nuk është detyrë e diplomacisë shqiptare heshtja e saj përballë pozitës ende të katandisur të shqiptarëve në të gjitha vendet ku ata janë të shpërndarë.Nuk është kjo kohë e miratimit, nga ana e saj, e nënçmimit që i bëhet shqiptarëve në trojet etnike të tyre. Të kundërtën, është kohë e ngritjes së zërit, nga ana e saj, për përmirësimin e pozitës kushtetuese e juridike të shqiptarëve në vendet ku ende mbahen të sunduar nga të tjerët. Diplomacia shqiptare nuk mund të arsyetohet me atë se gjoja “është e zënë” me çështjen e Kosovës, ndërkohë kur edhe për të nuk është duke bërë ndonjë “punë të madhe”, përveç deklarimeve verbale “në mbështetje të pavarësisë së saj”.

Thuhet me të drejtë se ai që ia di rendin heshtjes, ia di edhe rendin e fjalës.Nuk është kjo kohë e heshtjes së shqiptarëve, veçanërisht e diplomacisë shqiptare. Shqiptarët duhet të ndryshojnë raportet nëpër të cilat kanë kaluar deri më sot.Ndihet nevoja për një bashkëpunim më të fuqishëm dhe të bashkërenduar, në mënyrë që të mos ndodhin “gabime në hapa”, çfarë, ç’është e vërteta, janë bërë në të kaluarën tonë.Diplomacia shqiptare do të duhej nga një “defansivë e skajshme” të kalojë në “ofensivë të hapur”.Ajo do të duhej, edhe vetë, të vepronte “e bashkuar”, si një “tërësi unike” dhe të formësonte qëndrime të përbashkëta, qoftë edhe për zgjidhje të veçanta.Vetëm në atë mënyrë do të mund të mbrohej tërësia e çështjes që,megjithate, do të duhej të paraqiste kryefjalën e mendimit tonë politik, edhe në kohën e përballjes me segmente të veçuara të saj.Duhet parë se a ka nevojë dhe ku mund të bëhen korrigjime eventuale që të mos pësojë tërësia e çështjes.

 

 

 

Vrojtimet mbyllëse

 

 

Një varg i tërë rrethanash, të brendshme dhe të jashtme, shtrojnë nevojën për një mobilizim të shtuar kombëtar brendashqiptar.Ruajtja e tërësisë së çështjes, edhe me rastin e pavarësimit eventual të Kosovës, do të duhej të ishte bazament i çdo përcaktimi të pjesshëm, qoftë ai edhe kalues, siç do të jetë,sipas të gjitha gjasave, edhe statusi i ardhshëm i Kosovës.Ajo që do të duhej të ndërgjegjësonte shqiptarët sot është që të kuptojnë ndërlikueshmërinë e proceseve  politike që po ndodhin me ta dhe rreth tyre, ndërlikueshmërinë e shkaqeve që sollën këtë gjendje në të cilën ndodhen dhe ndërlikueshmërinë e masave që duhet ndërmarrë për përballimin e saj dhe për kushtet dhe për rrethanat në të cilat duhet të ndërmerrwn ato masa.

Shqiptarët do të duhej të përfitonin nga disa rrethana lehtësuese në favor të zgjidhjes së çështjes shqiptare, qoftë në segmente të veçuara të saj, siç është rasti me Kosovën, qoftë në tërësinë e saj.Askush nuk do të përshkruajw terapinë më mirë se ne për vetën tonë.Ne vërtetë asnjëherë nuk kemi pasur më shumë njerëz të mendjes dhe të dijes,por mendjen dhe dijen do të duhej ta shfrytëzonim  në mënyrë racionale në rrafshin kombëtar.Nuk është vështirë të gjykohet se vëmendje e dorës së parë do të duhej t’i kushtohej diplomacisë së të ardhmes së shqiptarëve.Kohët do të jenë të atilla si do t’i krijojmë vetë.